Shekspiri rrëfen: Jul Çezari

Jul Çezari kthehet prej betejës. Ai luftoi dhe fitoi kundër Pompeut. Popullariteti i Çezarit ka arritë kulmin. Ai del para publikut. Nuk e përfill protokollin. Ajo çfarë qe planifikuar si festë e vogël triumfi nëpër qytet, zgjati tërë ditën. Herë urdhëron që të ndalet karroca, herë madje zbret prej aty. Ai shtrëngon duar, u afrohet fëmijëve, merr dhurata, u hedh një sy shpejt e shpejt, para se t’ua kalojë njerëzve të vet. Rrallë e shohin duke qeshur. Po të qeshte sot dhe po t’i çonte krahët lart për të përshëndetur turmën, kushdo do ta kuptonte se çfarë domethënë, pra: Unë, unë, unë! Por fytyra e tij serioze thotë: Unë kam fituar për Romën, pra për ju! Serioziteti i shkon atij. Kush kalon sot nëpër rrugët e Romës, duhet të shtyjë me këmbë e me duar për të pranuar frymën e bashkëqytetarit në zverk.

Çezari din shumë për popullin. Populli din pak për Çezarin.

“Ai është si ne”, thotë njëra palë.

Pala tjetër ka të njëjtin mendim dhe shton: “Por ama krejt ndryshe.”

“Ai nuk ka sqimë”, thotë pala e parë.

“Por ai e din se sa vlen”, thotë pala tjetër.

“Ai është i ftohtë.”

“Por i afrueshëm.”

“Ai mundet me qenë i palodhur.”

“Por edhe dorëzohet.”

Ai nuk është burrë i sojit të popullit, por ama është si populli. Kështu mendon populli për Çezarin.

Natyrisht që disa anëtarë të senatit e shohin ndryshe këtë gjë. Por ata nuk thonë: Ne e shohim ndryshe nga populli. Kjo nuk u ka hije republikanëve. Ata thonë: “Ne jemi skeptikë.” Skeptiku është i lirë për ta zgjedhur vendin e vet. Po qe se dyshimet e tij dalin të vërteta, ai ka të drejtë të çojë gishtin: E shikoni, kisha të drejtë. Përndryshe do t’i ndërrojë mendja në kohën e duhur dhe do bëhet mik i mirë i Jul Çezarit; dhe s’ka mik më të mirë sesa një skeptik që ndërron mendje.

Natyrisht që Kasi është më shumë se vetëm skeptik. Ai është kundërshtari më i fortë i Çezarit në senat. Por Kasi nuk ka nur, ai nuk shkëlqen, është burrë i errët. Natyra e ka lënë të rritet në errësirë dhe në të ftohtë, ku gonxhet e luleve janë të rralla. Por ajo i ka mbjellur ambicie në zemrën që kërkon diellin. Qenia e Kasit lakmon plotësimin, gjithnjë i duhet dikush, emri i tij nuk do përmendet kurrë vetëm, ai e din këtë. Kasi është i zemëruar. Ai e urren Çezarin. Pse? Çezari nuk e humb kurrë sundimin, Çezari nuk e humb kurrë durimin. Sikur Kasi të ishte Çezari, ai do e kishte humbur me kohë durimin ndaj Kasit, edhe sundimin ndaj tij. Sikur Kasi të ishte Çezari, ai do ia kishte marrë frymën Kasit! Po kë urren Kasi vallë?

Kur më në fund mbarojnë lojrat me gladiatorë në nderim të luftës së fituar, Kasi nuk shkon në stadium. Kaq shumë nderim për Çezarin do ishte mëtim i tepruar për nervat e tij. Ai mënjanohet. Dhe nuk është i vetmi. Edhe disave nga skeptikët duket që nuk u interesojnë këto lloj festash. Kasi këqyr rreth e rrotull fytyra të merakosura. Por ai i njeh zotërinjtë, ata janë kokrra të vogla dhe të shpëlara. Mendjemadhësia morale e të sapoardhurit i rrëzon ata me një frymë. Mjafton që Çezari t’u hedhë veç një vështrim, e ata zhduken në vend, si t’i frysh pluhurit.

Por mandej Kasi vëren njërin, ai sapo është futur në këtë valle. Deri tani i ka bërë bisht marrëdhënieve me skeptikët. Ai është Bruti. I përkëdheluri i Çezarit.

“Po ç’ne Bruti këtu?” pyet Kasi një nga skeptikët.

“Prej hallit, i nderuar Kas. Prej hallit. Kur një Brut e rrudh ballin, ka përnjëmend hall të madh.”

Dhe skeptiku tkurr vetullat në mënyrë domethënëse. Po çka domethënë kjo tkurrje vetullash? Diçka. Këtu të gjithë flasin sikur në të vërtetë nënkuptojnë diçka tjetër. E mbajnë veten për ironikë.

Kasi i afrohet Brutit dhe i flet. “Kur një Brut e rrudh ballin”, i thotë ai, “atëherë përnjëmend që ka ndonjë hall.”

“Edhe ti e rrudh ballin, Kas.”

“Unë kam halle përherë, ti e din, dhe shumica e halleve s’kanë arsye dhe gëzohem që është kështu. Kam natyrë hallexhiu. Por ti jo. Bruti është një optimist për t’u patur zili, kushdo e din këtë. Ndaj, kur Bruti shqetësohet, më dhemb zemra.”

“Çezari është burrë i madh”, psherëtin Bruti. Sikur kjo të ishte një përgjigje. Sikur të kishte dyshuar ndokush për këtë. Sikur Kasi ka hall që Çezari është vërtet i madh.

“Po, ai është, është në fakt”, psherëtin ndërkaq edhe Kasi. Këtë lojë e din ai, dhe din ta luajë më mirë se kushdo tjetër. Mandej kollitet lehtë dhe thotë me zë të qartë: ”Vërtet, Çezari është burrë i madh!” Por ai e din: Sa më shumë ta çmojë madhështinë e Çezarit, aq më shkoqur do bjerë në sy një “Por”.

“Por!” – Ja tek është! Vërtet që nuk është e vështirë ta zhbirilosh Brutin, të paktën për një Kas as që bëhet fjalë. – “Por! Kaq shumë pushtet në duart e një burri nuk është gjë e mirë”, i qahet Bruti Kasit, ose bën sikur i qahet. “Besomë, Kas, nuk është gjë e mirë! Të paktën sipas pikëpamjes së një republikani.”

“Ashtu është, Brut.”

“Ndërsa unë jam një republikan.”

“Ashtu është!”

“Kush sundon mbi të gjithë për republikanin?”

“Populli, Brut, populli.”

“E saktë, Kas! Ndaj po tërhiqem dhe nuk po shoh lojrat që bëhen në nder të Çezarit. Zemra ime republikane indinjohet, kur i brohorasin një burri sikur të ishte Zoti. Çezari mund të bëhet fodull.”

“Mos vallë druhesh”, e vazhdon shtruar Kasi mendimin e Brutit, “mos vallë druhesh se Çezari mund të bëhet diktator?”

Bruti jeton nën ndriçimin e diellit, ai ka lindur në një vend ku dielli ndriçon përherë. Lumturia është e natyrshme për të. Edhe që e nderojnë është e natyrshme. Edhe që e duan është e natyrshme. Bruti shfaqet i sigurt dhe nuk ka pikën e dyshimit që dikur do t’ia gjejë vendin emrit të vet, të cilin s’duhet ta ndajë me askënd. Mirëpo na qenka dikush që ia ka qejfi t’i bie rreth e rrotull muhabetit, që formon gjysmëfjali dhe që kap mendime në fluturim. Mos valllë don të sigurohet? Mos dëshiron të ketë shumë variante të mundshme? Pra, mos vallë Bruti është një oportunist? Kjo jo që jo! Bruti ka mendime të qarta dhe nuk mund t’ia blesh mendjen. Por ama i pëlqen kur të tjerët shprehin mendimet e tij para se t’i shprehë ai. Atëherë një mendim i atillë nuk është më vetëm mendimi i tij; por pak a shumë si një fakt zyrtar.

“Ke të drejtë, Kas. Bash ky është rreziku: që Çezari të bëhet diktator.”

 Në fakt Kasi ka qejf ta luajë rolin e kthyesit të mendimit. Kasi ka ndërmend të bëjë diçka që nuk mund ta realizojë vetëm. Për këtë mund t’i duhet Bruti. Populli e adhuron dhe e don Brutin, integriteti është sinonim për emrin e tij.

“Çezari është burrë i madh”, ia merr Kasi fjalën Brutit. “Por! Por ama ka më të mëdhenj se ai. Unë e njoh Çezarin qyshkaherë dhe më mirë se shumë të tjerë, ndaj shprehem kështu. E pashë atë në Spanjë të sëmurë dhe të mjerë, duke u dridhur prej etheve dhe duke hedhur shkelma si një fëmijë. Atëherë sapo ishte bërë gjeneral. Në dimër, e kemi prerë së bashku me not Tiberin, e po të mos ta kisha nxjerrë nga uji, ai do ishte mbytur si i shkretë. Në atë kohë ai nuk dukej si Zot. Ka më të mirë se Çezari, besomë, Brut.”

Bruti i bën bisht kësaj, mbase me burrëri. “Ky nuk është argument republikan”, i jep leksion ai, Bruti ka qejf të japë leksione. “Shteti duhet të udhëhiqet mirë edhe në një kohë, kur burrat e mëdhenj janë të rrallë. Kjo është ideja e republikës, i dashur Kas!”

“Për momentin, mungesa e aftësisë së Çezarit nuk më shqetëson aq shumë sa lakmia e tij.”

“Nuk më duket tamam ashtu”, thotë Kasi. “Kur përfytyroj Brutin në krye të shtetit…”

“Mos do të thuash”, qesh Bruti, dhe tingëllon pak therës, “mos do të thuash: për shembull një si Bruti.”

“Jo”, ia pret Kasiusi me zë të qartë. “E kam fjalën për ty. Nga përvoja e jetës sime të gjatë politike do kisha dashur një burrë si ti në krye të Romës.”

“Çështja është se republika duhet të mbrohet nga çdo lakmitar pushteti”, i bën bisht Bruti. Por nuk i bën bisht fare, veç bën demek.

Kasi e vëren se sa shumë i pëlqen kjo temë Brutit.

Të përgjuarit gjatë gjithë jetës së vet e ka bërë Kasin njohës të mirë të psikikës në distancë. S’mund të jetë e vërtetë, mendon ai, që Bruti e përfytyron për herë të parë të zërë vendin e Çezarit. Që ai të ketë kaq pak ambicie. Që kënga e gëzimit në jetën e tij e ka mbytur deri tani tonin e vrazhdë të ambicies.

Ndërkaq vjen Kaska. Po me çfarë fytyre se! “Mark Antoni me çekiç në dorë kundër republikës!” thërret ai.

“Ç’po thua kështu, Kaska?” Bruti kish dalë para Kasit – gjë që për Kasin është krejt në rregull – , i indinjuar dhe me një ton të ri, me ton ambicioz, thotë: “Unë të njoh si burrë të mprehtë, Kaska, e ti vrik me vërejtje të rrepta. Këtë s’mund ta kapërdij! Antoni është burrë i nderuar!”

“Çështja është se sa nder ka ai.”

“Vërejtje të tilla duhet të argumentohen, Kaska!”

“Çështja është se sa nder ka ai.”

“Vërejtje të tilla duhet të argumentohen, Kaska!”

“Në fund të festës Antoni shkon drejt Çezarit”, rrëfen Kaska, “e në duart e tij mban diçka, nuk e vura re se çfarë ishte, ose nuk deshta ta besoj se çka më panë sytë.”

“E çka ishte?”

“Një kurorë. Antoni ia zgjat kurorën Çezarit. Kurse populli brohoret.”

“Po Çezari?”

“Ai nuk e pranon. Por Antoni ia zgjat për herë të dytë. Këtë herë Çezari ngurron.”

“Po populli?”

“Mos pyet për popullin! Ti e njeh popullin. Një republikan nuk mund të thotë kurrë se ç’është një popull. Ai do thotë gjithnjë, se çka do bëhet një ditë me popullin. Populli nuk është i mirë, do bëhet i mirë. Troç: Populli thërret edhe me zë më të lartë: Çezar, Çezar, Çezar!”

“Po Antoni?”

“Ia zgjat kurorën Çezarit për herë të tretë. Sakaq Çezari zgjat duart. Ngurron prapë. Ndërkohë i ka shtrënguar gishtat, a thua se është duke kapur një gomë të fortë. Mandej ia kthen edhe njëherë Antonit dhe çohet në këmbë.”

“Po ju zotërinj a mendoni se kjo nuk na paska qenë e inskenuar?” pyet Kasi. “Mos ndonjëri prej jush beson se Mark Antoni e paska bërë një kurorë, mundësisht nga xhepi i vet, e në ambjentin festiv paska ngjitur shkallët për te Çezari dhe na e paska shfaqur këtë komedi qesharake para popullit të Romës – dhe e gjithë kjo pa dijeninë e Çezarit?”

“Ç’është kjo pyetje?” nevrikoset Kaska. “Unë jam burrë me përvojë!”

Bruti hesht. Po prej heshtjes së vet i flet ndërgjegjja. Dhe sot, ndërgjegjja e tij i formon një shprehje në fytyrë, ashtu siç do ta kishte formuar ndërgjegjja e repubikës fytyrën e vet, po qe se republika do kishte ndërgjegje dhe fytyrë.

“Sa për ta lidhur bisedën që patëm”, i hedh benzinë zjarrit Kasi, “dobësia më e madhe e Çezarit është sqima e tij.”

Po, Kasi i njeh njerëzit. Secili ka sqimë, ai e din këtë, të paktën secili që është i veshur me petk zyrtar. Dhe e din se, që të ushtrosh ndikim mbi një tjetër, është e këshillueshme të ndërhysh në sqimën e tij. Dhe kësaj mund t’ia dalësh më së miri duke i thënë që nuk ka sqimë. Se mandej aitij nuk do t’i bëhet vonë për rrezikun që e kërcënon.

Atypari kanë ardhur të tjerët, kanë dëgjuar çka rrëfeu Kaska, kanë dëgjuar se çka i shkoi ndërmend Kasit për këtë. Ndërkaq të gjithë i kanë hedhur sytë nga Bruti.

Ai ngurron, por mandej thotë:”Do ta mendoj këtë gjë.”

Dhe largohet.

Çezari vjen nën shoqërimin e Mark Antonit. Lojrat kanë mbaruar, popullit i është tharë gurmazi nga brohoritja.

“Kujt t’i besoj, Anton?”

“Mua.”

“Ke zënë pak dhjamë në ije.”

“Kush po e çan kokën?”

“Unë jo”, i thotë Çezari. “Nuk më pëlqejnë hollacakët.”

Antoni gëzon respekt të madh nga ana e Çezarit dhe e popullit.

Skeptikët tallen se ai na qëndruaka nën hijen e Çezarit. Por Antoni s’ka pse të druhet nga hija e Çezarit. Ai mund të thotë për veten, e madje aq fort sa ta dëgjojnë të gjithë: Unë jam shërbëtori i parë i Çezarit. Kurrnjëri, të cilit zilia nuk ia ka bërë shikimin e mbrapshtë, nuk do të shikonte ndonjëherë një shërbëtor te Mark Antoni. Kushdo e din, mbase Antoni është më i vogël se Çezari, por ama shumë më i madh se hija e tij. Ai është gjeneral, ushtarët e duan, Çezari ka besim tek ai. As edhe njëherë të vetme ne jetën e tij nuk i është dashur të pëshpëritë. Çka ka për të thënë, e thotë me zë të lartë. Për çështje ushtarake Mark Antoni është këshilltari i parë i Çezarit. Për probleme civile Çezari parapëlqen të këshillohet me Brutin.

Të paktën kështu i ka ndarë deri tani. Kohët e fundit Bruti po i bën bisht.

“Ai atje nuk më pëlqen”, thotë Çezari.

“Për kë e ke fjalën? Për Kasin? Është i patëkeq. Një senator i zellshëm.”

“Ai është hollacak. A nuk e vëren? Dhe ka një shikim të zbrazët. Më duket se lexon tepër. Burra të tillë janë të rrezikshëm.”

“Pse e harxhon kohën duke menduar për të?” ia pret Antoni me zë kumbues. “Po ta vinim këtë Kasin mbi shpatullat e tua, nuk do të arrinte as deri te gusha jote!”

A e din Antoni që Kasi mund të dëgjojë çdo fjalë të tijën? Apo mos e bën me qëllim? Ndoshta s’i bëhet vonë për të. Kasi është i hidhëruar. Kaska është i hidhëruar. Ata kurdisin një komplot. Po e kurdisin qyshkur. Planet e tyre janë të parëndësishme. Ngaqë nuk janë reale. Ngaqë secilit prej tyre i duhet një i dytë. Por asnjëri nuk mund t’i shërbejë tjetrit në këtë pikë. Ndërkaq, për herë të parë, shohin një shans të rrallë për t’i vënë planet në vijë.

“Në qoftë se nuk ia dalim ta bëjmë për vete Brutin, atëherë së shpejti nuk do të ekzistojmë më.”

Bëhet fjalë për vrasje. Ata e quajnë vrasje tirani. Por e dinë, nëse ata ose një nga skeptikët do t’ia ngulte kamën, kurrënjëri s’do të fliste për vrasje tirani. Të gjithë do thoshin: Ishte vrasje. Thjesht vetëm vrasje. Vrasje nga xhelozia. Vrasje nga mllefi. Vrasje nga lakmia për pushtet. Por nëse ia ngul një Brut, atëherë do thonë: S’kishte rrugë tjetër. Iu desht ta bënte. Ia kishte borxh ndërgjegjes së vet. Mandej nuk do të quhet vrasje, por ndryshe. Bruti, do thonë, nuk e ka vrarë Çezarin, ai ka çliruar Romën nga Çezari. Kështu pak a shumë.

“Brutit i pëlqen, kur tjetri shpreh atë çka mendon ai”, thotë Kasi. “Dërgoni dikë në shtëpinë e tij! Populli duhet t’i shkruajë letra. Ato hidhjani në dhomë! Populli duhet të thotë që mendon ashtu si ai. Dhe që don një njeri si Bruti.”

Komplotistët takohen natën. Kaska, gjatë rrugës për në takimin e fshehtë, takon senatorin e vjetër dhe shumë të nderuar, Ciceronin.

“Natë e çuditshme, a nuk ju duket, senator?”

“Pak zagushi, e çka tjetër?”

“Zagushi në mars?”

“Kjo s’është e jashtëzakonshme. Dhe aspak e çuditshme.”

“Thonë se po mblidhen re stuhie.”

“Po, kjo ndodh në mars.”

“Por një stuhi si kurrë më parë.”

“S’ka mot që t’mos ketë pasur kurrë.”

“Po ndodh diçka e paparë, thonë. Paskan parë luanë në mes të rrugës. Paskan parë burra që digjen. Po vërshojnë drejt vendeve. Natyrës po i prishet qetësia.”

“Po a na paska natyra ndonjë qëllim?” e pyet Ciceroni. “Çka mendon ti?” Fjalimeve të tij ua kanë frikën në senat. Me një vërejtje ironike të vetme mund të rrëzojë ndërtesa retorike dhe të përdorura.

“Po na njoftojnë për ndryshime të mëdha”, i merret goja Kaskës.

“Çka po ndryshon?”

“Roma.”

“Dy gjëra kam mësuar në jetën time”, zgërdheshet Ciceron plaku. “E para: S’ka rëndësi se ç’lojë na bën natyra, ajo nuk e bën për ne. E dyta: S’ka rëndësi se ç’lojë bën natyra, gjithnjë del dikush që rreket ta përdorë për qëllimet e veta.”

Kaska heq dorë: Ciceronin nuk mund ta bësh për vetë për çështjen e komplotistëve, atë jo.

Brutin nuk e zë gjumi këtë natë. Mendimtari fisnik po mendon.

“Çezari është treguar gjithnjë i njerëzishëm ndaj meje. Madje ka pasur simpati për mua. S’kam vërejtje për të.” – Ky është mendimi i parë.

Ndërsa i dyti: “Çezari duhet të jetë i barabartë në mes të barabartëve. Kështu e kërkon kushtetuta. Pushteti i është dhënë nga populli. Në thelb pushteti nuk është gjë e keqe.”

Ja edhe mendimi i tretë: “A e ka keqpërdorur Çezari deri tani pushtetin e tij? Jo!”

E ndërkaq vijon mendimi i katërt dhe vendimtar i Brutit: “A do të kishte gjasa që Çezari ta keqpërdorte ndonjëherë pushtetin e tij? Po!”

Le të ndalemi këtu: Mendimi i katërt shënjon shndërrimin nga Brut mendimtar në Brut ideolog.

Vepra e ideologëve bazohet në mënyrën kushtore: A do të kishte gjasa që…

“Po” mendon se e kupton Bruti, “do të kishte! Do të kishte gjasa që Çezari të mos e refuzonte kurorën, sikur Antoni t’ia kishte zgjatur për herë të katërt. Sidoqoftë, kjo mundësi iu dha. Dhe le ta zëmë se pas herës së katërt Çezari do ta kishte vënë mbi kokë kurorën, a do të kishte gjasa mandej që ta shkelte republikën? Po, do të kishte!”

Kushtorja është një mënyrë e nëmur. Ajo është mënyra e dyshuesit fisnik. Dyshuesi është me skrupuj. Mendjemadhësia është e huaj për të. Dyshuesi edhe veten e tij e vë në pyetje. I lë të tjerët të vlejnë ashtu si vetja. Dyshuesi i don njerëzit. Kushtorja është mënyra e të folurit për atë që i don njerëzit. – Po ideologu çka bën? Ai e merr hua petkun e njeriut të dashur, zharget në të, a thua se e mundshmja peshon më shumë se realiteti. A thua se një krim, që mund ta bënte dikush, do të ishte më i keq se krimi që sapo është bërë. Madje ideologu mundet edhe ta argumentojë. Çka ka ndodhë, argumenton ai, ka ndodhë, ka kaluar, nuk i dhemb askujt. Çka mund të ndodhte; kurse kjo i përket së ardhmes, kjo duhet të shmanget. Kësisoj, ngaqë mëton se shqetësohet për të ardhmen, ideologu e don kushtoren.

Po Bruti mund të thoshte thjesht: Çezari duhet të largohet! Unë jam më i mirë! Unë dua të jem i barabarti në mes të barabartëve! Unë e dua pushtetin! Pra ta therim! Natyrisht që një mendim i tillë për një mendje të hollë si Bruti do ishte i papërballueshëm. Po kush është ai që i nxjerr mendimet lakuriq! Pra silleni petkun! I veshur me kushtoren ideologjike, mendimi thelbësor është ndryshe, pra: “Unë e dua Çezarin. Por urrej se ç’do mund të bëhej me të.”

Më në fund, kur u sos nata, mendimtari mezi arriti në një vendim. Askush mos të thotë se e ka pasur të lehtë! Veç kësaj, disa letra anonime kanë fluturuar nga dritarja. Po Bruti nuk është leshko. Ai e din mirë se kush i dërgon – Kaska dhe Kasi. Po natyrisht, ka edhe gjasa që të mos jenë ata! Po ka gjasa që vërtet të bëhet fjalë për zërin e popullit. Ndërsa në këto letra anonime shkruhet se Bruti na qenka për pozitë të lartë… – Epo, kush e thotë pra!

Kasi, i cili i njeh njerëzit, sidomos ata që janë në tundim e sipër, e din që nuk mund të presësh iniciativë prej një njeriu që mezi ka arritë me vetëmohim në vendimin e vrasjes së tiranit, të paktën jo tash për tash. Ai don që t’i luten. Don që ta cytin. Dëshiron të thotë: Pa shikoni, unë jam me skrupuj, personalisht as që do doja, por mirëqenia e përgjithshme na urdhëron, e kështu me radhë…

“A të luajmë me mirëqenien e përgjithshme”, u thotë Kasi shokëve në orët e para të mëngjesit. “Çohemi, të shkojmë e ta takojmë Brutin tonë!”

Bruti i pret ata me vështrime fisnike. “Po”, u thotë ai, “më keni bindur, unë jam me ju.”

I bindur? Kush dhe për çka e kanë bindur Brutin? Fjala vrasje nuk është shprehur qoftë edhe njëherë të vetme. Kasit i duhet ta fshehë zgërdheshjen. Pra edhe dikush që njeh vetëm diellin na paska ambicie! A e ka pritur Bruti bash kështu Kasin sikundër e ka pritur Kasi Brutin? Pra edhe atij iu dashka dikush pranë vetes?

“Epo mirë”, thotë Kasi, “atëherë le të betohemi!” – Dometënë, bashkë e bëjmë, bashkë e pësojmë. Po qe se planin e merr lumi. Ose po qe se mendimtari don ta mendojë edhe njëherë.

“Jo, pa betim!” kundërshton Bruti. “Pash’ atë Zot! Po unë nuk jam komplotist. Ajo çka po bëj është një lloj…pastrimi.”

“Pastrimi?” e pyet Kasi.

“Po është vrasje”, i thotë Kaska.

“Mos e përmend këtë fjalë!” e urdhëron Bruti.

“Epo mirë, për mua është pastrim.” Pak nga pak Kasi bëhet i padurueshëm. “Kryesorja është që ti të jesh me ne. Ndërkohë, meqë ra fjala, edhe Mark Antonin duhet… ta pastrojmë.”

“Jo!” kundërshton prapë Bruti. “Ne do rrëzojmë kreun, vetëm kreun. Kur të rrëzohet kreu, mandej rrëzohen edhe gjymtyrët. Dhe s’e kemi fjalën këtu për kreun në kuptimin e kokës. Por të mendjes. Në mendjen e Çezarit zien mundësia që ai ta zhdukë republikën. Veç për mendjen e tij e kemi fjalën. Se në fakt nuk duam të derdhim gjak, apo?”

A i rrudhi vetullat ndopak zoti Brut? Kasit i duket se e ka parë tamam. “Natyrisht, Brut”, i thotë ai, “vetëm mendjen, natyrisht vetëm mendjen!”

“Dhe në mendje s’ka hiç gjak, me sa di unë”, thotë Kaska.

“Sikur të mundnim t’ia vrisnim vetëm mendjen”, vijon Bruti me hollësitë e tij, “patjetër që do t’ia falnim jetën Çezarit! Apo jo?”

“E qysh se!”

“Por mjerisht mendja është në kokë dhe koka është e lidhur me trupin, kështu që duhet patjetër të derdhim gjak. Megjithëse nuk e duam hiç këtë gjë. Apo jo?”

“Po sigurisht”, thotë Kasi.

“Po sigurisht”, thotë Kaska.

Edhe të tjerët mendojnë bash kështu. “Mendojmë bash kështu si ti, Brut”, i thonë ata.

Plani është përpunar me kohë. Nuk është i zorshëm. Gjëja kyesore është që Çezari të hyjë në senat. Për të qenë të sigurtë, njëri duhet ta marrë atë me vete. Por një gjë e shestojnë me siguri, bile në urdhërore, jo në kushtore: Kur të vijë çasti i duhur, çdo pjesëmarrës duhet t’ia ngulë thikën Çezarit. Askush nuk duhet të bëjë fjalë mbrapa.

Çezari ka fjetur pak. Kohët e fundit po fle pak, zgjohet kur është ende terr. Mandej bën ecejake nëpër shtëpi dhe pret në kopsht deri sa të lind dielli. Sot ka fjetur keq edhe gruaja e tij.

“Kam parë në ëndërr diçka të çuditshme”, i thotë ajo.

“Ma trego!”

“Nuk më kujtohet. Veç ndjesia e ëndrrës më ka ngelur. Ishte ankth.”

“Nga se kishe ankth në ëndërr?” e pyet Çezari.

“Mos shko sot në senat!” i lutet gruaja. “Ka për të ndodhur diçka!”

“Frikacaku vdes shumë herë para se të vdesë me të vërtetë.”

“Ke korrur një fitore të madhe kundër Pompeut”, i thotë ajo. “Kushdo do e kuptojë, po të rrish sot në shtëpi. Bëje për mua!

Çezari e don gruan e tij. “Mirë”, i thotë “do bëhet si të duash ti.”

Ndërkaq njoftohet senatori Decius. Ai vjen me marrë me vete Çezarin. Diçka e pazakontë. Senati dëshiron t’ju shprehë nderimet e tij, i thotë Deciusi.

Çezari është në humor të mirë. “Po ç’burra jemi ne!” i thotë ai. “A nuk mendojmë qoftë edhe një çast për hallet dhe dëshirat e grave tona? Jo. E nga ana tjetër i mëshojmë herë pas here se shqetësimi ynë është për popullin. Por ama gratë tona janë populli. I dashur Decius, njofto senatin se Çezari nuk do të paraqitet sot.”

“Po rri në shtëpi?”

“Kështu është puna.”

“Po ç’arsye duhet t’i paraqes senatit?”

“Kështu don gruaja ime.”

“Kuptoj”, i thotë Decius. “E si ta them unë këtë me fjalë të tjera para…senatit?”

“Po pse ta thuash me fjalë të tjera? Mos jam gjë nxënës unë, që gjen një rrenë sepse ka ndërmend të mungojë në shkollë? Unë jam Çezari! Thuaji senatit të vërtetën! Gruaja ime ka parë ëndërr të keqe, e kështu që po rri në shtëpi.”

“Kështu ta them? Çezarin e madh e urdhëron gruaja e tij të mos vijë në senat, ngaqë ajo ka parë ëndërr të keqe. Kështu ta them?”

Jo, kështu nuk mund të thuhet. Komplotistët kanë zgjedhur Deciusin për ta marrë Çezarin, sepse Deciusi ka gjuhë të shkathët. Ai të jep të drejtë për gjithçka, e në fund ti bën bash të kundërtën e asaj që ke dashur të bësh. Edhe me Çezarin nuk ndodh ndryshe. Ai e shkel premtimin.

Para senatit presin hallexhinjtë. Kështu e kanë zakon. Çezari nuk i zbraps. S’e ka bërë kurrë. Këto takime me popullin ishte ideja e tij. Ai del para njerëzve, i këqyr në sy dhe mban vesh. Por nuk u bën lajka atyre. Çezari ka këshilltarë, e ata kanë bërë studime dhe kanë dalë në përfundimin që njeriu e humb besimin, po të mos e kundërshtosh asnjëherë dhe që nuk ia vë veshin shumë fjalëve të atij që i jep gjithnjë të drejtë. Ndodh shpesh që Çezari e din emrin e hallexhiut. Ai i thotë: “Si po ia çon, Kuintus Marulus? Kam dëgjuar se është futur uji në punishten tënde të poçarisë.” Mandej Kuintus Marulus nuk e mbylli gojën për një çerek ore duke harruar se çka kishte ndërmend t’i thoshte Çezarit dhe tani e tutje do bëhet copë-copë për të; mburret ai që ç’ke me të. “Çezari na njeh dhe qan hallet tona”, rrëfen ai gjithandej tani e tutje. Kurse njerëzit thonë:”Ka kaq shumë gjëra për të bërë ky burrë i madh, bën luftëra ngadhënjimtare, e nga ana tjetër na njihka ne njerëzit e vegjël dhe qan hallet tona!” – Cili është rrengu? Çezari ka vënë në punë një tufë burrash që s’bëjnë gjë tjetër veçse hapin sytë e veshët nëpër qytet. E mandej, kur Çezari ngjit shkallët e senatit përmes radhës sëhallexhinjve, këta burra i afrohen dhe ia japin informacionet që kanë mbledhur. Për shembull:” Ai burri me tullë atje tej është Kuintus Marulus, para tre ditësh i është futur uji në punishten e poçarisë.”

Edhe sot Çezari s’ka si t’ia bëjë ndryshe. Komplotistët kafshojnë buzët, janë të padurueshëm, mezi po presin ta pastrojnë Romën.

Mandej vjen edhe dikush që kërkon diçka, mandej edhe një tjetër, mandej prapë një tjetër.

Ndërsa në fund të radhës qëndron filozofi Artemidor. Ai njihet prej që së largu.

“Ti e di, unë e vlerësoj dhe e nderoj filozofinë”, i thotë Çezari. “Më thuaj ç’ke nevojë, Artemidor!”

“S’kam nevojë për asgjë”, i përgjigjet filozofi. “Filozofia ime qëndron te ideja që t’i ndihmoj njerëzit se si të dalin me pak mundim nga situatat e vështira. Kam një letër për ty, Çezar, dua ta jap. Lexoje!”

“Më thuaj me një fjali se ç’shkruhet në letër, e unë të them se kur do ta lexoj.”

“Ka të bëjë me ty, me jetën tënde, Çezar.”

“Atëherë po e lexoj në fund të ditës. Çezari vjen i fundit.”

Çezari është i madh. Kështu mendon kushdo. Edhe ata që duan ta vrasin mendojnë kështu. Edhe vetë Çezari mendon se Çezari është i madh. Por ngaqë Çezari nuk mund ta shohë Çezarin, ngaqë nuk mund t’i vijë rrotull vetes, ta shohë veten nga njëra anë, e mandej nga ana tjetër; ngaqë Çezari nuk mund t’i bëjë bisht Çezarit dhe ngaqë e gjen kudo që të jetë ai, mendon Çezari kur thotë që Çezari është i madh, që është më se i madh dhe përgjithmonë i pavdekshëm. Veç kështu mund t’ia dalë thjeshtësisë së tij vetëmohuese.

Artemidori, në atë letër, kishte zbuluar komplotin. Çezari nuk ka për ta lexuar letrën. Se nuk ka për ta përjetuar fundin e ditës. Çezari do ta marrë vesh se hapësira që ai ka në botë nuk shkon më tej se hapësira e çdo njeriu tjetër.

Kur më në fund Çezari hyn në senat, vjen Metelus Simber, njëri nga komplotistët, duke vrapuar drejt tij. “Edhe unë kam një lutje”, i thotë ai. “Ti ke çuar vëllanë tim në syrgjyn.”

“Po, e kam çuar”, i gjegjet Çezari.

“Liroje atë!” Mentel Simber gjunjëzohet para Çezarit.

“Jo”, i thotë Çezari, “këtë nuk e bëj. Dhe po ta shpjegoj pse. Nëse do ta liroja vëllanë tënd, veç sepse ti po më bie në gjunjë dhe po më lëpihesh, Mentel, atëherë do më duhej të pohoja që unë e kam syrgjynosur vëllanë tënd pa arsye bindëse. Sepse, nëse dikë që e kanë çuar në syrgjyn, të tjerët mund ta kthejnë me servilosje, atëherë atë e kanë çuar pa të drejtë në syrgjyn. Vëllau yt ka bërë krime, të cilat një servilosje nuk u bën mirë. Pra çohu! Lutja jote nuk pranohet.”

“Atëherë ti duhet të vdesësh!”

Mentel Simber nxjerr kamën dhe ia ngul Çezarit. Ky është sinjali. Ndërkaq e therin të gjithë. Në fund Bruti.

Më vonë do thonë se në të vërtetë Çezari nuk vdiq prej therjeve të shumta, por prej zemrës së thyer, ngaqë ai e ka dashur Brutin si birin e tij.

Ja tek është ai. I vdekur. Çezari i madh po dergjet në gjak. Komplotistëst e mbyllin sallën.

“Ç’do të bëhet kur populli të marrë vesh se ç’ka ngjarë?”

Bruti thotë: “Unë do dal jashtë dhe do ia shpjegoj çështjen popullit.”

Mos vallë gjithçka ecën sipas planit?! Tamam, ashtu siç e kish marrë me mend Kasi. Ndërgjegjja e popullit po i flet popullit. Kasin dhe Kaskën s’ka pse ta shohë populli.

Ndërkaq dëgjohet një oshëtimë zërash. Mark Antoni hyn në senat. Ai ende nuk e din se ç’ka ngjarë, vetëm se nuk don që portat e senatit të mbyllen prapa Çezarit. Mandej e shikon Çezarin që dergjet në gjak.

Askush nuk ka nerva më të forta se Mark Antoni.

“Mendoj se”, u thotë ai, “kishit arsye.”

“I kemi”, ia pret Bruti.

“E do të m’i thoni shkoqur arsyet tuaja.”

“Ty? E pse pikërisht ty?” mundohet Simber me ton shpotitës.

Antoni s’ia var atij. Ai flet vetëm me Brutin. “Apo mos doni t’më vrisni edhe mua?”

Ndërkaq shpërthen Kasiusi: “Po! Unë isha dakord. Dhe jam ende dakord! Ti nuk je ai burri i madh për të cilin e mban veten, Anton! Tash je i vetëm këtu. Nuk ke rreth e rrotull ushtarë që të mbrojnë.”

“Epo më vrit pra!” thotë i qetë Antoni, me shikimin prapë nga Bruti. “Do ishte nder për mua të vdes në të njëjtën orë me Çezarin.”

“Askush s’ka me të ba keq ty”, i thotë Bruti, që thua se u bë i barabarti në mes të barabartëve.

“Mirë, atëherë po t’kërkoj vetëm një gjë.”

Kjo e tërbon tej mase Kasin, kjo qetësi, kjo gjakftohtësi – kjo madhështi! “E çfarë kërkon?”

“Çfarë kërkon?” e pyet ndërkaq edhe Bruti, se pyetjes së Kasiusit Antoni nuk iu përgjigj.

“Më lejo të mbaj fjalimin e përmortshëm. Para popullit. Ai e meriton këtë.”

Kasi i vikat Brutit: “Këtë s’do t’ia lejosh! Antoni do ta kthejë popullin kundër nesh!”

Por Bruti e kap Kasin mënjanë. “Mark Antoni më është drejtuar me një kërkesë, e Mark Antoni ka luftuar për nderin e Romës. Kërkesa e tij pranohet. Por! Duhet të jetë fjalim i përmortshëm dhe jo akuzë. S’duhet të na gjykosh, Mark Antoni! Po natyrisht, do dal vetë i pari të flas para popullit të Romës.”

A mos kishte këtu ndonjë shenjë përuljeje? Mark Antoni i hekurt u përulka para Brutit, mendimtarit në kushtore? Mbase e kemi ngatërruar. Biseda fisnike e të dyve e bën të sëmurë Kasin.

“Po bën një gabim”, e paralajmëron ai Brutin.

Por ndërkohë edhe Bruti shikon përtej tij, a thua se ai nuk është aty.

Bruti i drejtohet popullit të Romës. Atë çka ka menduar në kushtore, e shpreh ndërkaq në urdhërore: Që Çezari ishte burrë i madh. Që Çezari e ka dashur atë, Brutin. Që ai, Bruti, e ka dashur Çezarin. Që ai, Bruti, e don Romën. Që në Romë sundon populli.

Që Çezari donte ta shkelte republikën. Që mandej populli do ishte skllavëruar. Që ky ishte shqetësimi i tij, i Brutit. Që mjerisht mendja banuaka në kokë, por koka rri ulur mbi trup. E të tjera. Dhe në fund: “Kemi çliruar Romën nga tirani.”

Po populli? I brohoret Brutit.

Si ka mundësi? Fillimisht i brohoret Çezarit, tash vrasësit të tij. Populli është një kallabllëk i çuditshëm. Kur populli është i qetë, atëherë ka veç njerëz që bëjnë sehir. Por zhurma është diçka amorfe. Se zhurma ka vetëm dy gjendje: tërbim ose brohoritje. Mirëpo populli nuk zgjedh. Ai merr çka i ofrohet. Bruti ofroi brohoritje, kurse populli brohoriti.

Ndërkaq Antoni del në shkallët e senatit.

“Bashkëqytetarë! Miq! Romakë! Më dëgjoni!”

Bruti na paska qenë i përzemërt që e ka lënë atë t’i thotë dy fjalë lamtumire Çezarit. Çezari paska bërë vërtet shumë të këqija, ndaj paska qenë e drejtë të vritej. Bruti na menduaka se Çezari paska pasur lakmi për pushtet, e kur e menduaka Bruti, na qenka krejt e vërtetë – “se Bruti është një burrë i nderuar!” Çezari kish çuar shumë të burgosur në Romë nga luftërat e tij dhe i kish shitur për të shtuar të ardhurat e Romës, sikundër e dinë të gjithë, gjë që nuk dukej si lakmi për pushtet,por Bruti na thotë që Çezari paska pasur lakmi për pushtet, pra duhet të jetë e vërtetë – “sepse Bruti është një burrë i nderuar!” Ai vetë, Antoni, e kish parë Çezarin tek qante, kur kishte dëgjuar për vuajtjet e një qytetari romak, gjë që edhe kjo nuk tregonte asnjë shenjë lakmie për pushtet. Mandej, Antoni, donte t’ua kujtonte edhe faktin se ai ia kish drejtuar Çezarit tri herë kurorën, të cilën Çezari nuk e kish pranuar të tri herët; nëse kjo është lakmi për pushtet, epo, mbase na qenka lakmi për pushtet, se Bruti mendon që kjo është lakmi për pushtet – “e Bruti është një burrë i nderuar!” Pikërisht dje, Antoni kish parë testamentin e Çezarit, që mjerisht tash për tash nuk do mund ta lexonte, se po ta dinin qytetarët e Romës çfarë kish dekretuar Çezari në testamentin e tij, epo mirë, do ta lexonte, aty qe shkruar që Çezari ia dhuron kopshtet e tij popullit të Romës, që aty të mund të luajnë nënat me fëmijët e tyre, që të dashuruarit të bëjnë shëtitje dhe që pleqtë të gjejnë qetësi. “Ky ishte Çezari! Por këta këtu, vrasësit e tij, mendojnë se ai na paska qenë një tiran me lakmi për pushtet. Jua lë juve, popullit të Romës, ta gjykoni nëse kanë të drejtë apo jo!”

Bruti sapo kish marrë arratinë. Bashkë me të Kasi dhe Kaska, edhe të tjerët. Mark Antoni i ofroi tërbim popullit, dhe populli zgjodhi tërbimin. Kësaj here nuk po brohoret, kësaj here po ulërin për hakmarrje. Vdekja e Çezarit duhet të shpaguhet! Ndërkohë komplotistët e kuptuan që bëma e tyre mbaroi.

Antoni bashkohet me Oktavianin dhe Lepiosin. Vihen në kërkim të komplotistëve. I vrasin. Kasi vret veten. Bruti vret veten.

Ngadhënjimtarët e ndajnë pushtetin. Lepiosit i duhet të gjejë barazpeshën mes Antonit dhe Oktavianit; por Lepiosi është i dobët, ai përdoret si kukull, dhe e din këtë. Oktaviani është një burokrat me buzë të holla dhe i padepërtueshëm. Mark Antoni shkëlqen mbi të gjithë. Antoni i don njerëzit, i don gratë, e don ushqimin e mirë dhe verën e mirë. Oktaviani don vetëm pushtetin. Ky është avantazh, nëse do ta marrësh dhe ta mbash i vetëm pushtetin. Në fund ia del Oktaviani, duke i nxjerrë jashtë loje si Lepiosin ashtu edhe Antonin. Procesi ngadhënjyes merr fund.

Oktaviani kurorëzohet perandor. Ai quhet August.

Michael Köhlmeier
Përktheu nga origjinali: Ervin Lani