Kalashët e zinj të Pakistanit dhe argonautika e polifonisë

Kalashët, ose kafirët, janë një popullsi mjaft e veçantë e cila gjendet në krahinën e Kafiristanit, e ndarë midis Afganistanit dhe Pakistanit në luginën e Pamirit të vargmaleve Hindokush. Kafiristan (vend i të pafeve), është emri që myslimanët ja kanë dhënë prej kohësh kësaj krahine – për shkak të dokeve fetare politeiste të banorëve të saj. Megjithatë ky emër u ndërrua nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë si pasojë e xhihadit që u ndërmor kundër banorëve të krahinës në fjalë. Sipas Debra Denkerit: “Prej 1895 deri më 1898, Abdur Rrahmani, emiri i Afganistanit, zhvilloi fushata luftarake për nënshtrimin e të “pafeve” të Kafiristanit, dhe i ktheu (në islamizëm) me shpatë në dorë. Ai ia ndryshoi emrin vendit në Nuristan, “vendi i dritës”, dhe e aneksoi. (1)

Na duhet të themi që jo të gjithë kalashët u kthyen në islamizëm, por vetëm ata të cilët ndodhen në tokën afgane. Kalashët që jetojnë në Pakistan, të cilët quhen kalashët e zinj, i shpëtuan pasojave të xhihadit të lartpërmendur, sepse në atë kohë krahina e tyre ndodhej nën protektoratin britanik. Kalashët, në përgjithësi, janë një popull ku spikasin veçori të rracës së bardhë (nuk janë të rrallë flokët e çelët dhe sytë e kaltër), të cilat nuk i gjejmë në vendet përreth. Këto veçori, mes të tjerash, kanë shtyrë shumë hulumtues të mendojnë se kalashët janë pasardhës e ushtarëve të Lekës së Madh, të nisur për të pushtuar Indinë.

Ka shumë tregues të cilët e afrojnë fenë e kalashëve me mitologjinë pellazge (të ashtuquajtur greke). Dihet tashmë se hieroret pellazge, ashtu si edhe ato kelte parapëlqenin praninë e pemës së lisit. Vivian Lievrë dhe Zhan-Iv Lud, na thonë për sa i përket shenjtëroreve kalashe, se:  “Kurdoherë mbi lugina, në lartësi, të fshehur nga lisat dhe larg shtigjeve të të huajve të padëshirueshëm, ngrihen shenjtëroret kushtuar hyjve meshkuj, ndërmjetës midis krijuesit Dezao-Khodai (2) dhe njerëzve.(3)”  Për më tepër, në Pakistan, e pikërisht në qytetin e Sirkapit, gjenden gjithashtu altarë të cilët quhen: “altarët e shqipes dykrenare”, fryt i ndikimeve kulturoro-fetare të ushtrive e Aleksandrit të Madh. Këta dy simbole, lisi dhe shqipja dykrenare (kjo e fundit e pranishme në flamurin shqiptar), janë të lidhur ngushtë me hieroren më të vjetër pellazge të Zeusit në Dodonën e Epirit (nga pellazgo-shqipja: i epër). Edvin Xhak pohon se: Dy simbole kishin të bënin me Dodonën. I pari ishte shqiponja. Në gërmimet e bëra në vitin 1875, Karapanosi zbuloi – të gdhendur në gurin e tempullit – një shqipe dykrenare të cilën të lashtët e mbanin si lajmësen e Zeusit. …Nje tjetër simbol i lidhur me Dodonën ishte lisi i shenjtë, që mbushte vendin, dhe përmes gjetheve të të cilit, të fryra nga era, Zeusi shfaqte vullnetin e tij.(4)”

Hyjnia kryesore e kalashëve është Dezao. Le të mendojmë pak për fjalët shqipe Zâ (zan) gegërisht dhe Zë toskërisht, të cilat përbëjnë rrënjën e fjalës Zeus (5). Gegët katolikë shqiptarë e quajnë “zotin tonë” Tenzo, fjalë kjo shumë e ngjashme me Dezao. Fjala kalashe për hyjnitë e vjetra është Diu. Në shqip kjo mund të shpjegohet nga toskërishtja “di-u (unë di)”. Emri i “djaloshit të dlirë” Sardan, është i pranishëm në ritet kalashe dhe ky emër na kujton sardët pellazgjikë. Një tjetër hyjni kalashe quhet Mahandeo dhe a nuk i përshtatet ky emrit maqedon, kujtim i kalimit të ushtarëve të Lekës së Madh ? Për më tepër, kalashët janë të ndërgjegjshëm për faktin se ata nuk janë vendas në tokat ku banojnë. Ata flasin shpesh për një vend të panjohur të cilin ata e quajnë (Tsiam) Ciam. Në lidhje me festivalin ritual kalash të Kaomosit, Debra Denker na thotë se: “Festivali i Kaomosit nderon Balomanin, një gjysëmhy përrallor që jetonte mes kalashëve dhe që kishte bërë vepra heroike. Një herë për çdo vit, gjatë Kaomosit, fryma e Balomanit përshkon luginat, numëron kalashët dhe mbledh lutjet që ata i drejtojnë Dezaos. Pastaj ai “i shpie” ato ne Ciam, vendin mitik të prejardhjes së kalashëve. (6).”

Askush nga kalashët nuk është në gjendje të thotë se ku ndodhet Ciami i vërtetë. Vivian Lievrë dhe Zhan-Iv Lud na pohojnë: “Ciami, vendndodhja e territorit të parë kalash është e paqartë. Nga ana etimologjike ky emër nuk përputhet me asgjë bashkëkohore. (7)

Në lidhje me prejardhjen e kultit të Dezaos, shamanët kalashë thonë: “Tradita filloi në Ciam prej nga ku edhe u përhap më pas. (8”.

Le ti hedhim një sy krahinës shqiptare të Camërisë (ku rrjedh lumi mitik Thiam) që ndodhet sot në veri të Greqisë, te banorët e së cilës gjejmë një shumëzërësh të veçantë i cili renditet si pjesë e stilit shqiptar tosk. Shenjtërorja e Zeusit pellazgjik të Dodonës ndodhet në këtë krahinë të Epirit dhe sa për festivalin e lartpërmendur të Kaomosit tek kalashët, mund të nënvizojmë faktin se kaonët ishin një fis i lashtë pellazgo-epirot. Ashtu siç na e vë në dukje edhe Aristidh Kola, është vetë Ballkani pellazgjik, i simbolizuar nga ky emër ciam, (thiam, çam) – që na kujton krahinën rreth shenjtërores së Dodonës – vendi i prejardhjes së kalashëve, ku dhe nisi kulti i Zeus-Dezaos. (9)

Por prania pellazge vërehet në këto krahina aziatike shumë kohë përpara vetë Lekës së Madh. Arriani na flet për banorët lëkurëçelët të qytetit Nisa, përtej lumit Indus, të cilët i pohuan Lekës së Madh se të parët e tyre kishin ardhur me Dionisin kur ky kish pushtuar Indinë: “Nisasit nuk janë të rracës indiane, por janë pjesë e atyre të cilët u nisën me Dionisin në Indi, ndoshta grekë… . (10)”  P. A. Brunt, shpjegon se: “Nisasit janë pa dyshim jo indianë, përderisa rrjedhin nga Dionisi, sugjerimi që ata janë ndoshta grekë, tregon plotësisht se nuk kishte asnjë provë tjetër të prejardhjes së tyre greke. (11)”.

 Pra banorët e Nisës s’janë gjë tjetër veç se pellazgë parahelenë të nisur me një prijës anonim, të simbolizuar nga hyu Dionis (mund edhe ta deshifronim lehtësisht, po të duam, me anë të shqipes enigmën e këtij emri di-u-nis “di unë ku ju nis”), për të pushtimin e parë pellazgjik të Indisë, shumë më përpara se pellazgo-maqedoni Aleksandër i Madh. Një nga emrat e tjerë të pellazgëve: pelarg, shpjegohet falë shqipes: “pjellë bardh” (12) pra lindur i bardhë – mos të harrojmë veçoritë rracore te sipërpërmendura të kalashëve. Nga ana tjetër, për sa ka të bëjë me veçoritë fizike jo europiane të helenëve të vërtetë të simbolizuar nga Danai egjiptian dhe bijat e tij, lexojmë tek Lutëset e Eskilit fjalët e Pellazgut, mbretit të Argut, drejtuar vajzave të Danait:

Me gratë e Libisë ngjasoni sa më s’ka,

Por s’ngjani kurrsesi me gratë e këtushme.

Krijesa të tilla veç Nili mund të rrisë.

Përmbi fytyrat tuaja dallohen gjithashtu

Si vulë e të parëve tiparet qipriote.

Indianet endacake, që bredhin pa pushim

Kufijve të Etiopit kaluar mbi deve, …(13)

Ata që, me kokëfortësi, mbështesin hamendjen se ardhacakët e parë helenë në tokën e pellazgëve ishin të rracës evropiane – duke mohuar kështu rrenjët semito-egjiptiane të helenëve (Kadmi, Pelopsi, Danai) – rrezikojnë të shfaqin, ndoshta pa dashur, simptomat e një antisemitizmi naiv. Aq më tepër që edhe vetë gjuha greke mban një vulë fenikase, të paktën në alfabetin e saj dhe se fillimet e shoqërisë, artit, dhe kulturës helene në përgjithësi, mbas periudhës së “shekujve të errët”, që pasojnë periudhën pellazgjike mikenase, janë të mbingarkuar me elementë orientalë (vula afro-aziatike duket ende qartë edhe në pamjen fizike të grekëve të sotëm).

Përsëri edhe diçka tjetër mbi altarët kalashë. Dimë se fytyrat e kuajve janë të gjithëpranishme. Jaap Kunst pikaste elementin ilir zbukurues të kalit në shumë kultura popujsh të shtrirë nga Ballkani deri në Indonezi. (14)

Eshtë, pa dyshim, kali elementi ushtarak që u siguroi fitoren ekspeditave pellazge në Indi, kohë përpara Lekës së Madh. Dhe pikërisht është fjala shqipe kalë ajo që ndoshta zgjidh edhe enigmën e emrit kalash: njerëz me kalë, kalorës.

Le të shohim tani disa ngjashmëri të shumëzërëshit kalash me shumëzërëshat e tjerë me prejardhje pellazge. (15) Në shembullin muzikor 1 hasim një këngë kalashe anhemitonike me dy zëra (sol-la-si-re në zërin e sipërm dhe sol-si në zërin e poshtëm). Kjo gjë na e çon mendjen tek shkallët anhemitonike-pentatonike mbi të cilat krijohet shumëzërëshi shqiptar, por gjithashtu edhe shumëzërëshi arumun icili ndjek regullat e stilit shqiptar tosk, si edhe ai i krahinës së Rodopeve në Bullgari, pa nënvlerësuar praninë e shkallëve anhemitonike në shumëzërëshin e Gjeorgjisë lindore, etj. Zëri i poshtëm shfaq edhe prirje imituese, gjë që e vë shumëzërëshin kalash në marëdhënie me stilin shqiptar tosk. Lidhjet e këngës në fjalë me stilin shqiptar lab janë të dukshme, për sa i përket përplasjeve në intervalin e sekondës midis zërave, pa harruar që edhe shumëzërëshi çam (pjesë e stilit tosk) paraqet herë pas here përplasje në intervalin e sekondës. Marëdhëniet e sekondave e lidhin shumëzërëshin kalash edhe me shumëzërëshat lituanë, kroatë, boshnjakë, bullgarë, gjeorgjanë, etj. Jaap Kunsti ka zbuluar raste të shumëzërëshit ku hasen marëdhënie ne sekonda deri në Indonezi, raste që ai i mban si rrjedhoja të ndikimit kulturor ilir në këto vise të largëta. (16) Në shembullin 1 është interesant edhe përdorimi i burdonit nga zëri i poshtëm si notë e mbajtur në tonikë (gjysma e dytë e fragmentit), kjo (isoja-burdon) një veçori themelore e shumëzërëshit shqiptar. Vërejmë, në këtë këngë kalashe, që zëri i poshtëm bashkërendon burdonin me një copëz motivi tjetër duke përdorur një glisando të veçantë, dhe jep kështu përshtypjen se kemi të bëjmë me një këngë me tre zëra. Fakti që në shumëzërëshin kalash zëri i poshtëm mund të mbartë mbi vete veçoritë e më shumë se një zëri të vetëm, tregon një ngjashmëri të habitshme me përdorimin e shumëzërëshit të fshehur tek shqiptarët, ku një këngëtar mund të interpretojë i vetëm një këngë e cila “fsheh” në brendësi shtjellimin e më shumë se një zëri. Në këtë fragment vëmë re gjithashtu prirjen kalashe për një përsëritje të pambarim të të njëjtave figura muzikore. Përsëritja – kjo dukuri e pranishme në shumë kultura muzikore tradicionale – ka të bëjë me kumtin mitik të paluajtshëm i cili, nuk gjendet në përmbajtjen verbale të këngës, por në muzikën e saj. Këtu do të qe me vend të përmendnim dy pohime të Zhilber Dyran, i cili thotë: “Sinkronizmi i mitit nuk është një refren i thjeshtë. Ai është muzikë së cilës i shtohet një kuptim verbal. … Roli i mitit është më tepër të përsërisë siç bën muzika sesa të rrëfejë siç bën historia. (16)”.

Në shembullin muzikor 2 vërejmë një këngë diatonike me tre zëra. Në melodinë me shtrirje VII – III, që gjendet në zërin e mesëm, shohim një ngjashmëri të madhe me meloditë e këngëve malësorçe dhe atyre te kreshnikëve. Vëme re gjithashtu, që në fillim, luhatjet e sekondes maxhore në atë minore, gjë e cila na e çon mendjen te përplasjet e modit  frigjan (modi i re-së) me atë dorian (modi i mi-së), veçori e këngëve te lartpërmendura. Nëse përpiqemi ta thjeshtëzojmë veprimin polifonik të të tre zërave në një melodi të vetme kënge njëzërëshe, do të përftonim shtrirjen natyrale të melodive të këngëve me lahutë ne Gegëri : heksakordin VII – V. Në këtë këngë zërat e skajshëm janë krejtësisht në varësi të zërit të mesëm që mbart melodinë. Zëri i poshtëm parapëlqen përplasjet në sekonda me zërin e mesëm, ndërsa zëri i sipërm krijon “tjegullzime” në takim me të mesmin. Ky shembull shfaq ngjashmëri me shumëzërësha të ndryshëm ballkanas me prejardhje pellazge si : boshnjakë, shqiptarë, bullgarë etj, por edhe me ata balltikë e kaukazianë. Rastisja e ritmeve te parregullta në këtë shembull, tregon që duhen rishikuar përsëri mendimet e Bartokut – i cili iu jepte atyre një prejardhje bullgare – dhe të Brailoiut që iu dha paksa qëllimisht një emër turk : aksak edhe pse aksaku nuk haset në Azinë Qëndrore tek popullsitë e grupit altaik. Për këtë gjë është koha që të marrim parasysh një tezë të re: atë pellazge!

Teza e shumëzërëshit pellazg mund të na duket e pabesueshme, por ama ajo përmban në vetvete një llogjikë shumë më bindëse se çdo spekullim akademik i konsideruar si “korrekt” nga frika e të rënit në gabim dhe dëshira për të mos patur kokëçarje. Harta e sotme e polifonisë popullore në Evropë përkon në mënyrë të habitshme me udhëtimin legjendar parahelenik (dmth pellazg) te argonautëve, të nisur nga Argu i Ballkanit thrako-ilir – siujdhesë ku gjejmë sot traditat polifonike shqiptare, bullgare, arumune, kroate etj. Kalimi i tyre në krahinat kaukaziane – ku takojmë shumëzërëshat gjeorgjanë, osetë, abkazë, armenë, çeçenë etj. Ngjitja e tyre drejt veriut (prej nga vinë dhe rrëfimet e Apolonit Mbiverior) dhe traditat shumëzërëshe lituane e letone. Zbritja e tyre drejt siujdhesës iberike nga ana e Oqeanit Atlantik – ku hasim shumëzërëshat pourtugezë, baskë e gaskonë, si dhe hyrja e argonautëve ne Mesdheun Perëndimor nga Ngushtica e Gjibraltarit ku gjejmë në vazhdim traditat polifonike korse, sarde, ligure, siçiliane etj. Ashtu siç vërtetohet nga rrëfimet indiane të ekspeditave te Dionisit në Indi, pellazgët kanë kaluar andej dhe kanë lënë si gjurmë të mbijetesës së tyre edhe shumëzërëshin i cili mbahet ende gjalle nga kalashët e Pakistanit. Jaap Kunsti na flet për elementët ilirë të qytetërimit të kohës së hekurit në zonën arkeologjike te Don Songut në Vietnamin Verior (17). Jo shumë larg nga kjo zonë malësorët vietnamezë këndojnë me shumë zëra mbi një burdon. Po i njëjti Jaap Kunst na tërheq vëmendjen për ngjashmëritë mes shumëzërëshit indonezian dhe atyre ballkanas. Prania e shumëzërëshit tek Ajnutë – popullsi e bardhë që jeton në Japoni gjuha e të cilëve, sipas disa studjuesve, ka lidhje me baskishten – thellon akoma më shumë bindjen se polifonia tradicionale, në pjesën më të madhe te ngulimeve të saj, është thjesht pjesë e atij eksporti kulturor që sollën shtegtimet pellazge anembanë botës. Shtegtimi polifonik pellazg duhet të jetë shtrirë akoma më tej për të mbërritur në ujdhesat e Paqësorit e përkatësisht në Tajvan, Melanezi e Polinezi. Muzikologu Marius Shnaider e lidhte polifoninë tradicionale me periudhën e qytetërimit parahistorik megalitik, por a nuk gjenden monumente megalitike në krahinat ku mendohet të kënë banuar ose shtegtuar pellazgët të cilët, sipas autorëve të lashtë, mbaheshin si ndërtues të mëdhenj?

Si përfundim mbetet të themi se shumëzërëshi i kalashëve të Pakistanit është një dokument muzikor me vlerë të pallogaritshme. Kjo traditë muzikore përbën një fosil të vërtetë gojor, i cili ka një rëndësi të dorës së pare jo vetëm në studimin e veprimit polifonik nga pikëpamja e shkëputur thjesht muzikore, por edhe për sa i përket dritës që ajo mund të hedhë – me ndihmën e një studimi shumëanësh – mbi misteret e historisë së pashkruar të shtegtimit polifonik, dëshmues të së cilës janë vetë kalashët, ngulitur në mesin e të asaj rruge shtegtimi që banorët pellazgë parahelenë të Ballkanit e kishin hapur që prej kohërave parahistorike.

Shpjegime:

(1) DENKER (Debra) : Pakistan’s Kalash, People of  fire and fervor (Kalashët e Pakistanit, Populli i zjarrit dhe zellit), artikull në : National geographic, tetor 1981, f. 460.

(2) Tek DENKER (Debra) : Pakistan’s Kalash, People of  fire and fervor, (Kalashët e Pakistanit, Populli i zjarrit dhe zellit), artikull në : National geographic, tetor 1981, e gjejmë në formën Dezao.

(3) LIEVRE (Viviane), LOUDE (Jean-Yves) : Le chamanisme des Kalash du Pakistan (Shamanizmi i Kalashëve të Pakistanit), Lyon, Presses universitaires de Lyon, 1990, f. 104.

(4) JACQUES (Edëin) : The albanians (Shqiptarët), Jefferson NC, McFarland & Company Inc. Publishers, 1995, f. 73.

(5) Shkrimtari i lashtë grek Porfiri, i cili e paraqet Pitagorën me prejardhje pellazgo-etruske, na jep epitafin interesant të këtij të fundit, shkruar në këmbët e statujës së Zeusit olimpik : « Këtu prehet i vdekur Zani të cilit i thërrasin Zeus. » Shih : PORPHYRE : La vie de Pythagore (Jeta e Pitagorës), Paris, Les belles lettres, 1982, f. 43.

(6) DENKER (Debra) : Pakistan’s Kalash, People of  fire and fervor (Kalashët e Pakistanit, Populli i zjarrit dhe zellit), artikull në : National geographic, tetor 1981, f. 460-461.

(7) LIEVRE (Viviane), LOUDE (Jean-Yves) : Le chamanisme des Kalash du Pakistan (Shamanizmi i Kalashëve të Pakistanit), Lyon, Presses universitaires de Lyon, 1990, f. 160.

(8) Po aty, f. 157.

(9) Shih për më tepër : KOLA (Aristidh) : Gjuha e perëndive, Tiranë, Plejad, 2003, f. 68-69.

(10) ARRIEN : Anabasis Alexandri, Indica, book 2, V-VII, Cambridge, Harvard University Press, 1983, f. 307.

(11) Po aty, Appendix XVI, f. 441.

(12) Shih : D’ANGELY (Robert) : L’Enigme, Tome III (Enigma, vell. III), Cismonte è Pumonti, 1991, f. 353.

(13) ESKILI : Lutëset, tek : Tragjeditë, Tiranë, Shtëpia botuese Naim Frashëri, 1986, f. 132.

(14) KUNST (Jaap) : Cultural relations betëeen the Balkans and Indonesia (Marëdhënie kulturore ndërmjet Ballkanit dhe Indonezisë), Amsterdam, Royal Tropical Institute, 1960, f. 8-15.

(15) Për më tepër mbi muzikën pellazge, shih : RADOJA (Red) : La survie de la musique pélasgique (Mbijetesa e muzikës pellazge), Mémoire de MMus, Université Marc Bloch, Strasbourg, 2005.

(16) MACHE (François-Bernard) : Musique au singulier (Muzikë në njëjës), Paris, Editions Odile-Jacob, 2001, f. 173.

(17) KUNST (Jaap) : Cultural relations betëeen the Balkans and Indonesia (Marëdhënie kulturore ndërmjet Ballkanit dhe Indonezisë), Amsterdam, Royal Tropical Institute, 1960, f. 8.

Red Radoja