Dhelpra dhe rrushtë

…por askush nuk e di se nëse është e vërteta ashtu si kemi dëgjuar të gjithë. Përderisa s’i arriti dot dhelpra, që njihet nga të gjithë si më e zgjuara e dinakja, askush nuk i ka arritur dot dhe rrushtë janë kalbur, duke mos vlejtur për gjë. Ose dikush ka vënë re dhelprën duke u përpjekur të kapte rrushtë e “pabërë” (kalbur) dhe veten e ka krahasuar me rrushin, duke mos ditur as vetë ku donte të dilte me këtë histori. Ose dhelpra e ka kuptuar që rrushtë ka qenë i bërë mirë, dhe, që të tjerët të mos përpiqeshin ta vilnin, përhapi fjalë se ishte i “pabërë” (kalbur), kështu i mbeteshin asaj për t’i ngrënë, ndërsa nëpër gojët e të tjerëve do të përtypeshin vetëm talljet për të. Ose vetë rrushi i “pabërë” (kalbur) tha ashtu si kemi dëgjuar të gjithë kur e pa veten që u kap nga dhelpra, dhe ajo hoqi dorë kur pa që ishte i “pabërë” (kalbur), duke thënë të vërtetën me zë të lartë. Ose dhelpër ka qenë vetë rrushi (pas një krize identiteti), i  cili kërkonte të arrinte plepin dhe të luante me të rolin e kungullit me gardhin. Ose dhelprës nuk i ka shkuar kurrë mendja për rrush, për shkak të veljes nga vera ose nga oferta e madhe prej frutave të tjera në treg ato kohë, dhe ai shpifi për veten se ishte i “pabërë” (kalbur) ende. Ose dhelpra tha vërtet ashtu kur kuptoi se vendin e saj, tashmë edhe për nga zgjuarsia, po e zinte dalngadalë ujku. Ose, kur pa se rrushi ishte i “pabërë” (kalbur), për të mos e ofenduar rrushin aq sa ai të vriste veten nga dëshpërimi që nuk po “bëhej” (kalbej) dot, u shtir sikur nuk mundej ta arrinte. Ose nuk tha asgjë kur pa që nuk e arrinte dot dhe vazhdoi rrugën duke menduar sesi të shtynte kohën kur të bëhej e famshme. Ose roja i rrushit vdiq papritur atë ditë dhe, dhelpra, për respekt të tij dhe punëve që bënin bashkë natën, nuk hëngri menjëherë, për t’u kthyer të nesërmen, por, kur gjeti atje rojen e ri, shpifi për rrushin se ishte i “pabërë” (kalbur). Ose, rojes së ri dhelpra kishte arritur t ’ i vidhte rrushtë përgjysmë dhe ai gënjeu ashtu siç kemi dëgjuar të gjithë (për dhelprën që nuk i kishte arritur dot rrushtë, dhe se rrushtë ishte vërtet i “pabërë” (kalbur), siç kishte thënë dhelpra), që të mos vinin dhelprat e tjera. Ose dhelpra kishte korruptuar rojen e vjetër (kalbur) dhe që të dy kanë shpikur historinë që të gjithë kemi dëgjuar, në mënyrë që roja i ri (pabërë) të mos kishte kurrë frikë se dhelpra mund t ’i kapte rrushtë. Ose frika që ruan vreshtat është bashkëpunëtorja më e vjetër e dhelprës dhe të dyja përhapën ato që kemi dëgjuar të gjithë, duke thënë për dhelprën se kishte ikur me bisht ndër shalë, që viktimat e vërteta të dhelprës të afroheshin pë të ngrënë rrush, qoftë edhe të “pabërë” (kalbur), pa frikën se dhelpra mund të ishte fshehur mbrapa rrushit. Ose rrushi iu lut dhelprës të bënin dashuri para se ta hante, dhe, kur dhelpra nuk pranoi duke thënë se nuk ishte tipi i saj dhe se nuk përputheshin seksualisht, madje as nuk i hahej fare rrush, ai përhapi fjalët që të gjithë kemi dëgjuar, tipike për rrush të “pabërë” (kalbur). Ose, korbi me djathin në sqep kishte qëndruar mbi degën e rrushit, i cili keqkuptoi bisedën mes tij dhe dhelprës, pasi korbi kërkoi të hakmerrej me dhelprën për djathin, tashmë përtokë para këmbëve të dhelprës, duke i thënë ta shoqëronte me rrush të ëmbël, por dhelpra nuk pranoi dhe ofendoi rrushin me fjalët që të gjithë kemi dëgjuar që të mos e çonte korbin drejt vetëvrasjes nga dëshpërimi për budallallëkun e tij. Ose tufa e dhelprave përhapi këtë thashethemnajë, me të cilën të humbin mendjen rojet gjatë netëve të gjata, në mënyrë që ato të hanë rrushin të qeta. Ose…

Arben Orhani