Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942) – Periudha e katërt (1925-1939)

Prej vendosjes deri në përmbysjen e regjimit zogist

Kapitulli XI

Ndarja e emigrantëve ndër grupe dhe tentativat e Zogut për marrëveshje me ish-anëtarët e Krahut Kombëtar

 

Një pjesë e emigrantëve të larguar në dhjetorin e 1924­ës u kthye menjëherë në Shqipëri pa pritur amnisti, pasi s’kanë qënë njerëz të kompromentuar ndaj Zogut, as edhe të rrezikshëm për të. Por shumica e emigracionit mbeti në mërgim, në pritjen e ngjarjeve. Midis kësaj shumice kish elementa me një rëndësi pak a shumë të madhe për vendin e për Zogun.

Një pjesë me rëndësi e emigrantëve, me inisiativën dhe ndërmjetësinë e Koço Boshnjakut, u muarrën vesh me “Cominternin”, si grup, me emër “KONARE” (Komiteti Revolucionar Kombëtar) l), për t’u ndihmuar pa kusht gjatë aktivitetit të tyre nacional, ashtu siç janë ndihmuar edhe kombet e tjerë të vegjël, që ndodheshin nën zgjedhë të imperialistëve, për liri e për pavarësi. Përveç kësaj pjese, edhe emigrantët kosovarë irredentistë, të grupuar e të organizuar nën emrin “Komiteti i Kosovës”, si grup, u ndihmuan edhe ata nga “Cominterni”. Ky komitet drejtohej nga një qëndër e përbërë prej major Ibrahim Gjakovës, Bedri Pejës e Qamil Balës.

Në “Konare” kanë marrë pjesë elementë me tendenca të ndryshme, përveç elementit konservator, si Luigj Gurakuqi, Xhemal Bushati e Angjelin Suma.

Bashkë me Koço Boshnjakun, në bisedimet me përfaqësuesin e Kominternit ka marrë pjesë edhe Fan Noli, i cili, pas marrëveshjes, i shkroi Gurakuqit në Milano për të shkuar në Vjenë e për të marrë pjesë në “Konare” bashkë me Xhemal Bushatin, përfaqësuesin e pjesës konservatore të myslimanëve të Shkodrës, por ata nuk shkuan e nuk deshën të merrnin pjesë në “Konare”. Ata që muarrën pjesë në “Konare” prej opozitës së vjetër qenë: Fan Noli, Qazim Koculi, Mustafa Kruja, Riza Dani e Xhevat Korça; nga anëtarët e ish- Krahut Kombëtar, civilë e oficerë: Kol Tromara, Qazim Kokoshi, Llano Borshi, major Shefqet Korça, kapitenët Ariz Çami e Riza Cerova; shumica dërrmuese e rinisë, që kanë qënë anëtarë të shoqërisë “Bashkimi”, si: Halim Xhelo, Sejfulla Malëshova, Llazar Fundo, Qamil Çela, Demir Godelli, Selim Shpuza, Haki Stërmilli, Reshat Këlliçi etj.

Pjesa tjetër e Krahut Kombëtar: Sotir Peçi, Ismail H. Tatzati, Rexhep Mitrovica, Leonidha Frashëri, sheh Ibrahim Karbunara, dr. Sadedini, kapitenët Dhimitër Bala e Koço Muka dhe unë, megjithëqë pa kusht, nuk e pamë oportune të hynim në marrëdhënie financiare me “Kominternin”, pasi emigracioni shqiptar, nga gabimet e Nolit si kryetar i qeverisë, ka qënë i komprometuar me mendime ekstremiste përpara botës së jashtëme konservatore. Nuk pranuan bashkëpunimin me “Konaren” edhe Bahri Omari, Stavro Vinjau, Koço Tasi, Ali Këlcyra dhe Rasim Babameto, të cilët në parlament bënin pjesë në opozitën, Spiro Koleka, Zejnel Gjoleka, Kosta Paftali, kapitenët Hysni Peja, Xhelal Preveza dhe Lek Margjini, të gjithë pa parti, mbetën edhe këta pa u përzier me “Konaren”.

Zogu, pasi e invadoi Shqipërinë me ndihmën e Jugosllavisë, u instalua në Tiranë si zot absolut i vendit me ndihmën e forcave civile dibrane e matjane. Ai, me të ardhur në fuqi thërret shokët e tij të luftës, që kontribuan për ardhjen e tij në fuqi, si: Muharrem Bajraktarin, Fiqri Dinen, Hysni Demën, Preng Previzin dhe Qerim Nasufin dhe përpara tyre shtron çështjen e mënyrës së administrimit të vendit. I pyet shokët e tij nëse Shqipëria duhej të administrohet me një sistem qeveritar autoritar, duke i dhënë popullit një liri të kufizuar, apo me një diktaturë. Shokët e tij i përgjigjen menjëherë e me një zë se ata pëlqenin të parin. Atëhere Zogu u thotë se ai do të mendohej dhe pas 24 orëve do t’u jepte përgjigje. Pas 24 orëve, ai u përgjigjet, duke u thënë se ai ishte për diktaturë. Zogu e kishte vendosur qysh më parë sistemin qeveritar që do të ndiqte, por ai, i bindur se shokët e tij për hipokrizi do të pranonin diktaturën personale të tij, ata i pyeti që të justifikonte deri diku vijën e mallkuar që kishte vendosur të ndiqte. Zogu qysh nga ajo përgjigje e kish humbur besimin që ka patur te M. Bajraktari dhe F. Dineja*).

Zogu, pasi i likuidoi angazhimet që kishte marrë kundrejt Jugosllavisë me anë çkëmbimesh në favor të saj, vendosi të shkëputet nga Jugosllavia për t’u lidhur me Italinë, politikisht e financiarisht më e fortë se e para, për t’u pasuruar dhe për të qëndruar në fuqi si diktator me anë të forcës së saj.

Kur Zogu edhe nuk ishte çkëputur nga Jugosllavia dhe s’kishte hyrë në tratativa me Italinë, emigrantët, që më vonë formuan “Bashkimin Kombëtar”, me imponimin e Italisë u detyruan të dërgonin një komision në Romë për një marrëveshje. Ky komision përbëhej prej Sotir Peçit e prej meje. Kurrsesi nuk u bashkuan tezat e të dy palëve, vetëm se kjo tentativë e trembi Zogun dhe e shtyti këtë të shpejtonte bisedimet me Musolinin. Natyrisht, Italia do të preferonte marrëveshjen, me Zogun, pasi vetëm me anën e tij e jo prej nesh do t’i çkëpuste nga Shqipëria ato që kërkonte.

Zogu kthimin në Shqipëri të një pjese të emigrantëve, e sidomos kthimin e shokëve të tij të vjetër, ish-anëtarët e Krahut Kombëtar, e kishte një nga pikat kryesore të politikës së tij. E dërgoi 2-3 herë Xhavit Leskovikun në Bari për t’u takuar me ne të Krahut Kombëtar, si shokë që kemi qenë, që të na bindte me premtime të mira se ai do t’i plotësonte qëllimet e patriotëve për një Shqipëri moderne e për të mirën e popullit. Por ne këto premtime nuk i besonim derisa t’i shifnim me sy. Zogu, po të ishte i sinqertë në qëllimet e tij, neve do të na detyronte të ktheheshim duke çpallur një sistem qeverimi demokratik ose të paktën një demokraci autoritare të përshtatëshme me nivelin e popullit e jo pasi të deklarohej diktator, të na ftonte neve të ktheheshim në Shqipëri, për t’ia legalizuar të gjitha veprat e dëmshme që do të bënte për mjerimin e popullit. Kur pa se ne ishim intransigjentë, herën e fundit na tha këto fjalë me anën e Xhavitit: “Në qoftë se nuk do të kthehen, unë do ta prish Shqipërinë”. Ne i thamë: “Nuk e ka fort në dorë prishjen e Shqipërisë” dhe nuk dëgjuam të ktheheshim për të justifikuar tradhetitë e tij.

Nga ana tjetër, Zogu çqetësohej tepër nga ndodhja e emigrantëve në Itali, praninë e të cilëve Italia e çfrytëzonte në maksimum në bisedimet për marrëveshje që bënte me Zogun. Bile qeveria italiane emigrantët, që kishin një farë rëndësie politike, me pretekst që t’i ruante nga ndonjë atentat nga ana e Zogut, i shoqëronte me nga një detektiv për të evituar largimin e tyre nga Italia.

Zogu përdorte edhe mjete të tjera për t’i detyruar emigrantët të ktheheshin në Shqipëri: frikësimin me atentate, internimin e familjeve dhe moslejimin e familjeve të dilnin nga Shqipëria. Gruas sime, për shembull, nuk i jepte vizë pasaporte, për të më detyruar të kthehesha në Shqipëri. Mbi këtë gjest të tij, i shkrova një letër Zogut ku i thashë: “Njerëzit që duan të lozin një rol historik nuk e lejojnë vehten e tyre të merren me çikërrima të tilla”. Këto fjalë, si më tha një shok*) që ka qënë i afërmi i tij, e paskan prekur aqë tepër megallomaninë e tij, sa i paskan turbulluar edhe gjumin e natës. Më në fund, u detyrova t’i shkruaj ministrit britanik z. Eyers, të cilin e pata njohur mirë me rastin e çështjes së vajgurit, i cili ma mori menjëherë vizën dhe e lejuan gruan të dalë jashtë.

Pasi tentativat për marrëveshje dështuan, atëhere Zogu filloi me anë të kërcënimeve e me atentate t’ia arrinte qëllimit. I pari atentat u bë kundra Luigj Gurakuqit në Bari, kur dilte nga restoranti i Hotel “Kavur”, në mbrëmje, më 25 mars 1925. U vra te dera e restorantit prej Baltion Stambollës, të cilin gjyqi, që u bë në një qytet të Puljes, afër Barit (Tam 7), e nxori të pafajshëm. Duket fare qartë se sa vlerë ka miqësia dhe drejtësia përpara interesit politik. Gurakuqi u vra si italofil ose, me fjalë të tjera, u bë viktima e italofilizmit, nga frika se ky, me influencën që ka patur pranë qeverisë italjane, mos e pengonte marrëveshjen që Zogu ishte duke e bërë me Italinë.

Atentati i dytë u bë kundër Shefqet Korçës në Brindizi, në Kafe “Torino”, prej një shijakasit dërguar nga Shqipëria, por atentati dështoi, pasi Shyqyri Peja, që ishte duke ndenjur në një tavolinë, e kuptoi qëllimin e atentatorit dhe në lëvizje e sipër atë e paralizoi.

“Konareja” si qendër ka patur Vjenën, kurse Bari ka qënë qëndra e emigracionit që s’bënte pjesë në “Konare”.

Qeveria italiane, pas marrëveshjes që bëri me Zogun, mori masa kundër emigracionit, ku bënin pjesë disa ish-ministra e ish-deputetë, duke i shoqëruar këta me policë civilë. Këto masa, në dukje, ishin për t’i ruajtur këta nga atentatet eventuale të Zogut, porse, në realitet, masat u muarr për moslargimin e tyre nga Italia dhe praktikisht për të mos i lejuar ata të zhvillonin asnjë aktivitet kundra Zogut, gjithashtu edhe kundër Italisë ndër vendet e lira, jashtë Italisë.

Me grumbullimin e emigracionit në Bari, qeveria jugosllave krijoi një konsullatë në këtë qytet, ku si konsull emëron Vaso Stërkiçin, shkodran me origjinë shqiptare, të cilin e kisha njohur më 1915, kur Shkodra u pushtua për herë të dytë nga Mali i Zi. Në këtë kohë, shefi i seksionit për punët shqiptare ka qënë Cincar Markoviçi, i cili më vonë, në Kabinetin e Stojadinoviçit, ka marrë pjesë si ministër i Punëve të Jashtëme. Cincar Markoviçi nuk e ka simpatizuar Zogun dhe ka qënë kundërshtar i bashkëpunimit me të.

Konsulli jugosllav, me të ardhur në Bari, hyri në kontakt me anëtarët e vjetër të Krahut Kombëtar, pasi këta kanë qënë anëtarët e një politike të miqësisë me shtetet ballkanas, gjithashtu edhe me Xhemal Bushatin e Angjelin Sumën për të ndikuar në një politikë afërimi me Shkodrën.

Qeveria italiane, përveç masave policore që mori për të evituar largimin e disa emigrantëve me rëndësi nga toka italjane,  kishte vendosur edhe për një masë financiare për të siguruar jetesën e emigrantëve që ishin pa ndihmë. Për këtë qëllim, prefekti i Barit na propozoi që të dërgonim një komision në Romë, në Ministrinë e Jashtëme, për të biseduar çështjen e ndihmës. Ne emigrantët s’mund ta refuzonim këtë proponim, pse refuzimi mund të kishte si pasojë marrjen e masave më të egra kundra nesh, prandaj e pranuam proponimin dhe u vendos dërgimi i një komisioni në Romë, i cili përbëhej prej Stavro Vinjaut dhe prej meje. Në Romë biseduam me sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Jashtëme, i cili insistoi për ta përfunduar marrëveshjen, duke na propozuar të paraqitnim listën e emigrantëve që ishin për t’u ndihmuar, me një ndihmë të përshtatëshme, sipas rëndësisë dhe shkallës së çdo emigrantit. Ne e pranuam propozimin e Ministrisë, por i thamë se nuk kishim kompetencën për ta përfunduar çështjen dhe, përveç kësaj nuk dinim edhe emrat e emigrantëve që kishin nevojë për ndihmë. Prandaj pregatitjen e listës vendosëm ta lëmë kur të kthehemi në Bari. Në Bari nuk vendosëm asgjë, pasi asnjeri nuk e dëshironte ndihmën italjane, prandaj çështja u la pezull për me sot e me nesër.

Zogu ndërkohë bëri një amnisti për emigracionin. Pasi shumica e emigrantëve edhe nuk ishte kthyer, pjesa me rëndësi e emigrantëve provokoi një mbledhje, ku u bisedua seriozisht mbi politikën që duhej ndjekur rreth emigracionit. U shtrua çështja: A duhej kthyer gjithë emigracioni në Shqipëri apo një pjesë e kufizuar të mbetej jashtë për ta luftuar si Zogun, ashtu edhe Italinë? Mbetja jashtë e një shumicës së emigracionit s’ka qënë e mundur për arësye jetese dhe oportuniteti, prandaj u vendos të kthehet një shumicë sa të jetë e mundur më e madhe. Nga ana tjetër, duke menduar thjesht nga interesi kombëtar, u vendos të mbetej jashtë një pjesë e kufizuar e emigracionit, por e vendosur për ta vazhduar luftën deri në fund kundra diktaturës personale të Zogut dhe kundër fashizmit që do të mbronte atë. U vendos të qëndronin jashtë 10-15 vetë, por me kusht që të sigurohej një jetesë minimale për ta.

Ku do t’i gjenim këto mjete? Ne, personalisht, nuk dispononim mjete të mjaftueshme as për një muaj, pse të gjithë kemi qënë të vobektë. Nga ana tjetër, s’kemi patur as më të voglën shpresë për t’u ndihmuar me mjete kombëtare, nga mungesa e organizimeve shoqërore. Kështu ne u detyruam t’i kthenim sytë nga jashtë. Për arësyet që çfaqëm më lart, nuk e gjetëm aspak oportune ndihmën e “Kominternit” në një Evropë thellësisht konservatore. Atëhere menduam, ne ish-anëtarët e Krahut Kombëtar, që t’i drejtohemi Jugosllavisë, shtetit armik të racës sonë (si ai që bie në det dhe kapet pas gjarpërit), duke menduar se qeveria e Beogradit do të dispozohet për një bashkëpunim të tillë, pasi rreziku që na gjeti neve sot do ta gjejë edhe atë nesër. Ndër bisedimet private që bëmë me konsullin e ri jugosllav, na dha të kuptojmë fare hapët se ai me qëllim bashkëpunimi me ne ishte dërguar në Bari.

Atëherë, me këtë rast, duke marrë parasysh interesin e të dy palëve, konsullit jugosllav iu bënë këto propozime; a­Qeveria jugosllave a është e dispozuar të ndihmojë financiarisht për të siguruar jetesën e një grupi të kufizuar, që do të futej në një luftë të organizuar e të vendosur kundër Zogut dhe kundër Italisë? b-Qeveria jugosllave a mund të na siguronte ndihmën e saj morale, e në rastin oportun edhe ndihmën materiale, për një kryengritje kundër Zogut? Në përgjigjen që erdhi brënda pak ditësh thuhej: Ministria pranon të subvencionojë një grup të kufizuar (10-15 vetash), por ndihma do të jetë personale e jo me një shumë globale në emër të grupit, me qëllim që ministria të jetë në dijeni se mos ndihmojë elementë që, në këtë rast, ndjekin një politikë kundër Jugosllavisë. Nga ana tjetër, na u premtua edhe ndihma për një aksion vendimtar kundër Zogut. Nga ana jonë u vu si kusht që nuk do të pranonim asnjë ndërhyrje nga ana jugosllave dhe se ne do të vepronim sipas bindjes sonë. Edhe kjo u pranua nga ana jugosllave dhe gjatë trembëdhjetë vjet bashkëpunimi i qëndruan besnik fjalëve që na dhanë.

Atëhere u formua organizata “Bashkimi Kombëtar”, me një komitet të përkohëshëm, të përbërë prej Sotir Peçit, Xhemal Bushatit, Angjelin Sumas dhe, si sekretar, Ali Këlcyrës. Anëtarët e tjerë të organizatës qenë: Rexhep Mitrovica, Bahri Omari, Ismail H. Tatzati, Sheh Karbunara, Dr. Sadedini, Kost Paftali, kapiten Hysni Peja, kapiten Xhelal Preveza, kapiten Lek Margjini, Spiro Koleka, Stavro Vinjau, Zejnel Gjoleka, kapiten Dhimitër Bala, kapiten Koço Muka dhe unë. Pas çkatërrimit të “Konares”, në shtator 1927, u shtuan edhe më tepër anëtarët e organizatës. Megjithëqë u pat vendosur kthimi i emigrantëve në Shqipëri, një pjesë e këtyre, nën përgjegjësinë e vet, nuk u kthye, atëhere pjesa e subvencionuar nga Jugosllavia nga ndihmat e tyre personale ndihmuan këta që nuk ishin parashikuar.

Nga ana tjetër, lidhur me ndihmat që qeveria italiane donte të na i jepte me imponim pas marrëveshjes së saj me Zogun për të na paralizuar nga çdo aktivitet kundër Zogut, ne me pretekste të ndryshme arritëm ta shtynim pranimin e tyre deri në largimin e anëtarëve të Komitetit Qendror dhe të disa anëtarëve të tjerë nga tokat italiane. Nga anëtarët e “Bashkimit kombëtar” Ismail H. Tatzati, Spiro Koleka, Dhimitër Bala, Koço Muka, Leonidha Frashëri e Zejnel Gjoleka ishin vendosur me kohë në Korfuz. Rexhep Mitrovica ndodhej në Vjenë për kurë. Një pjesë e emigrantëve të “Konares” e të “Komitetit të Kosovës” ishin vendosur në Zara, Porto Franko, pasi atje jetesa relativisht ka qënë më e lirë. Me këtë pretekst shkuam e u vendosëm atje edhe Xhemal Bushati dhe unë, duke shpëtuar kështu nga shoqërimi policor. Pas një muaji, në kohën e drekës, me anë të një barke, Xhemal Bushati, Ahmet Dakli, Qazim Mulleti, Dan Hasani, Riza Dani dhe unë bashkë me gruan time, kaluam në Preko, qytet i vogël jugosllav, dhe prej këtej shkuam në Zagreb. Pas pak ditësh, në Zagreb erdhi e na takoi z. Vukotiç, shefi i seksionit për punët shqiptare në Ministrinë e Jashtëme, i cili na këshilloi të shkonim në Paris, për ta bërë aty qendrën e aktivitetit tonë, por ne shkuam në Vjenë, në pritjen e largimit nga Italia të Ali Këlcyrës me Angjelin Sumën, të cilët, tinzisht, pas pak kohe u larguan nga Bari me një vapor jugosllav. Edhe Sotir Peçi, me ndërhyrje (më duket të Mehmet Konicës), me vizë shqiptare u largua nga Italia për në Korfuz dhe prej andej u vendos në Selanik.

Kështu që, pas zgjedhjeve që u bënë nga të gjithë anëtarët e “Bashkimit Kombëtar”, në Vjenë u formua Komiteti Qëndror i kësaj organizate, i përbërë prej: Xhemal Bushatit, Angjelin Sumës, Ali Këlcyrës dhe prej meje, me organin e saj të përjavshëm, gazetën “Bashkimi”.

Shokët e vjetër të Zogut pse e refuzuan bashkëpunimin me të nuk u kthyen në Shqipëri

Ne, ish-bashkëpuntorët e Zogut, shumë herë jemi kritikuar, sepse nuk u kthyem kur na thirri Zogu e, duke e rrethuar atë, do të ndikonim që, i sigurtë për pozitën e tij, ai do të punonte për të mirën e vendit.

Ne, ish-anëtarët e Krahut Kombëtar, me invadimin e Shqipërisë nga ana e Zogut, në dhjetorin e 1924-ës, nuk emigruam nga frika, pasi midis nesh asnjë person s’ka patur armiqësi personale me Zogun, ose të kishte persona ambiciozë që të mendonin për kryesi shteti dhe për këtë shkak të ishin rivalët e tij. Zogu eliminonte ata kundërshtarë që kishin sy në vendin e tij, kurse, kundrejt të tjerëve, ka qënë tolerant dhe kundra këtyre merrte masa eleminimi, vetëm kur shtrëngohej tepër sa s’kishte se nga ia mbante. Propozimet që u bënë herë pas here nga të dy palët (nga ne pas zgjedhjeve për Asamble dhe nga Zogu tani në emigracion) për ribashkëpunim, tregojnë fare qartë se midis dy palëve s’ka patur pengesa të pakapërcyeshme për një bashkëpunim të ri. Zogu dëshironte një bashkëpunim me shokët e tij të vjetër, por, natyrisht, jo me kushtet e dikurëshme, kur ka qënë gjallë Krahu Kombëtar e ku ai ka patur të drejta të barabarta me gjithë shokët e tjerë. Tani, me komplotet e kryengritjet e opozitës së vjetër, me komplotet brenda Krahut Kombëtar nga Eshrefi me shokë, me gabimet trashanike të Qeverisë së Nolit e sidomos me përkrahjen anglo-franceze që iu bë Zogut për shkak të vajgurit shqiptar, u përmbys situata e vjetër dhe u krijua një situatë e re, me Zogun në krye, si zot absolut i Shqipërisë.

Në këto kushte tepër të favorëshme për Zogun, ky u vu përpara dilemit: A do të paraqitej në skenë e në krye të shtetit si një mjet që do t’i kushtohej mbarëvajtjes e lumturisë së popullit “ala Mustafa Kemal”, apo shtetin ta përdorte si një mjet për të kënaqur pasionet e tij e për t’u pasuruar?

Zogu, pasi invadoi Tiranën, i pyeti kot e për t’u bërë qejfin oficerët që kishin kontribuar për ardhjen e tij në fuqi, pse ai e kishte vendosur më parë të sundonte vendin me një diktaturë personale. Oficerët, prej kohe të lidhur me personin e Zogut, me përgjigjen që i dhanë në lidhje me regjimin, nuk çfaqën vetëm ndjenjat, mendimet dhe dëshirat e tyre personale, por edhe ato të krejt popullit shqiptar. Zogu, krejt i verbuar nga pasionet, me këtë rast nuk u tregua as i zgjuar, as edhe modest. Modestia është karakteristika e njerëzve të mëdhenj e njerëzit e mëdhej dallohen me veprat e tyre për lumturinë e popullit e të gjithë njerëzimit. Pra, Zogu, në vend që të përmendej për të mirë, ai preferoi të ngrihej me lavdërimet e dallkaukëve dhe të grumbullonte miliona në dëm të popullit.

Anëtarët e Krahut Kombëtar, qysh se e kishin qeverinë në dorë, me votimin e një statuti tepër liberal e kishin kuptuar gabimin e tyre, se ai statut nuk i shërben interesit të popullit, por i shërbeu, si strehim elementit negativ e çkatërrues. Pra, Zogu, sikur të ish treguar njeri modest në pretendimet e tij e të mjaftohej me kryesinë e një republike me një demokraci autoritetare, shokët e tij të vjetër dhe shumë patriotë të tjerë do të ktheheshin në atdhe për të formuar një rreth të ndritshëm e të fortë rreth tij, për të kryer së bashku vepra të mëdha për të mirën e popullit, ashtu siç bëri Ataturku në Turqi. Por ai nuk mori parasysh vullnetin e popullit dhe duke vendosur diktaturën personale i la të gjithë përpara një faktit të kryer. Kështu, Zogu devijoi nga parimet republikane demokratike të Krahut Kombëtar, që e mbronte aqë tepër në atë kohë dhe, duke u deklaruar diktator, mori një përgjegjësi të madhe përpara historisë.

Zogu, pasi u deklarua diktator, deshi të hyjë në tratativa me shokët e tij të vjetër, duke dërguar Xhavit Leskovikun në Bari, por s’pati asnjë sukses. Ai i njihte mirë shokët e tij, mendimet dhe karakterin e tyre, se ata as me kërcënime, as edhe me pozita, s’mund t’i bënte vegël për të legalizuar abuzimet e tij në dëm të vendit. Në ato kondita që u krijuan në Shqipëri, ata e refuzuan kthimin dhe vendosën për të hapur luftë derisa të vazhdonte ajo gjendje.

Aktiviteti i Organizatës “Bashkimi Kombëtar” gjatë emigracionit

Pasi grupet në emigracion deri diku u kristalizuan, tani të flasim mbi aktivitetin e tyre.

Një kryengritje e papregatitur dhe e paorganizuar, që u bë në Malësitë e Dukagjinit më 1926, me udhëheqjen e dom Loro Cakës e të toger Ndok Gjeloshit, e cila dështoi, e hodhi Zogun përfundimisht në prehër të Italisë. Me Traktatin e 1926-ës e më vonë me atë të 1927, Italisë iu dha e drejta e ndërhyrjes së armatosur në rast të një revolucioni kundër regjimit të Zogut. Ndër këto kushte të vështira, “Bashkimi kombëtar”, me organin e tij “Bashkimi” dhe me mjetet e tjera propagandistike, vazhdoi një luftë të pandërprerë, jashtë dhe brenda në Shqipëri, kundër Zogut dhe kundër Italisë fashiste.

Në shtatorin e 1927 “Konareja” u çkatërrua për arësye se, në kundërshtim me premtimet e para, “Kominterni” dhënien e ndihmës e kondicionoi me një transformim ideologjik të anëtarëve të saj drejt së majtës, gjë që shkaktoi largimin e pjesës më të madhe të anëtarëve të saj, si: Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, Kol Tromora, Mustafa Kruja, Shefqet Korça, Riza Dani, Xhevat Korça e tjerë. Kurse Fan Noli, Koço Boshnjaku, Riza Cerova, Llano Borshi, Omer Nishani dhe shumica e madhe e anëtarëve të rinisë, të grumbulluar në Shoqërinë “Bashkimi”, mbetën me “Kominternin”. Azis Çami mbeti pezull midis dy xhamive.

Me prerjen e ndihmës, ish-anëtarët e “Konares” mbetën në një pozitë të vështirë, ndaj menjëherë kërkuan ndërmjetësinë e “Bashkimit kombëtar” për të siguruar ndihmën jugosllave. Komiteti i “Bashkimit kombëtar” e mirëpriti këtë propozim dhe në tetor të 1927-ës më dërgoi mua me mision për të siguruar nga Ministria e Jashtëme e Jugosllavisë ndihmat e nevojëshme, si për ish anëtarët e “Konares”, ashtu edhe për ata që kanë qënë pa ndihmë. Në atë kohë, ministër i Jashtëm ka qënë z. Marinkoviç dhe shefi i seksionit shqiptar z. Vukotiç. Unë u takova me sekretarin e përgjithshëm të ministrisë z. Jovanoviç. Ministria, në parim, e pranoi akordimin e ndihmës në bazë të listës që paraqita vetë, me përjashtim të dy personave: Mustafa Krujës dhe Beqir Valterit. I pari, pas kryengritjes së Elez Jusufit me shokë, për t’i shpëtuar ndjekjes qeveritare, kalon kufirin jugosllav, ku internohet në një qytet (më duket në Keraguievaç?) l) Pas disa kohe kërkon lejë nga qeveria për të shkuar në Vjenë, duke i dhënë fjalën e nderit qeverisë se do të kthehej prapë në vendin e internimit. Mirëpo ai nuk u kthye dhe ministria tha se nuk mund të ndihmohej një njeri që ka gënjyer. I dyti, Beqir Valteri, pasi iku nga Italia nëpër Fiume, me të dalë në tokën jugosllave, bën deklaratë mbi Kosovën e robëruar, e cila herët ose vonë duhej t’i kthehej Shqipërisë. Për shkak të kësaj deklarate, ministria vuri veto edhe kundër këtij.

Para se të shkoj unë, në Beograd kishte ardhur Bebi2) nga Shqipëria. Unë nuk u takova me të dhe as e mora vesh ardhjen e tij. Xhevat Korça në atë kohë ka qënë profesor i gjuhës shqipe në Universitet të Beogradit. Ky paska kërkuar lejë nga universiteti për të shkuar në Vjenë, por leja nuk i jepet. Puna shkon në Ministrinë e Jashtëme, por edhe kjo nuk e favorizon lejën, kurse Xhevati, insiston në mendimin e tij. Duke e ditur se unë jam baxhanak me Xhevatin, sekretari i përgjithshëm i ministrisë më thërret në ministri dhe më tha me insistim ta këshilloj Xhevatin të mos largohej pa lejë nga detyra, se, përndryshe, jo vetëm ne që humbnim një profesor të aftë për atë punë, por do të bëhet keq edhe për të, se do të humbë të gjitha ato të mira qe kanë edhe profesorët tanë.

Unë menjëherë shkova dhe ia thashë Xhevatit fjalët që më tha Jovanoviçi dhe të gjitha pasojat që do të ketë largimi i tij pa lejë, por ai, siç e ka patur zakon, insistoi në mendimin e tij dhe unë, pasi nuk e kam ditur qëllimin e udhëtimit të tij, u çudita, bile edhe u zëmërova nga largimi i tij i pajustifikuar.

Xhevati shkoi në Vjenë dhe pas 3-4 ditëve u kthye.

Një mëngjez (s’më bie ndërmend dita), kur ishim duke dalë nga shtëpia bashkë me Xhevatin aty nga ora 9, e zoja e shtëpisë na tha: “U vra Ceno Begu në Pragë”. Xhevati menjëherë më tha: “Unë e vrava”. “Po si e vrave ti?”, i them unë. Atëhere ai më kallzoi se kishte ardhur Bebi (prej Elbasani) nga Shqipëria, me qëllim të vrasë Ceno Begun në interes të Zogut, i nxitur nga Andon Beça me shokë, njeriu më besnik i Shefqet Vërlacit, i cili në atë kohë ishte vjehrri i Zogut. Bebi, pasi qëndron disa ditë në Beograd, niset me Xhevatin në Vjenë. Atje takohet me Q. Koculin e M. Krujën. Pas kësaj, niset për Pragë dhe e bën vrasjen. Atëhere, me zëmërim i them Xhevatit: “Ti, Xhevat, kur paske qënë i implikuar në një gjë të tillë, mua pse më ftove në shtëpinë tënde, duke e ditur se unë kam ardhur me mision në Ministrinë e Jashtëme për të rregulluar një çështje që ka të bëjë me jetën e emigracionit? Implikimi yt në një çështje që prek aq rëndë qeverinë jugosllave, mund ta bëjë këtë të dyshojë edhe për mua dhe të prekë çështjen për të cilën kam ardhur”. “Unë nuk i kam menduar aspak këto që më thua ti”, më tha. Nuk i dhashë asnjë përgjigje.

Mua menjëherë më thirrën në ministri, në seksionin për punët shqiptare. Shefi i seksionit, z. Vukotiç, ish-konsull jugosllav në Shkodër, të cilin e kam patur njohur fare mirë, më pyeti: “Z. Vllamasi, nga kush të jetë shtyrë kjo vrasje? Ceno Begu ka patur armiqësi të vjetër edhe me Bajram Currin”. I përgjigjem: “Për mua kjo vrasje është bërë nga ana e Zogut”. Edhe ata më tepër kështu mendonin.

Jugosllavët u prekën shumë tepër nga kjo vrasje dhe në këtë mes iu zëmëruan shumë edhe Xhevatit, si i implikuar në këtë atentat. Xhevati u pushua nga puna dhe nuk u lejua të dalë jashtë shtetit dhe ka qënë në rrezik se mos pësonte ndonjë gjë të keqe. Më në fund, pas shumë përpjekjeve të shumanëshme, mezi mundi të dilte nga toka jugosllave.

Pas vrasjes së Cenos, unë u ktheva në Vjenë. Pas meje shkoi në Beograd Ali Këlcyra. Pas pak kohe, në bazë të listës së paraqitur, ministria, duke zbritur pak edhe ndihmat tona të caktuara qysh në Bari, akordoi ndihma edhe për emigrantët e tjerë.

Ndërkohë, Hasan Prishtina ndihmohej prej italianëve me një shumë prej 30.000 lira italiane në muaj. Me atë shumë të hollash ai përballonte nevojat e tij dhe tepricën mund ta përdorte si t’i mbushej mendja.

Mustafa Kruja e dëshironte ndihmën jugosllave, por, pasi qeveria jugosllave refuzoi ta ndihmojë, ai me një telegram e uron Musolinin për Traktatin e 1927 që bëri me Zogun. Duçja, si shpërblim, prej subvencionit që i jepte Hasan Prishtinës, 20.000 lira ia jep M. Krujës, i cili 12.000 lira i ndalonte për vehte dhe pjesen tjetër ia jepte anëtarëve të grupit të tij (Riza Danit, Xhevat Korçës, Lin Kamsit, etj).

Qazim Mulleti me don Frano Karmën, si indipendentë, edhe këta ndihmoheshin nga Italia.

*

*        *

Vjena u bë një qëndër aktiviteti me rëndësi e “Bashkimit kombëtar”, e cila u forcua edhe më tepër me emërimin e Cincar Markoviçit si këshilltar i Legatës jugosllave në kryeqytetin e Austrisë. C. Markoviçi, përveçse ka qënë i zgjuar dhe e ka njohur Shqipërinë më mirë se çdo diplomat jugosllav, ai e ka urryer Zogun qysh se ka dëgjuar nga goja e tij më 1924, kur ka qënë zëvëndësministër në Legatën jugosllave në Tiranë, të thotë për kapiten Ferit Frashërin, pasi mori vesh vrasjen e tij në Shkodër, se Feriti “ka qënë budallë”, ndërkohë që ai u vra për Zogun! Pra, thosh shpeshherë C. Markoviçi qysh atëhere as mund ta shoh as mund t’ia dëgjoj emrin një njeriut kaqë ingrat1) (nanqor) si është Zogu.

Markoviçi, derisa qëndroi në Vjenë, na ka përkrahur e ndihmuar sa ka mundur për çdo nevojë që kemi patur. Por, në kohët e fundit, iu prish qejfi, pasi jehona e rivalitetit midis Qazim Koculit e Ali Këlcyrës dhe midis Xhemal Bushatit e Ibrahim Gjyrezit (nip e dajë) e kaloi kufirin e Komitetit dhe çqetësoi edhe zyrat e legatës (më 1928).

Prej anëtarëve të Komitetit, Xhemal Bushati shkoi e u vendos në Sarajevë, ku, me anë të vëllezërve të tij, u muarr me tregëti dhe kohë pas kohe e ndër raste të nevojëshme vinte në Vjenë. Ndërroi vend edhe Ali Këlcyra për shkak të një polemike me Koço Boshnjakun, polemikë që nuk u pëlqeu autoriteteve vjeneze dhe ndikoi që u nxuarrën që të dy jashtë Vjenës. Pas kësaj, Aliu shkoi e u vendos në Paris. Kështu që komiteti i “Bashkimit kombëtar” në Vjenë përbëhej prej Kol Tromarës, Angjelin Sumës dhe prej meje e Xh. Bushatit, që merrte pjesë në raste të rëndësishme. Më vonë, edhe Qazim Koculi u zgjodh anëtar komiteti.

Pasi Zogu u proklamua “Mbreti i shqiptarëve”, në majin e 1930-ës erdhi në Vjenë Salih Vuçiterni, i cili vizitoi të gjithë krerët e “Bashkimit kombëtar”. Midis të tjerëve, u takua edhe me mua, pasi kemi qenë miq të vjetër dhe shokë partie. S. Vuçiterni, njeriu besnik i Zogut, ka ardhur aso kohe në Vjenë me mision të posaçëm, për të na bindur neve që të kthehemi në Shqipëri.

Në takimin që S. Vuçiterni pati me mua, u zhvillua një bisedë e shtruar si vijon: “Ju, e sidomos ju, shokët e vjetër të Zogut, duhet të ktheni në Shqipëri, pasi deri tashti ngjarjet u zhvilluan në disfavorin tuaj dhe atje u stabilizua gjëndja, e cila me kthimin tuaj do të përmirësohet shumë. Zogu asht mbret ose kryetar republike, kjo nuk prish punë. Kryesorja asht që punët e vendit të shkojnë mirë. Insistimi juaj me qendrue jashtë s’mund të ndryshojë gjëndjen e mbrëndëshme, përveçse ta mbajë të ngrehun gjëndjen e në këtë rast do të përfitojnë të huejt. Prandaj ju, patriotët e vjetër, duhet të bani sakrificë, pse me ardhjen e pjesëmarrjen tuaj në administrimin e shtetit punët do të ndryshojnë shumë”.

I përgjigjem: “Eshtë e vërtetë se ne e humbëm luftën dhe se Zogu dijti të përfitojë nga gabimet e kundërshtarëve të tij. Për ne nuk ka aq rëndësi nëse Zogu është mbret ose kryetar republike. Koka të jetë në rregull, se këmba s’prish aq punë. Prandaj ne hallin nuk e kemi te Zogu si mbret, por te Zogu diktator, që e futi Shqipërinë nën zgjedhën italiane, dhe, e dyta, populli vuan nga një varfëri e pashembëlltë. Pra, po të rregullohen këto të fundit, për tjetrën merremi vesh më lehtë”.

Përgjigjen e fjalëve të mija do ta dëgjojmë nga goja e Abdurrahman Krosit një javë para atentatit kundër Zogut në Vjenë më 20 shkurt 1931.

Po në gushtin e 1930-ës, kur unë kam qënë në Pishtiani, në Sllovaki, për banjë kundër reumatizmës, në Vjenë vjen Fuat Dibra nga Shqipëria, i cili ua kallzon shokëve të mij gjëndjen e vendit. Fuati thirret në Budapest nga një firmë që ka patur punë me të, i cili shkon aty me mendimin për t’u kthyer prapë në Vjenë që të takohej me mua, por, mjerisht, iu desht të kthehej në Stamboll dhe mbetëm pa u informuar mirë mbi gjëndjen në Shqipëri. Fuati e ka urryer Zogun dhe ky s’ka dashur ta shohë me sy atë, për arësye se Fuatin e ka konsideruar si rival dhe si dibran, që mund t’i prishte edhe punë në Dibër. Zogu i ka nxjerrë atij ngatërresa në Tiranë në punën që ka patur e jo vetëm ngatërresa, por, po t’i vinte për kollaj, edhe e eliminonte Fuatin.

Po në vitin 1929-1930 në Vjenë vjen edhe Fuat Toptani, i cili bleu dhe një vilë të mirë në një vend të këndëshëm, ngjitur me Vjenën, në “Göbleuz”. Fuat Beu erdhi në Vjenë për ta kaluar rininë e fundit të pleqërisë me dhjetra mijra napolona në xhep, që mori nga italianët kundrejt çifligjeve që u shiti atyre. Me Fuat Bejnë jam njohur mirë qysh në Tiranë, megjithëqë ai, si Toptanas, e mbante hundën tepër lart. Një ditë më bën një propozim të çuditshëm, pasi na e tregonte vehten si kundërshtar i Zogut. Na thotë, po të mundeni të siguroni 10.000 napolona ari, mund të gjejmë njerëz për të eliminuar Zogun. I thamë se ne s’mund të gjejmë një shumë aqë të madhe, megjithatë do të mendojmë. Nga ana tjetër, marrim vesh se Fuat Beu i kishte thënë Zogut se emigrantët e Vjenës më kanë propozuar 10.000 napolona për të gjetur një njeri për të vrarë Zogun!

Ardhja e Zogut në Vjenë dhe atentati kundër tij*)

Në emigracion merrnim vesh se Zogu ka qënë i sëmurë rëndë e rreth sëmundjes së tij qarkullonin ato lloj lajmesh, që u pëlqenin kundërshtarëve të tij. Kanë shkuar në Shqipëri profesora, mjekë me famë botërore, për ta vizituar e gjoja kanë konstatuar kancer në fyt e nuk e di se ça tjetër. Jeta si e shtyn njerinë të gëzohet me mjerimin e tjetrit! …

Më në fund, marrim vesh se po vjen dhe vërtet erdhi në Vjenë. Shokët tonë të Barit lajmet na i dërgonin me telegrama dhe uronin një fatkeqësi për të. Zogu erdhi dhe ra në Hotel “Imperial”, hotel luksoz i Vjenës, ku zakonisht bien njerëzit më të mëdhenj të botës. Ka ardhur në Vjenë në janar të 1931 si për t’u kuruar. Vizitohet nga mjekët specialistë, të cilët konstatojnë se s’ka tjetër përveç një dobësi ekstreme, të shkaktuar nga abuzimet e mundimet e mëdha. Të gjithë ne u pikëlluam. Në këtë kohë marrim letra, kartolina e telegrame konvencionale nga shokët tanë nga Italia, Greqia e Jugosllavia, ku kërkojnë me insistim prej nesh të Vjenës pa tjetër eliminimin e tij me çdo kusht. Në Vjenë, përveç komitetit dhe anëtarëve të “Bashkimit kombëtar”, ishin edhe emigrantë të tjerë: Hasan Prishtina, Nikoll Ivanaj, dom Frano Karma, Azis Çami, Qazim Mulleti.

Me të ardhur Zogu në Vjenë, adjutanti i tij Zef Serreqi shkon në Drejtorinë e përgjithshme të policisë “Polizzi ­ Direksion” dhe kërkon largimin e emigrantëve shqiptarë gjatë kohës së qëndrimit të Zogut në Vjenë. Drejtoria e policisë ia refuzon këtë kërkesë, duke iu përgjigjur: “Siç jini ju, ashtu edhe ata janë miqtë tanë, prandaj kundër tyre s’mund të marrim një masë të tillë”. Dhe nga ana tjetër, doktor Weiser, shefi i zyrës politike, thërret Angjelin Sumën dhe, pasi ia kallzon demarshin e Zef Serreqit dhe përgjigjen që i dhanë këtij, kërkon fjalën e nderit nga Angjelin Suma se emigrantët e Bashkimit Kombëtar nuk do të bëjnë asnjë akt agresioni kundra Zogut. Agjelin Suma ia dha fjalën e nderit dhe policia deri diku u qetësua. Nga ana tjetër, policia e Vjenës e rrethoi Zogun me dedektivë, i ndaloi emigrantët të kalojnë nga Hotel “Imperiali”, i ndaloi të mbajnë pushkë me vehte e në rast të konstatimit kërcënoi se mbartësit do të dëboheshin nga Vjena.

E diskutuam gjer e gjatë në komitet nëse duhej ose jo të bëhej një atentat kundra jetës së Zogut për të shpëtuar popullin nga tirania dhe Shqipërinë nga Italia. Kjo nuk ishte gjë e pëlqyeshme, por mënyra të tilla mund të justifikohen vetëm kur është në lojë fati e interesi i lartë i një populli.

Mënyra të tilla kanë qënë të zakonshme për Zogun, të cilat ai i ka përdorur pa ngurruar dhe shpeshherë kundër rivalëve dhe njerëzve që formonin një rrezik për pozitën e tij. Nga ana tjetër, kemi patur një presion të madh nga shokët e organizatës që ishin në Itali, Greqi e në Jugosllavi, të cilët pa tjetër dhe me çdo kusht kërkonin eliminimin e Zogut. Në këto kushte ne, tre anëtarët e komitetit (Kol Tromara, Angjelin Suma dhe unë, Sejfi Vllamasi), që të tre që s’kemi qënë krijuar për gjakderdhje, vendosëm për atentat, për ta përdorur këtë mjet të keq, duke menduar se i bëjmë mirë popullit. Xhemal Bushati na lajmëroi me kohë prej Sarajeve se ka qënë i këtij mendimi.

Cincar Markoviçi qysh më 1929 u transferua në Paris si këshilltar legate e në vendin e tij u emërua një tjetër, emri i të cilit nuk më bie ndër mend. Ky, një ditë, na tha: “Do të jem i lumtur po të jem unë i pari që të lajmëroj Beogradin për vrasjen e Zogut”. Pra, nga këto fjalë, kuptuam se me rastin e atentatit s’na vinte ndonjë e keqe nga ana jugosllave*). Të vetmen pengesë morale që kemi patur, ka qënë “fjala e nderit”, që i dha Angjelin Suma policisë së Vjenës në emër të organizatës. Kjo do të ishte një shkelje e rëndë morale, por, duke menduar qëllimin e shkeljes, na u duk sikur na lehtësohej përgjegjësia që na takonte me këtë rast. Vendimi për atentat u dha, por vënia në jetë e këtij vendimi ka qënë tepër i vështirë. Hotel “Imperialit” s’mund t’i afrohej njeri. Zogu ka qënë i rrethuar me dedektivë, shoferi vendin ku do të shkonte e merrte vesh minutën e nisjes, kështu që ndeshja me të bëhej problematike. Vetëm një mundësi mbetej për t’u takuar me të, takimi në opera, teatër dhe ndër vendet e dëfrimit të natës, kabare etj. Për këtë gjë çfaqej nevoja e një organizimi, domethënë të bëhej mobilizimi i burrave e i grave, i të gjithë emigrantëve, që të shkojnë përnatë në vendet që treguam më lart e në rast se Zogu do të diktohej diku, do të lajmërohej me telefon personi që ndodhej në “Opera Kafe” dhe ky do të lajmëronte personat që do të bënin atentatin. Po për të gjitha këto duheshin mjete. Komiteti merrte një subvencion të përmuajshëm prej 10.000 lirash italiane për të botuar gazetën “Bashkimi” dhe nga këto të holla ishte bërë një ekonomi prej 70.000 lirash. Pra, u vendos që këto të holla të prishen për këtë qëllim.

Kush do ta bënte atentatin? U paraqitën dy vullnetarë për këtë qëllim: kapiten Azis Çami dhe toger Ndok Gjeloshi, kurse Qazim Mulleti do të ndiqte Azis Çamin. Dhe në kohën e fundit Xhemal Bushati dërgoi nga Sarajeva vëllanë e tij, Ramiz Bushatin për këtë qëllim, i cili, me të ardhur në Vjenë, për të evituar çdo dyshim, si edhe si i sëmurë që ka qenë, shkoi e u vizitua te një profesor, i cili e dërgoi në spital. Por, me të kuptuar ardhjen e R. Bushatit në Vjenë, Zef Serreqi, adjutant i Zogut, lajmëroi policinë për këtë njeri të dyshimtë. Policia kundra tij nuk mori asnjë masë, pasi ai, me vizitën që bëri te profesori, ndodhej formalisht në rregull. Nga ana tjetër, ai (R. Bushati), në rast nevoje, me fjalë konvencionale, kur të lajmërohej me telefon, menjëherë do të vinte atje ku duhej.

Kur theatrot dhe lokalet e Vjenës kontrolloheshin për natë nga burrat dhe gratë dhe kur gjithësecili e kryente detyrën në një mënyrë të përpiktë, Hasan Prishtina një ditë më tha: “Më ka thënë Nikolla Ivanaj se Abdurrahman Krosi më ka pyetur disa herë se dëshiron të takohet me Sejfinë, prandaj thuaji Sejfiut, kur ta shofësh, të caktojë një vend takimi e të takohet me të”, Unë punën e lashë si në heshtje, por kur H. Prishtina më tha për herë të dytë, fjalët e dyta të Ivanajt, se Krosi paska thënë se “në qoftë se Sejfiu nuk vjen te unë, vete unë te ai”, atehere i caktova të vijë në “Opera Kafe”, ora 16 pas dreke, kafja e zakonëshme jonë. Më 12 shkurt, ora 16, shoh Krosin me Llesh Topallajn në një kanape të gjatë karshi derës së kafes, ku kishin zënë vend në të dy skajet e kanapesë në një mënyrë që njëri kontrollonte shpinën e tjetrit dhe Qazim Mulleti, në mes të kanapesë, ishte duke biseduar me Llesh Topallanë, adjutantin e Zogut. Me të hyrë unë te dera, Krosi më pa, por menjëherë uli sytë dhe bëri sikur nuk më pa. Unë ju drejtova me buzëqeshje dhe kur ju afrova u ngrit, u përqafuam sikur s’kemi patur gjë në mes tonë. Kur rri pranë Krosit, shoh afër derës në një tavolinë Kol Tromarën me Azis Çamin. Këta, që të dy, megjithëqë e njihnin mirë, nuk e kishin salutuar Krosin e, për atë arësye, se mos edhe unë mund të ndiqnja shembullin e tyre, ai uli sytë kur më pa mua. Pas fjalëve të rastit, Abdurrahman Krosi më tha: “Ne kemi qënë shokë e miq, dhe mbreti të ka dashur shumë, gjithashtu e ke dashur edhe ti atë. Eshtë mëkatë të rrini jashtë e atdheu të mos përfitojë prej jush. Ti ktheju në Shqipëri, ku do të kesh pozita me rëndësi për me i shërbye vendit, pse mbreti ka nevojë për njerëz të ndershëm. Mbreti asht i squet dhe nuk shkel në drrasë të kalbët. Qe besa zotin e besa zotin, po të betohem, se përveç traktatit që kemi dhe që dini ju, s’kemi asnjë lidhje të msheftë me Italinë dhe ky traktat merr fund në nandorin e këtij viti dhe më nuk do të përsëritet. Sa për vuejtjen e popullit, Shqipëria asnjëherë s’ka pasë begati sesa ka sot, gjithashtu edhe kaq bollëk e lirësi (Përgjigja e fjalëve që i pata thënë Salih Vuçiternit në majin e 1930-ës). Eja, pra, në Shqipëri dhe eja m’u taku edhe me mbretin, se puna do të bahet mirë. A e mban mënt sesa mirë kemi punue para e pas Kongresit të Lushnjës? A i muert vesht se kush ka qënë Gurakuqi me shokë dhe kur erdhën në fuqi si janë sjellë kundra jush? Juve të Krahut Kombëtar, që bashkëpunuet me ta në Kryengritjen e Qershorit, kanë dashun me ju vra. Dy muej para se hyni mbreti në Shqipni, unë kam hy në Dibër. Në atë kohë opozita e vjetër, që kishte qeverinë në dorë, me kryeministër Fan Nolin, banin propaganda për me e bashkue krejt Dibrën dhe dibranët që ishin me ne, për kundra jush dhe, para zgjedhjeve, me një kryengritje t’u vritëshin juve, por anëtarët tanë i këshillova të mos bashkohen me ta”. Me një fjalë, Abdurrahman Krosi deshi të më bindëte mua të kthehesha në Shqipëri bashkë me disa shokë të Krahut Kombëtar e nga ana tjetër të shkoj të takoj edhe me Zogun.

Unë në gjithë këto bisedime asnjëherë nuk e mora në gojë emrin e Zogut, as fjalën mbret, as edhe pyeta për të. Nuk dija ç’t’i thosha! Hipokrizia s’më ka pëlqyer kurrë. Kurrë ndonjëherë në jetën time s’kam qënë ngushtë si atë ditë. Të mos ishte çështja e atentatit, unë do të takohesha me Zogun e t’ia thosha ato që kisha për t’i thënë. Por ne, kur ishim duke përgatitur atentatin, të shkoja, përse? Të shkoja e t’i thosha:

“Ruaju se do të të vrasin?” apo të shkoja e të mos i thosha gjë e pastaj t’i binim? Që të dy rastet do të ishin shumë të dobëta, gjë që s’ishin për mua. Për këtë shkak unë preferova të heshtja dhe nuk i dhashë asnjë përgjigje për sa kërkonte prej meje. Krosi e kuptoi dhe u prish tepër. Ai u nda shumë ftohtë prej meje dhe pas atentatit i kishte thënë Zija Toptanit duke rrahur gjoksin: “Ah, ai Sejfiu”!

Gjurmimet po vazhdonin në rregull. Përveç ne emigrantëve, si gjurmues kemi patur edhe një austriak vjenez.

Më 20 shkurt 1931, në mbrëmje, Kol Tromara, Azis Çami, një grek me origjinë shqiptare dhe unë, gjithnjë në pritje, në katin e lartë të Operës Kafe, 10 metra larg Operës, në një dhomë, ishim duke lozur poker. E shoqja e Hasan Prishtinës, ajo e Ndok Gjeloshit dhe ime shoqe ishin caktuar për në Burg Teatër. Ndok Gjeloshi ka qënë në pritje në një kafe afër Polizei Direksion-it. Qazim Mulleti qëndronte afër nesh. Në një dhomë tjetër të Opera Kafesë ishte Hasan Prishtina me Fuat Toptanin. Ky i fundit s’dinte gjë për atentatin. Në ora 9 marr një telefon nga Angjelin Suma, ku më lajmëronte se Zogu ishte në Opera ku loste Aida. Zogu ishte diktuar prej vjenezit. Unë menjëherë shkova në telefon, por në librin e telefonit fleta që përmbante numurin e kafes ku priste Gjeloshi mungonte. Thirra garsonin dhe i thashë për numurin, i cili ma gjeti në një libër tjetër.

Gjeloshi kishte ikur nga kafeja pse e kishte lajmëruar A. Suma. E thërres Azisin më nj’anë dhe i them se Zogu ishte në Opera. H. Prishtina u largua bashkë me F. Toptanin, që ky i fundit të mos kuptonte gjë nga vajtjet dhe ardhjet e shpeshta tona … Azizit i themi: “Erdhi koha për veprim”. Azizi ma përmëndi rrezikun që i kërcënohej nga policia, në rast se ajo atë do ta gjente me pushkë e atëhere e shoqja me të birin do të mbeteshin rrugëve. I them: “Nuk është koha për këto fjalë tani, neve na takoi kjo barrë e rëndë dhe e shëmtuar, prandaj tani duhet vepruar”. Atëhere më tha: “Mos kujto se kam frikë” dhe shkoi të marrë pushkën. Q. Mulleti i tha Azizit se “ta kam dhënë fjalën dhe jam me ty” dhe e ndoqi Azizin.

Ndok Gjeloshi, i lajmëruar me kohë, ishte duke pritur karshi derës së daljes nga opera. Ky më parë e ka njohur Zogun normal dhe duhej ta dinte se Zogu i sëmurë s’duhej të kishte trupin e parë. Azis Çami me Qazim Mulletin, disa metro larg derës, pritnin në “Ring” (Bulevard), në rrugën kryesore të Vjenës. Ne të tre vetë bënim sikur e vazhdonim lojën. Pas pak kohe, me një interval, të vogël u dëgjuan dy herash krisma pushkësh. Zogu, pa e parë Ndok Gjeloshin, bashkë me Eqrem Libohovën hynë në automobil dhe, kur pas këtyre ishte duke hyrë Llesh Topallaj, i gjatë dhe i shëndoshë, Gjeloshi, jo aq i zgjuar, duke e kujtuar për Zogun, e qëllon prapa kokës Topallanë dhe e lë vdekur në vend. Gjeloshit më nuk i punoi pushka. Dedektivët, duke u kapur dorë më dorë, e rrethojnë automobilin e Zogut. Azizi, me të dëgjuar pushkët, e çan rrethin e dedektivave, sulmon automobilin dhe rreth e përqark e qëllon shtatë herë me nagant. Sikur Zogu të kishte qënë në pozitë normale, të shtatë plumbat, sipas mendimit të ekspertave, do ta kishin prekur, por ai shtrihet në automobil dhe i shpëton vdekjes. Eqrem Libohova, i cili për mbrojtje kishte zbrazur disa herë pushkën e tij, plagoset në këmbë, Atentatorët çarmatosen. Qazim Mulleti nuk e ndoqi Azizin. Ai largohet nga vendi i atentatit, e fsheh pushkën dhe me plot emocion na vjen në kafe, kur ne, për sy e për faqe, ishim duke vazhduar lojën. Para Mulletit vjen gruaja ime në kafe dhe Mulletit të emocionuar i porosit kafe. Gruan time, Naxhijen, pasi di mjaft mirë gjermanisht, e dërgova poshtë të merrte vesh mbi ngjarjen. Austriakët ishin duke na sharë me fjalë “gauner albanez”, “banditë shqiptarë”, pasi kafja ka qënë ngjitur me vendin e atentatit, ku ishte shkaktuar një panik nga shkaku i ngjarjes. Ime shoqe i telefonon Hasan Prishtinës, por edhe ky nuk e kishte kuptuar se kush ishte vrarë.

Ne largohemi nga Kafe Opera, shkuam në “Maria Hilfer Kafe”, ku me telefon na informoi H. Prishtina se si kishte ngjarë puna.

Shkova në shtëpi, i pastrova letrat komprometuese dhe në ora 3 pas mesnate më muarrë dedektivat dhe më dërguan në burgun e policisë. Të gjithë emigrantët e Vjenës, përveç Hasan Prishtinës, u arrestuan. Atentatorët, Angjelin Suma dhe Qazim Mulleti u dërguan drejt në “Landes geridit” në (burgun e madh), kurse ne të tjerët në atë të policisë.

Bashkia e Vjenës në atë kohë ka qënë në duar të socialistëve. Socialistëve u kishte ardhur keq që Zogu dolli i paprekur në këtë mes. Italia ka bërë presione të mëdha mbi qeverinë austriake për të na dënuar ne të gjithëve. Qeveria e Vjenës emëroi hetuesin më të aftë, doktor Frida, dhe si dragoman z. Papaport-in, ish shefi i seksionit për çështjet ballkanike në Ministrinë e Jashtme, i cili e zotëronte fare mirë shqipen. Në atë kohë ministër i jashtëm ka qënë ish Drejtor i Përgjithshëm i Policisë dr …. (nuk më bie ndër mend emri), një nga burrat e shtetit më të çquar të Austrisë, i cili me këtë rast u bë objekti i shumë presioneve nga ana e Italisë.

Mbi një gabim trashanik të Rexhep Mitrovicës, i cili kompromentoi vehten, kunatin tim Memduh Angonin, student në Fakultetin e Medicinës në Vjenë, dhe mua; që të tre nga burgu i Policisë u transferuam në “Landes geridit”. Para se të bëhet atentati, me një copë letër e lajmëroj R. Mitrovicën të shkojë me të shoqen e me kunatin tim në një lokal të natës me qëllim gjurmimi. Letrën ia dërgova me Ali Dragën dhe, pëveç atyre që shkrova në letër, e porosita Dragën që t’i thoshte edhe me gojë Rexhepit që ta griste letrën patjetër pasi ta lexonte. Por unë sikur i shkrova të kundërtën: ai, në vend që ta griste letrën, e vë në xhep, e harron atje dhe, në kontrollim e sipër, letra ra në dorë të policisë.

Edhe në hetuesi garsoni që më gjeti numrin e telefonit të kafesë ku priste Ndok Gjeloshi, në ballafaqim e tha se si ngjau puna dhe kështu u komprometova rëndë. Me gjithë këto fakte, hetuesia më 28 prill 1931 vendosi për ndalim gjyqi dhe na liroi, kurse në muajin korrik, liroi me po atë mënyrë Angjelin Sumën dhe Qazim Mulletin. Por, ndërkohë, policia na dëboi nga Vjena, me kusht që të mos kemi të drejtë edhe një herë të hyjmë në Austri.

Shokët e tjerë, që ishin në burgun e policisë, ishin dëbuar me kohë. Pasi Bashkia e Vjenës ka qënë në duar të socialistëve, në rast se gjyqi do të bëhej në Vjenë, juria, me siguri, atentatorët do t’i nxirrte të pafajshëm për deliktet e tyre politike, gjë që do të ishte në kundërshtim me dëshirën e Italisë fashiste. Për atë arësye, qeveria e Vjenës, për t’i bërë një kompliment Italisë, vendosi ta bëjë gjyqin në një vend të vogël, ku populli ka qënë katolik fetar, pasues i Partisë Popullore; nga ana tjetër, për t’u bërë qejfin emigrantëve politikë, neve na liroi, me ndalim gjyqi, Gjyqi Ndok Gjeloshin e dënoi me tre vjet e gjysmë privim lirie dhe Azis Çamin me dy vjet e gjysmë.

Ndërkohë, konsulltatat e huaja, ato të vendeve të Evropës Perëndimore nuk na akordonin viza, përveç Gjermanisë. Një pjesë e mirë e emigrantëve kishte kaluar në Pragë. Ne, R. Mitrovica me të shoqen, unë me time shoqe e kunatin tim, të shoqëruar nga policia kaluam në Mynih. Atje, pas 11 ditë mundimi, e bindëm konsullin francez dhe me vizë franceze kaluam në Paris, ku gjetëm Ali Këlcyrën. Pas pak kohe erdhi edhe Kol Tromara nga Praga dhe Angjelin Suma i dëbuar nga Vjena. Kështu që qëndra e “Bashkimit Kombëtar” u transferua në Paris, ku gjetëm edhe Cincar Markoviçin si këshilltar të Legatës Jugosllave.

Qeveria e Beogradit, me dështimin e atentatit, na i pakësoi subvencionet, me të cilët ne të Parisit ndihmonim edhe të tjerë që kanë qënë pa ndihma.

Në Paris erdhi edhe Hasan Prishtina, Nikoll Ivanaj, Qazim Mulleti, Frano Karma dhe më vonë, pas lirimit të tyre, erdhi edhe Azis Çami. Ndok Gjeloshi me don Loro Cakën, mbetën në Pragë.

Pas atentatit, masa policore u muarrën vetëm kundra emigrantëve që ndodheshin në Vjenë, kurse emigrantët që ndodheshin në Graz ishin të lirë. Qazim Koculi prej Grazit erdhi në Paris, kurse Riza Dani me Xhevat Korçën më vonë u vendosën në Fiume.

Aktiviteti i “Bashkimit Kombëtar” në Paris

Pas instalitimit të tij në Paris, Komiteti i “Bashkimit Kombëtar” e vazhdoi luftën kundër Zogut e kundër Italisë fashiste me organin e tij “Bashkimi”, botuar në shqip e që shumë herë përmbante edhe artikuj frëngjisht, dhe shpesh herë me artikuj botuar në gazetat pariziane, me shkrimet në Lidhjen e Kombeve etj. por lufta me mjete të tilla ishte krejt e pamjaftueshme për ta tundur Zogun nga vendi. Ishte absurd mendimi se mund të kishim shpresë për ndihmën efektive jugosllave për një kryengritje kundër Zogut. Qeveria jugosllave më 1924 e ndihmoi Zogun, por kjo ndihmë u bë me pëlqimin dhe nxitjen e anglo-francezëve, të Italisë e të Greqisë, pas një komploti ndërkombëtar për të ndarë vajgurin e Shqipërisë. Pra, ankimet tona në Lidhjen e Kombeve e artikujt nëpër gazeta s’mund të bënin efektin që dëshironim ne. I vetmi mjet i sigurtë e pa komplikacione të jashtëme ka qenë organizimi i popullit e me forcën e tij t’i jepej grushti i merituar diktatorit, që qëndronte në fuqi kundër vullnetit të popullit e me përkrahjen e huaj.

Gazetën “Bashkimi” me anën e konsullatave jugosllave e futnim në Shkodër, në Korçë e në Vlorë. Dhe në Shkodër përfaqësuesin e organizatës sonë kemi patur Hafiz Ali Krajën, me të cilin, me ndërmjetësinë e personit tim, kemi patur korrespondencë të rregulltë. I aftë, guximtar, Hafiz Aliu e ka kryer detyrën më së miri jo vetëm në Shkodër, por edhe në lidhjet që ka patur edhe me patriotët e viseve të tjera të Shqipërisë.

Në korrik të 1932, me pseudonimin Felix Ponset (emri i vërtetë Bilal Golemi)*) marr një kartolinë nga Le Mont Dore, ku kishte ardhur nga Tirana për një kurë në termalet kundër astmës, i cili më shkruante të shkoja të takohesha me të. I marrun vesh qysh më parë me Hafiz Alinë, mbi emrin e vërtetë të tij, shkova dhe u takova me të, i cili ma shpjegoi gjerë e gjatë situatën e brëndëshme të vendit dhe më foli për organizatën e Vlorës. Ai, para se të kthehej në Tiranë, erdhi në Paris, ku e takova edhe një herë tjetër. Në të dy rastet ai u tregua tepër entusiazt, m’u mburr në organizatën e Vlorës, për sukseset e saj dhe për shpresën e madhe që ka patur në të. Por, mjerisht, ajo dështoi dhe shokët tanë më të mirë si Hafiz Aliu, dr. Bilali etj. u arratisën.

Organizata e Fierit - Pas dështimit të organizatës së Vlorës, u organizua një tjetër, që u quajt organizata e Fierit, shumë e gjerë dhe më e fortë se ajo e Vlorës. Por edhe kjo, me vrasjen para kohe të gjeneral Gjilardit në Fier, u zbulua nga qeveria dhe u mbyt nga ana e kësaj, para se të fillonte veprimin në kohën e caktuar. Pra, si gjithë organizatat tona, edhe kjo dështoi dhe dega e Fierit, e përbërë prej Kostë Çekrezit, aspirantit të xhandarmërisë Musa Krajnës, Zejnel Hekalit etj., mezi ikën me një barkë dhe zbarkuan në Itali dhe prej andej mbërrinë ne Paris. Kështu mori fund më 1935 në favor të Zogut edhe kjo përpjekje për të bërë diçka. Të gjithë këto dështime nuk janë rezultati i fatit në favor të Zogut, por rezultati i llogarive të bëra keq, gjë që rrjedh nga papjekuria jonë në atë kohë.

“Lidhja nacionale liberale”

Pas dështimit të Kryengritjes së Fierit, me inisiativën e disa organizatave e grupeve në Paris, u bë një bashkim nën emrin “Lidhja nacionale liberale”. Proklamatën dhe rezolutën e Kuvendit po e shkruajmë më poshtë:

 

 

Proklamatë:

Popull shqiptar,

Kuvendi i organizatave, kollonive dhe grupeve t’emigra-ntëve në dhe të huaj, i përbërë prej delegatëve të:

Bashkimit Kombëtar;

Çlirimit Nacional;

Grupit të Organizatës së Fierit;

Lidhjes shqiptare në St. Louis, Mo (Amerikë);

Grupit të Emigrantëve në Jugosllavi;

Organizatës shqiptare, në Boston, Mass;

Grupit të Tiranës;

Grupit të Mustafa Krujës;

Shoqërisë “Dëshira”, Sofje;

Grupit t’emigrantëve të Kubës;

Grupit t’Athinës;

Grupit t’emigrantëve të Janinës;

Grupit Puntor “Liria”, Francë;

Kollonisë së Varnës, Bullgari;

Organizatës Revolucionare, Boston, Mass.;

dhe me aderimin me letra të një numri tjetër të grupeve dhe kollonive të jashtme, që u mbajt në Paris, që më 10 gjer më 16 mars, në sallën “Societes savantes”, të çon të fala dhe të jep lajmin gazmor të bashkimit të mbarë që u bë me vendim të njëzëshëm të delegatëve të Kuvendit, i cili ngrehu organizatën e përbashkët nën emrin “Lidhja nacionale liberale”.

Pas lëvizjeve e kryengritjeve të njëpasnjëshme që dështuan nga shkaku i përçarjeve dhe mungesës së bashkimit ndërmjet atyre që kanë në zemër dashurinë e atdheut dhe janë të lirë që ta çfaqin për të mirën dhe shpëtimin t’ënt, o popull i shtypur, i varfëruar dhe i tradhëtuar prej regjimit të sotmë, u bë, më në fund, ky bashkim i të gjithëve, prej të gjithëve dhe për të gjithë, rreth një programit të përbashkët*) që:

Të të kthejë prapë të drejtat sovrane të grabitura pabesisht dhe tradhëtisht nga regjimi i sotmë;

Të të sigurojë Lirinë, Drejtësinë dhe Lumtërinë me anën e një republike parlamentare dhe konstitucionale, e cila do të vendoset për së shpejti në Shqipëri, me anën e me fuqin t’Ende.

N’atë Republikën t’Ende, liria e fjalës, e shtypit, e ndërgjegjes, e mbledhjes dhe shoqërimit, dhe ushtrimit të lirë të feve do të bëhen efektive me anën e vënies se tyre nën mbrojtjen e posaçme të gjykatave të vendit.

Të përmirësohet përgjithësisht gjendja Jote shoqnore, me anën e lartësimit të moralit dhe të dinjitetit t’Ent të marrë nëpër këmbë gjer tani, në mënyrë që:

Bujku të ketë mjaft tokë të tijën, sa të jetë i zoti ta punojë me krahët e tij dhe të familjes së tij;

Punëtori të ketë shoqëritë dhe sindikatat e tij, për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e klasës së tij;

Për tregtarët, fshatarët dhe kreditorët, përgjithësisht të deklarohet një moratorium prej jo më pak se 10 vjet, për pagimin e borxheve me këste, dhe të merren masa ligjore efektive kundër uzurës dhe borxheve të padrejta.

Të thjeshtësohet dhe administrata e shtetit dhe e krahinave, në mënyrë që Ti, Popull, të gëzosh të drejtën e vetqeverimit në Bashki dhe Komuna.

Të gjitha do të realizohen në një Shqipëri krejt indipendente, politikisht dhe ekonomikisht, Qeveria Nacionale e të cilës do të mundohet, me gjithë energjinë dhe nderin e saj, që të rishikohen traktatet dhe konvencionet që cënojnë parimin e indipendencës politike dhe ekonomike, të prishen traktatet dhe konvecionet që bëjnë Shqipërinë fushë veprimi kundër shteteve të tjerë, të anullohen koncesionet, monopolet dhe privilegjet që janë në dëm të interesit të përgjithshëm dhe të çduken shkaqet e pabarazisë shoqnore, në mënyrë që secili të jetë i lirë të sigurojë lumturinë e tij brenda ligjeve të barabarta për të gjithë.

“Popull i Shqipërisë, ky është programi i “Lidhjes nacionale liberale”, që u formua me një zë në gjirin e Kuvendit të Parisit, për të shpëtuar Shqipërinë nga tradhëtia dhe nga mjerimet.

Mos u gënje më nga reformat dredhanike të Zogut gjaksor dhe të pabesë, që ndrron vetëm qimen, për të siguruar më mirë sundimin e tij tiranik dhe tradhëtar. Mos harro që ay ndryshim u bë vetëm me forcën t’ënde të çfaqur në kryengritjen e Fierit.

Zogu dhe klika e tij nuk dëgjon tjetër argument veç forcës dhe grushtit të Popullit. Prandaj duhet të bëhesh gati për një grusht të fundit, me anën e të cilit do të vësh në vend Qeverinë t’Ende dhe të Drejtat e Tua Sovrane, të cilat sot po i shpërdoron Beu grabitës i Matit.

Komiteti i “Lidhjes nacionale liberale”, që dolli nga gjiri i Kuvendit të Parisit, do të punojë pareshtur, për realizimin e atij qëllimi, dhe paskëtaj do të jetë gjithnjë në kontakt të ngushtë me Ty, për të siguruar triumfin e Lirisë, të Drejtësisë dhe të Barazisë në të katër anët e Atdheut tonë.

Popull, mbaji sytë dhe veshët të çelur se Dita e Lirisë ësht’e afërme.

N’emër të Kuvendit

Komiteti i “Lidhjes nacionale liberale”.

 

Paris, më 23 mars 1936

 

Komiteti:Koculi, Suma, Fundo, H. Xhelo, K. Çekrezi.

Rezolucioni i Kuvendit të “Lidhjes nacionale liberale”

Delegatët e organizatave dhe të grupeve të emigrantëve shqiptarë që shënohen më poshtë, të mbledhur në Kuvend që më 10 gjer më 16 mars 1936 në sallën “Societes savantes”, 28 rue Serpente, Paris, pasi janë të bindur që vazhdimi i regjimit të Zogut ka për të shkaktuar edhe katastrofa të tjera, edhe më të mëdha, aq për shtetin edhe për popullin shqiptar sa edhe për paqen e Evropës, formuan një front të përbashkët veprimi nën emrin “Lidhja nacionale liberale” dhe vendosën programin që vijon:

1) Për të siguruar drejtësinë, lirinë dhe lumturinë në shtetin tonë, Shqipëria duhet të kthehet sërisht, me forcën dhe fuqinë e popullit, në republikë demokratike parlamentare, me liri konstitucionale, të garantuar me statutin që ka për të vendosur Asamblea Konstituente.

Liria e fjalës, e shtypit, e ndërgjegjes, e shoqërimit, e mbledhjes dhe e ushtrimit të lirë të feve, të bëhen efektive me vënien e tyre nën mbrojtjen e posaçme të gjykatave të vendit.

2) Të sigurohet tërësia tokësore dhe të mbrohet indipendenca politike dhe ekonomike e shtetit. Për këtë qëllim të kërkohet rishikimi i traktateve dhe konvencioneve që prekin parimin e sipërmë, ose që e bëjnë Shqipërinë fushë veprimi kundër shteteve të tjerë. Të mbahen marrëdhënie miqsore me shtetet fqinjë në të dy anët e Adriatikut, brenda paktit të Lidhjes së Kombeve.

3) T’anullohen monopolet, koncesionet dhe privilegjet që janë në dëm të shtetit dhe të popullit dhe të çduken shkaqet e pabarazive shoqërore për t’i dhënë rast secilit të kërkojë sigurimin e lumtërisë së vet, brenda ligjeve të barabarta për të gjithë.

4) Të përmirësohen përgjithësisht konditat shoqërore, duke lartësuar moralin dhe dinjitetin e popullit të shtypur. Për bujqit të vihet në veprim reforma agrare, duke e zbatuar në tokat e shtetit dhe në pasuritë e mëdha private, me përjashtimin e pronave të vogla, në mënyrë që mos t’i mungojë askujt toka që mund të punojë me krahët e veta.

Me ligje të posaçme t’u sigurohet punëtorëve e drejta e formimit të sindikatave dhe shoqërive për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Me ligj të posaçmë të deklarohet një moratorium jo më pak se 10 vjet për pagimin e borxheve me këste, me dispozita të veçanta kundër uzurës dhe borxheve të padrejta.

5) Të thjeshtësohet administrata e shtetit dhe e krahinave, duke u stërvitur populli me ushtrimin e të drejtave të vetqeverimit municipal.

Zbatimi i këtij programi i ngarkohet një Komiteti veprimtar të “Lidhjes nacionale liberale” prej pesë vetash, i cili do t’i njoftojë njëkohësisht dhe gjithë botës gjëndjen e sotme të përvajtueshme të vendit tonë.

Komiteti ka të drejtë të zgjedhë vetë qëndrën e tij.

Anëtarët e tij, që mund t’i mungojnë rastësisht, do të zëvëndësohen prej aqë anëtarësh të tjerë të shënuar nga grupi që i përkasin (nënshkrimet e delegatëve t’organizatave dhe grupeve, të shënuar në ballë të proklamatës).

Tentativa të reja të “Bashkimit kombëtar”

Me gjithë vullnetin e mirë e dëshirën e zjarrtë që patën anëtarët e “Lidhjes nacionale liberale”, dhe me gjithë aktivitetin që këta patën mundësi të zhvillonin brenda e jashtë atdheut për ta përmbysur regjimin e Zogut dhe për ta shpëtuar Shqipërinë nga rreziku i fashizmit italian, kjo dëshirë nuk u plotësua dot për arësye se një popull i çarmatosur, pa pjesëmarrjen e ushtërisë, nuk mund të bëjë një kryengritje me shpresë suksesi kundër një diktatori që disponon fuqi t’armatosura. Kjo gjë, si kudo, u provua shpeshherë edhe në kryengritjet që u bënë në Shqipëri.

Nga ana tjetër, me ardhjen e Stojadinoviçit në fuqi, i cili e devijoi politikën e jashtëme të Jugosllavisë drejt një politike miqësie me Italinë fashiste dhe me Gjermaninë naziste, dhe duke parë se Evropa ndodhej në agimin e Luftës së Dytë Botërore, ne, anëtarët e “Bashkimit kombëtar,” menduam të kërkonim një tjetër rrugëdalje, pasi fuqitë tona, siç u provuan gjatë 13-14 vjetëve, nuk u dukën të mjaftueshme për të ardhur në ndihmë të atdheut. E siç e shpjeguam gjer e gjatë më lart, më 1925-1926, pas aministisë që bëri Zogu me qëllim që të çkatërronte emigracionin, ne, para se të formonim organizatën “Bashkimi kombëtar”, kërkuam ndihmën financiare të qeverisë jugosllave, me kusht të një bashkëpunimi të të dy palëve përkundra Zogut e kundra Italisë. Kjo kërkesa jonë ishte pranuar prej qeverisë jugosllave dhe, në bazë të kësaj marrëveshjeje, bashkëpunimi vazhdoi pa ndërprerje. Kurse me devijimin e politikës jugosllave drejt politikës së Italisë fashiste, për ne, anëtarët e “Bashkimit kombëtar”, e para, s’kishte kuptim më bashkëpunimi me Jugosllavinë; dhe, e dyta, qysh prej devijimit, vazhdimi i marrjes së ndihmës financiare nga Jugosllavia neve do të na zbriste në shkallë të mercenarëve; e treta, pasi nga moszhvillimi i mjaftueshëm politik e shoqëror i popullit tonë e si rrjedhim nga mungesa e organizimeve shoqërore, ne nuk kishim asnjë shpresë ndihme nga ana e popullit, siç nuk patëm gjatë 15 vjetëve, gjë që lë të kuptohet se në këtë gjendje jo që nuk do të ishim të vlefshëm për asgjë, por, duke qënë në shumicën dërrmuese edhe në moshë të kaluar, do të ishim të dënuar të vdisnim rrugëve në kohën e luftës botërore që do të shpërthente pa tjetër.

Përveç ato që thamë më lart, kohët e fundit shihnim se edhe qeveria jugosllave ishte mërzitur nga emigracioni shqiptar që vazhdoi kaqë gjatë, por i vinte rëndë të vepronte kundër angazhimit që mori më 1926 për t’i subvencionuar emigrantët që pëlqeu me plot dëshirën e saj.

Të gjitha këto mendime na preokuponin si për fatin e emigracionit, që s’kishte kuptim të vazhdonte në kohën e një lufte botërore ku çdo gjë do të ndreqej me anën e forcës, ashtu edhe për fatin tonë personal, sepse nuk do të ishim në gjendje të siguronim jetesën tonë, me krahët tonë, në kohë lufte. Këto gjëra na bënin që ne, anëtarët e Komitetit të “Bashkimit kombëtar” të merrnin sa më parë një vendim për të ardhmen tonë e t’ua u tregonim shokëve gjendjen, duke i lënë ata të lirë të vepronin sipas dëshirës së tyre.

Mendimi i anëtarëve të komitetit, që përbëhej prej: Ali Këlcyrës, Angjelin Sumës, Kol Tromarës, Qazim Koculit e Sejfi Vllamasit, pas shumë shoshitjeve, ishte përqëndruar në këtë pikë: Pasi s’ka tjetër rrugëdalje përveç kthimit në Shqipëri, ne, komiteti, duke qënë prezent edhe Rexhep Mitrovica, kemi qënë pa përjashtim dakord të kthehemi në Shqipëri. E duke përfituar prej rastit të ardhjes së Koço Kotës*) për një kurë në Paris, në gushtin e 1938-ës u vendos në Komitet që të shkoj unë të takohesha me të, pasi dikur kam qënë shok me të, megjithëqë, si inisiator i memorandumit të famëshëm që u dha më 1921, pas zgjedhjeve të para parlamentare, unë nuk flisnja me të. Në bazë të vendimit që u muar në Komitet, unë do t’i thosha Koço Kotës se disa nga anëtarët e Komitetit mendojnë për t’u kthyer në Shqipëri.

Me ndërmjetësinë e nipit të tij Milto Noçka, sekretari i Legatës shqiptare në Paris, kërkova një takim me K. Kotën, i cili m’u dha në një nga kafetë e Champs-Elysee-së, ku u takova me të dhe, pas bisedimeve të rastit, ai e filloi fjalën: “Po çfaq mendimin tim personal, – tha. -Duke e lënë më nj’anë se kush është fajtor për luftën që po vazhdon kaq vjet midis dy palëve, po të them hapët se s’mund të dyshojë askush në patriotizmin tuaj, por si në çdo luftë humbja e njërës palë është e paevitueshme. Pra, këtë luftë e humbët ju, por nderi juaj mbetet i paprekëshëm. Vetëm duhet ditur se lufta që kini bërë ju e ka shtrënguar palën tjetër t’u bëjë koncesione të huajve në dëm të vendit. Sot gjendja në Shqipëri është stabilizuar, prandaj është i kotë qëndrimi juaj në emigracion, por, nga ana tjetër, kthimi juaj në Shqipëri patjetër do të jetë në dobi të vendit, duke e zbutur dhe e përmirësuar administratën e shtetit”.

Iu përgjigja si vijon: “Ne, kur vendosëm të qëndrojmë në emigracion, kemi qënë të bindur se do t’i shërbejmë vendit tonë dhe gjatë 14 vjetëve bëmë aq sa mundëm dhe aq sa na lejuan rrethanat, por, duke qënë se “guri është i rëndë në vendin e vet”, ne s’mundëm ta fitonim luftën. Mjerisht, me luftën tonë e shtrënguam kundërshtarin tonë të bëjë koncesione të rënda në dëm të vendit me qëllim që të forconte pozitën e tij. Sidoqoftë, ne e humbëm luftën dhe disa prej nesh e konsiderojnë të kotë qëndrimin në emigracion dhe mendojnë të kthehen në Shqipëri. Ne nuk e dimë mendimin e Zogut dhe të qeverisë në këtë çështje. Ne, pasi e humbëm luftën, nuk jemi në pozitë të kërkojmë ato që ëndërronim dikur, por kërkojmë vetëm:

1 – Një amnisti, e jo grace1), pasi shumica e anëtarëve të “Bashkimit kombëtar” janë dënuar me vdekje nga gjyqi politik i Tiranës, si të komprometuar në atentatin e Vjenës; 2 – Të mos preket nderi dhe dinjiteti i asnjë anëtari; 3 – Sipas aftësisë së tyre, t’u jepet punë shokëve të rinj dhe pension për moshën e kaluar”.

Koço Kota më tha se për një javë do të nisej për Shqipëri dhe me anën e Miltos do të jepte përgjigjen mbi sa folëm.

Para se të takohemi me Koço Kotën, në bisedimet që kemi patur në Komiteti, pa asnjë kundërshtim, kemi qënë dakord midis nesh për kthimin tonë në Shqipëri, por, pas takimit që bëra me të, kur mendimi ynë filloi të hyjë në fazën konkrete, filluan intrigat nga ana e Qazim Koculit dhe lëkundjet nga ana e Ali Këlcyrës.

Në një takim që pata me Milto Noçkën, ky më tha se Qazim Koculi e paska takuar këtë dhe paska patur një bisedim rezervat me të. E pyeta Milton për karakterin e bisedimit, por ai nuk më kallzoi. Por unë i thashë: “Në çdo formë qoftë, Q. Koculi s’mund të flasë në emër të Komitetit, prandaj ti fjalët e tij mund t’i pranosh si fjalë personale e jo si fjalë të Komitetit”. Kur u tregova shokëve të Komitetit takimin që ka patur Q. Koculi me Milton dhe bisedimin misterioz me të, Komiteti më ngarkoi edhe një herë t’i them Miltos, në takimin e fundit, para se të nisej për Tiranë, se “fjalët e Komitetit të “Bashkimit kombëtar” janë ato që të kam thënë unë dhe çdo fjalë e thënë dhe çdo tentativë e bërë nga kushdo qoftë s’ka të bëjë me Komitetin”. Në takimin e fundit erdhi edhe Qazim Koculi dhe përpara tij ia komunikova Miltos fjalët që më ngarkoi Komiteti.

Miltoja niset për Tiranë dhe kthehet pas 10-15 ditësh.

Nuk më solli asnjë përgjigje nga vetë Koço Kota, por na komunikoi se Zogu në vend të amnistisë bën një grace për ata që dëshirojnë të kthehen në Shqipëri.

Kjo ka qënë një përgjigje negative nga ana e Zogut, e cila tregon se ai nuk e dëshironte kthimin tonë në Shqipëri dhe prandaj K. Kota, pasi e kuptoi qëllimin e sovranit rreth nesh, s’më dha asnjë përgjigje.

Pse Zogu nuk e desh kthimin tonë në Shqipëri? Për mua shkaqet janë këto:

1 – Zogu me atentatin që iu bë në Vjenë, më 20 shkurt 1931, u zëmërua tepër prej anëtarëve të “Bashkimit Kombëtar” e sidomos prej meje, që një javë para atentatit u tregova i ftohtë përpara propozimeve të Abdurrahman Krosit për t’u kthyer në Shqipëri, siç e kam përshkruar më sipër (në Atentatin e Vjenës).

Pas atentatit, Zogu, me anën e Gjyqit Politik të Tiranës, bashkë me shumë shokë të tjerë, edhe mua më dënoi me vdekje, kurse gruan time, Naxhijen, me 20 vjet burgim.

2 – Zogu në atë kohë, me kthimin tonë në Shqipëri, pas mendimit të tij, jo që nuk mund të kishte asnjë fitim, por do të kishte telashe nga elementët e dyshimtë e, nga ana tjetër, ai e kishte përforcuar pozitën e tij, duke i dhënë koncesionet që kish kërkuar Italia.

3 – Dallkaukët që rrethonin Zogun, nga frika se mos humbnin pozitat e tyre, nuk e dëshironin kthimin tonë.

4 – Zogu më s’kishte frikë se mund të rrëzohej me anën e forcës nga emigracioni.

Nga ana tjetër, Milto Noçka na komunikoi pranimin nga ana e Zogut të formimit të një “Komiteti të Kosovës”, me kryetar Qazim Koculin e me anëtarë Kol Tromarën e Bedri Pejën me rrogë 30 (tridhjetë) napolona ari për kryetarin e nga 20 (njëzet) napolona ari për çdo anëtar.

Tani u kuptuan takimet dhe bisedimet e fshehta të Qazim Koculit me Milton dhe intrigat e tij të lozura mbi kurriz të shokëve të tij. Kjo gjë e turpëshme i tregon Zogut pabesitë, mungesën e solidarësisë dhe të unitetit të mendimeve midis anëtarëve të organizatës.

Kol Tromara, i zëmëruar në kulm për lojën që ishte lozur në kurriz të tij, protestoi energjikisht në mbledhjen e komitetit dhe kërkoi dënimin e fajtorit, Qazim Koculit, që i dolli pabesia në shesh dhe pasi u vu me shpatulla në mur, sipas zakonit të tij në raste të tillë, filloi të çirrej dhe, duke dhënë dorëheqjen si anëtar i Komitetit, u largua nga mbledhja.

Qazim Koculi e lozi këtë lojë për dy arësye:

1) Atij i vinte rëndë të kthehej në Shqipëri dhe, pasi në realitet ai nuk ka qënë dakord me mendimet e shumicës, i fshehu mendimet e vërteta të tij dhe lozi lojën jokorrekte që përmëndëm më lart.

2) Ai, me të hollat e Zogut (600 fr. ari në muaj), preferoi të bënte një jetë më të këndëshme në Paris, duke besuar se si kryetar i “Komitetit të Kosovës” do të rritej edhe prestigji i tij.

Por pasi kaluan disa ditë dhe puna filloi të harrohet, Q. Koculi prapë u kthye në vendin e tij si anëtar Komiteti, gjoja sikur nuk kishte bërë asgjë!

Edhe Ali Këlcyra me lëkundjet e tij filloi t’i shmangej angazhimit që kishte marrë përpara shokëve të tij për çështjen e kthimit në Shqipëri, në rast se Zogu pranonte kushtet tona. Përpara pyetjeve të shokëve, Aliu nuk ishte në gjendje të paraqiste arësye bindëse se përse ndahej nga shokët e tij me gjithë fjalën që dha përpara tyre.

Para se të marrim përgjigjen nga Zogu, në shtator 1938, patëm një mbledhje të Komitetit, ku rastësisht edhe Zaji Fundoja u ndodh në atë kohë. Filloi një diskutim pak i ashpër mbi lëkundjet e Ali Këlcyrës për kthimin në Shqipëri, si gjithë shokët e tjerë, në rast se Zogu pranonte kushtet tona. Por Aliu nguli këmbë në mendimet e tij. Atëhere unë i bëj këtë pyetje: “Ali, sikur shpëtimi i Shqipërisë do të varej nga kthimi i yt në Shqipëri, ti a do të ktheheshe?”. Për habinë e gjithë shokëve ai tha: “Prej meje mos pritni një sakrificë të tillë!”

Aliu bëri gabim të madh në përgjigjen që dha, por unë jam i sigurt se atë përgjigje e dha pa menduar e spontanisht, e cila qe jehona e urrejtjes së madhe që kishte për Zogun, se një njeri që, me armë në dorë, ka marrë pjesë aktive në luftën e Tepelenës kundra italianëve, përpara një dilemi të tillë s’mund të sakrifikojë Shqipërinë për një kapriçë.

 

 

Komploti italian kundër Zogut

Një letër nga Stavro Vinjau, prej Barit

Nga vjeshta e 1938-ës marrim një letër të gjatë nga Stavro Vinjau, anëtar i “Bashkimit kombëtar”, një letër me shumë rëndësi. Vinjau shkruante se këto ditë, jam takuar në Bari me një personalitet italian, i cili udhëtonte për Shqipëri (emrin e të cilit nuk na e shkruante, por më vonë e muarrëm vesh se qe Xhiroja)l), i cili më tha si vijon: “Italia ka vendosur të heqë dorë nga politika që ka ndjekur gjer tani kundrejt Shqipërisë, duke e mbajtur Zogun në fuqi me përkrahjen e saj politiko-financiare dhe kundra vullnetit të popullit shqiptar, se me këtë politikë ajo s’ka bërë tjetër gjë përveçse ka pasuruar Zogun dhe ka shtypur e varfëruar popullin shqiptar. Pra, me këtë politikë Italia ka fituar urrejtjen e popullit shqiptar, pasi: “ky i fundit Italinë e konsideron përgjegjësen kryesore për vuajtjet që po pëson. Ne e kemi kuptuar gabimin tonë për politikën që kemi ndjekur gjer tani dhe kemi vendosur të mos bëjmë politikë me persona, por të bëjmë politikë me popullin shqiptar, duke e ndihmuar atë të shpëtojë nga prapambetja e nga varfëria”.

“Qeveria italiane ka vendosur të shpenzojë 6 (gjashtë) miliardë lireta për zhvillimin ekonomik të vendit, për bonifikime, ndreqje rrugësh e urash e tjera, me një fjalë, do të bëjë çfarë është e mundur për ta shpëtuar vendin nga varfëria e prapambetja” .

“Shqipëria do të jetë një shtet indipendent dhe Italia nuk do të ndërhyjë në punët e brendshme e të jashtëme të Shqipërisë, por, nga ana tjetër, ajo, përveç ndihmës financiare, do ta përkrahë edhe në politikën e jashtëme Shqipërinë, me një fjalë, ne me ndihmën tonë politiko-financiare, do të sigurojmë miqësinë e sinqertë të popullit shqiptar dhe Italia mjafton të ketë një shtet mik në bregdetin tjetër të Adriatikut, gjë kjo që për ne italianët ka një rëndësi shumë të madhe. Për të gjitha këto sakrifica që do të bëjë Italia, si garanci, kërkon që Shqipëria nuk do të bëhet vegla e armiqve të Italisë, të pranojë një princ italian për mbret të Shqipërisë, qoftë edhe një princ nga shtëpi e Savojës.

Ne, për këtë qëllim, jemi marrë vesh me shumë pari e krerë e personalitete brenda në Shqipëri dhe nga ju, anëtarët e “Bashkimit kombëtar”, mund të kemi nevojë përkrahjen tuaj morale për ta rrëzuar Zogun”.

Kjo letër e papritur na plasi si një bombë. Si nga Shkodra e Korfuzi, ashtu edhe nga Selaniku, nuk patëm asnjë lajm mbi tentativat e qeverisë italiane për rrëzimin e Zogut. Duket se italianët nuk u kanë besuar shokëve tanë.

Ne, të hutuar, vendosëm të pritnim zhvillimin e ngjarjeve. Donim të kuptonim se si italianët do ta rrëzonin Zogun me fuqitë shqiptare. Neve na vinte mirë të rrëzohej Zogu, por jo me inisiativën italiane, se nuk kishim as më të voglin besim në sinqeritetin e tyre, as edhe në fjalët e Xhiros që i ka thënë Stavros.

Pas pak kohe, studentët shqiptarë të Torinos dërgojnë një delegacion në Paris, nën kryesinë e studentit Selahudin Totos, me qëllim për t’u marrë vesh me shqiptarët e Parisit në favor të inisiativës italiane.

Pas këtij delegacioni erdhi në Paris edhe Mustafa Kruja me Kostandin Kotën. Para se të vinte Mustafa Kruja, Maliq Bushati niset prej Shkodre, me qëllim që të vijë në Paris, për të biseduar me ne mbi këtë çështje, po, pasi takon Mustafa Krujën, që do të vinte në Paris po për atë qëllim, për të evituar çdo dyshim nga ana e Zogut, ai ngarkoi M. Krujën të bëhej interpreti i mendimeve të tij në bisedimet me shokët e “Bashkimit kombëtar”. Në bisedimet që patëm me M. Krujën e K. Kotën këta na shpjeguan qëllimin e udhëtimit të tyre në Paris, bisedimet që ka patur M. Kruja me M. Bushatin mbi gjëndjen e brëndëshme në Shqipëri, se si italianët ishin marrë vesh me krerë e bajraktarë, me kundërshtarët e Zogut, me klerin katolik, me parinë shkodrane, me Marka Gjonin, kapitanin e Mirditës, me Cen Elezin e Shefqet Vërlacin e shumë të tjerë. Në këtë komplot kishte marrë pjesë dhe Eqrem Libohova me gjeneral Zef Serreqin, më të afërmit e Zogut, por nga ana tjetër agjentë të Italisë. Pas fjalëve të M. Krujës, italianët edhe atij vetë (M. Krujës) nuk i kishin folur asgjë për këtë çështje. Nuk është çudi kjo të jetë e vërtetë, pasi italianët atë e kanë patur të tyren dhe në këtë rast nuk mund të prisnin ndonjë dobi prej tij.

Pasi u informuam, deri diku mjaft mirë, mbi gjendjen, në mbledhjet e përbashkëta që patëm gjatë disa ditëve, e shtruam çështjen si vijon:

a) Çdo të ishte qëndrimi i emigracionit, e sidomos i yni, i “Bashkimit kombëtar”, përpara politikës së re italiane? A duhej të bashkoheshim me Zogun për kundra planeve të Italisë;

b) Apo tu ndihmonim italianëve kundra Zogut;

c) Ose të qëndronim spektatorë në këtë luftë?

Të gjitha këto forma i shoshitëm gjerë e gjatë. Ne kishim rënë në hall të madh, se nuk kishim besim as te Zogu, as te italianët dhe kështu nuk guxonim të merrnim anën e asnjërës palë. Fundi, italianët, vetëm me anën e Xhiros, na bënë një paralajmërim e asgjë tjetër. Çështja e një princi italian ka qënë gjëja kryesore në këtë mes e, në rast se do të ndodheshim përpara një proponimi të tillë, ne ç’qëndrim do të mbanim?

Ne, anëtarët e “Bashkimit kombëtar”, nuk kemi qënë dakord midis nesh për sa i përket (formës) kryesisë së shtetit. Dikush ka qënë për një republikë kolegjiale, siç e ka vendosur Kongresi i Lushnjës, me Këshillë të Naltë, dikush me një kryetar republike dhe dikush tjetër ka qënë për mbret. Por të gjithë ne kemi qenë kundra diktaturës së Zogut dhe luftën kemi qënë të angazhuar ta vazhdonim deri në lirimin e vendit nga kjo diktaturë e urryer. Sa për më tutje, gjithkush ka qënë i lirë të vepronte sipas bindjeve të tij.

Puna e një princi italian na shkaktoi diskutime të gjata.

S’ka qenë e lehtë pranimi i një princi nga një vend që gjithmonë ka patur qëllime skllavëronjëse kundra vendit tonë. Ne të katërve, Angjelin Sumës, Kol Tromarës, Rexhep Mitrovicës dhe mua, nga çdo pikëpamje dhe në asnjë mënyrë, nuk na pëlqente një princ italian. Si në këtë pikë, ashtu edhe në pikat me rëndësi në diskutim, ne të katër kishim formuar një front të përbashkët. Qazim Koculi ishte lidhur ngushtësisht me Mustafa Krujën. Sa për Ali Këlcyrën, nuk e dinim se çfarë mendim ka patur.

Ne të katër, megjithëqë formuam frontin unik kundër princit italian, vendosëm që në dukje të mos tregohemi intransigjentë kundrejt princit, por vumë si kusht “sine quanon” që këtë ta pranojë edhe Asambleja Kushtetuese e zgjedhur lirisht nga populli shqiptar. Megjithketë zotim solemn, prapëseprapë ne të katër ishim të vendosur ta luftonim princin italian edhe në zgjedhjet e Asamblesë.

Megjithëqë pas rrëzimit të Zogut, me anë të një kryengritjes se brëndëshme, mund të vinin në fuqi elementë të lëkundëshëm dhe me një simpati të tepruar për Italinë, ne, kundra këtij rreziku, s’kishim tjetër garanci, përveç patriotizmit të popullit shqiptar, i cili kurrë nuk do të votonte për elementë të dyshimtë por do të votonte për patriotë të provuar, që kanë luftuar gjithë jetën e tyre për një Shqipëri plotësisht të pavarur.

Ky mendim na jepte kurajo edhe neve që kishim vendosur t’i bënim bisht zotimit solemn që muarmë në mbledhje, por që do të bënim çmos për zgjedhjen e një asambleje patriotike që të mos votonte për princ italian.

Fundi i fjalëve, ne vendosëm të qëndronim spektatorë, në pritje të zhvillimit të ngjarjeve. Pasi mbetëm dakord me çështjen e princit, Mustafa Kruja kërkoi që marrëveshja të firmosej prej të gjithë nesh dhe, për t’u mbyllur dyert mohimeve dhe manovrimeve, ajo të ruhej nga Koço Kota, me kusht që të botohej vetëm me pëlqimin e të gjithë shokëve që kishin vënë firmën. Ne të katër, megjithëse nuk kishim besim në sinqeritetin e Mustafa Krujës, se ai, siç e ka bërë shpesh edhe herë të tjera, nuk do të spekullonte me firmat tona, ne e firmosëm dhe pranuam ta ruante dokumentin e nënshkruar K. Kota, i cili ishte vetë M. Kruja.

Por, gjatë fundit të vitit 1938 dhe në fillim të vitit 1939, në gjithë këtë kohë, asnjëri prej nesh nuk ka bërë ndonjë takim me italianë, as edhe na është bërë ndonjë propozim i tërthortë nga ana e tyre, kështu që bisedimet dhe vendimet tona kanë qënë pa asnjë vlerë praktike. Megjithatë, ne, për çdo eventualitet, zgjodhëm një komision të përbërë prej Ali Këlcyrës, Mustafa Krujës dhe Qazim Koculit, i cili do të merrej vesh me shokët tanë në vendet e ndryshme dhe, në rast se italianët do të dëshironin, të merreshim vesh edhe me këta.

Në muajt e parë të 1939 situata ndërkombëtare po keqësohej për ditë e më tepër. Lufta e Dytë Botërore ishte në rendin e ditës. Boshti Berlin-Romë, dakord me atë të Tokios, bënin pregatitje të ethëshme për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.

Konti Çiano, ministër i Jashtëm i Italisë, shkon e takohet me gjeneral Keitelin, shefi i shtatmadhorisë i ushtërisë gjermane, në Austrinë e Jugut, ku nga ana e Hitlerit i komunikohet Italisë të okupojë Shqipërinë për arësye strategjike, në bazë të planeve të Hitlerit. Dhe ky urdhër vihet në zbatim më 7 prill 1939 me zbarkimin italian në Shqipëri. Këtë plan të Hitlerit ne e muarrmë vesh më vonë.

Lajmet e radios mbi zbarkimin fashist në Shqipëri ranë si rrufe në kokat tona dhe nga ana tjetër shkaktuan një indinjatë të thellë në popullin e Parisit. Gjithë simpatia e Parisit ishte për shqiptarët. Me anë të radios e të shtypit, gjatë disa ditëve, u bë një zhurmë e madhe kundra aktit kriminal fashist.

Kol Tromara, Rexhep Mitrovica dhe unë, të hutuar, në mëngjez herët të 7 prillit vrapuam dhe i dërguam këtë telegram Kryeministrisë në Tiranë: “Luftoni kundra armikut, se edhe ne po vimë të vdesim me ju”. Por, ç’ne! Zogu, në vend që të mbronte atdhenë kundra armikut, për të mos komprometuar ikjen e tij, preferoi të dezertojë dhe, duke e lënë ushtërinë pa municion dhe popullin në fatin e vet, mori rrugën e emigracionit.

Ditën e zbarkimit italian në Shqipëri shokët tanë të Komisionit nga Gjeneva vinë në Grenobel, ku menjëherë shkuam edhe ne të tre. Mustafa Kruja foli në telefon me Ernest Koliqin në Romë, i cili i tha: “Deri vonë puna ka qënë ashtu si e kemi patur me italianët, por ditët e fundit ndryshoi menjëherë dhe mori këtë përfundim”. Më vonë u përhapën fjalë se Musolini e ka aneksuar Shqipërinë, gjë që na tmerroi dhe më tepër. E në këtë tmerr e sipër Koliqi, në telefon, na flet mbi deklaratën e re të Musolinit, i cili paska thënë se Shqipëria do të jetë një shtet i lirë e i pavarur etj. Këto fjalë, në tmerr e sipër, na shkaktuan një gëzim e entusiazmë aqë të madh sa unë, më sentimental se të tjerët, nxitova dhe ia dhashë fjalën M. Krujës që, sipas propozimit të tij, me një telegram, t’i luteshim Musolinit të na bashkonte edhe Kosovën me Shqipërinë. Pra, i dhashë fjalën që ta përdorte firmën time kur ta bënte telegramin, megjithëqë më vonë e kuptova se u nguta për fjalën që i dhashë, por atë nuk e tërhoqa. Dashuria e madhe që kam pasur në gjithë jetën time dhe që do ta kem gjer sa të vdes për Kosovën, më ka ndikuar në maksimum t’i lutem Musolinit të na shpëtojë Kosovën!!!. Telegrami ishte firmosur prej Q. Koculit, M. Krujës dhe prej meje.

Kur Mustafa Kruja, më 1942, si kryeministër nën okupacionin italian, përpëlitej përpara kritikave të rënda dhe akuzave gjithëfarësh, ai, gjithnjë i prekur nga mania e persekutimit nga ana e “Klikës” (ish-anëtarët e Krahut Kombëtar), kujtonte se të gjitha këto të zeza atij i vinin nga propaganda jonë, nga ne që kishim bërë marrëveshjen e Parisit dhe, pa u marrë vesh me shokët e asaj marrëveshjeje, në një akse histerike, urdhëron hien e tij, Koço Kotën, dhe e boton këtë marrëveshje në një gazetë (emrin e gazetës e kam harruar) që ka patur nën urdhërin e tij. Puna s’ka qënë siç e kish botuar ai, por ne, në atë kohë të terrorit fashist, nuk mundëm t’i jepnim përgjigje, të cilën e lamë për më vonë, për ta shpjeguar realisht thelbin dhe qëllimin e marrëveshjes ashtu siç ishte bërë.

Kur ne ishim në Grenoble, Fuat Dibra vjen në Paris nga Stambolli, më thërret në telefon, sipas adresës që kishte marrë nga gruaja ime, dhe më pyet se kur do të ktheheshim në Paris për të biseduar mbi situatën e re. Të nesërmen ne të tre u kthyem në Paris, kurse tre të tjerët të Komisionit, Via Gjenevë, kaluan në Itali dhe muarën pjesë në një mbledhje të emgirantëve në Romë, ku kishte marrë pjesë edhe Jakomoni, i ardhur apostafat nga Tirana. Shokët tanë e kanë kritikuar atë e sidomos Ali Këlcyra e ka sulmuar rëndë Jakomonin për tradhëtinë që italianët u bënë shqiptarëve, duke vepruar në kundërshtim me marrëveshjet e mëparëshme.

Në Paris biseduam edhe me Fuat Dibrën. Në atë kohë ka qënë edhe Halim Xhelua në Paris. Të gjithë kemi qënë për luftë kundra okupatorit.

Pas krijimit të kësaj gjëndjeje, “Bashkimi kombëtar”, i krijuar në mërgim, më nuk kishte pse të vazhdonte si organizatë. Pra, çdo anëtar ka fituar lirinë të vepronte sipas bindjeve të tij. Dhe ato arësye që na imponuan, duke kërkuar falje nga Zogu, të ktheheshim në Shqipëri, në situatën e re të krijuar ekzistonin edhe më fort se më parë, prandaj vendosëm për t’u kthyer në Shqipëri. Gruaja ime më propozoi të shkonim në Stamboll, ku kam edhe një vëlla të instaluar pas emigrimit të vitit 1914, kur u dogj Korça dhe Gjirokastra nga bandat greke. Por nostalgjia e 15 vjetëve, nevoja, mosha dhe shpresa për të punuar më mirë brenda se jashtë atdheut, më bëri që të kthehesha edhe unë si gjithë shokët e tjerë. Mirëpo, administrata italiane në Shqipëri neve, anëtarët e ish- “Bashkimit kombëtar”, na paska konsideruar të padëshirueshëm, kështu që qënka dashur garancia e M. Krujës që ne të mos merremi me politikë, për të hyrë në Shqipëri.

Fuat Dibra do të vinte në Shqipëri, pasi të shkonte më parë në Stamboll, kurse Halim Xhelua do të vinte më vonë.

Më 24 maj 1939, bashkë me Kolë Tromarën, Rexhep Mitrovicën dhe Beqir Valterin u nisëm prej Parisi, por në kufirin franko-italian u ndaluam nga autoritetet italiane dhe vetëm pasi pritëm 2-3 ditë u lejuam të udhëtonim, Via Roma, për Bari, ku nga shokët tanë kishte mbetur vetëm Kost Paftali. Aty gjeta edhe Stavro Vinjaun, ardhur apostafat nga Brindizi, për t’u takuar me mua. Në bisedim e sipër, i mallëngjyer, Stavroja më tha fjalën që e kam përmëndur dhe më lart: “I dashur Sejfi, tetëdhjetë për qind ne e kemi marrë më qafë shtetin”. Me këtë fjalë ka dashur të thoshte për dëmin e madh që shkaktoi opozicioni parlamentar më 1922-1924.

Zogu me të afërmit e tij, nëpër Bilisht, kaloi kufirin grek, i përcjellë deri në Larisa edhe nga kolonel Sami Koka, të cilit në ndarje e sipër i ka thënë: “Sami, mirupafshim, por populli shqiptar ka për të marrë shumë prej meje”. Ai gjer në Stamboll, gjatë udhëtimit, u çngarkua pak nga pak nga personat-ngarkesa. Më pas bëri turneun Stamboll-Poloni-Shtetet Skandinave-Holandë-Belgjikë. Kur mbërriti në Paris u vizitua dhe prej studentëve shqiptarë, të cilëve, sipas fjalëve të Fatos Kokoshit, u ka thënë: “Të gjithë kemi bërë gabime, por duke i ndrequr gabimet e bëra të punojmë për të mirën e vendit. Mustafa Kruja është vegla e Italisë, por sa për anëtarët e “Bashkimit kombëtar” ata janë patriotë”.

Fuat Dibra u kthye nga Stambolli dhe në muajin qershor bashkë me të, me Kol Tromarën e Fazlli Frashërin shkova në Korçë dhe në Kolonjë, ku u dhashë llogari miqve të mij, që më kanë përkrahur e votuar për deputet të Korçës qysh prej 1920-1924.

U mundova plot gjashtë muaj për të siguruar jetesën time me ndonjë punë private, por s’qe e mundur, pasi gjithë jetën time s’kam pasur asnjë pasuri bazë, as prirje për tregëti. Nga mosushtrimi prej dhjetra vjetësh kishe humbur krejt edhe profesionin tim, gjë që më detyroi, kundra vullnetit tim, të pranoj detyrën si anëtar i Këshillit të Shtetit nën okupacionin italian.

Një ditë kam qënë në shtëpi të Fuat Dibrës, ku pak më vonë erdhi edhe Mit’hat Frashëri. Kur ika, bashkë me mua doli edhe Mit’hati, i cili, duke kaluar poshtë nga rruga e Koço Kotes (tani rruga “Qemal Stafa”), m’u afrua dhe me një zë të ulët më tha: “Sejfi, hajde të formojmë një grup për një aktivitet të fshehtë”. I them, eja të bëjmë një shëtitje më të gjatë që të kem kohë të të përgjigjem më mirë. Duke ecur i them: “Unë, gjatë jetës sime politike, më tepër se nga rrethanat dhe kushtet e vështira që pengonin aktivitetin tonë, kam vuajtur nga disa shokët e mij, me të cilët kam qënë i shtrënguar të punoj, sidomos qysh prej viti 1920-1924 dhe gjatë kohës së emigracionit 1925-1939. Unë kam qënë tepër i sinqertë dhe korrekt me shokët e mij, kurrë nuk kam besuar se ka shok që mund ta gënjejë e ta shfrytëzojë shokun e tij për ambicje e për qëllime egoiste. Besimi im te shoku ka qenë deri në credulite1). Si tepër i prekshëm që jam, ka patur me qindra net në jetën time, që s’kam mbyllur sy nga intrigat dhe aktet e dobëta që bënin shokë të tillë për t’u bërë kryetar organizate e të tjerë për t’u treguar se ata janë njerëz të mëdhenj, sikur ky kishte qënë qëllimi kryesor i aktivitetit tonë kolektiv në kohrat më të vështira të jetës sonë kombëtare. Prandaj, unë, porsa të marr pjesë në një organizatë patriotike-revolucionare, dua t’i dij shokët e mij të luftës, që të kem besim në vetëmohimin e tyre dhe në aftësinë e tyre revolucionare. Të tillë, nga ata që njoh unë, nuk i kalojnë të dhjetë vetat. Përndryshe, unë rezervohem që, symbyll, të bashkëpunoj me njerëz që nuk i njoh dhe, besnik i “credo” -ve2) të mia politike, unë do të mundohem, si individ, të zhvilloj një aktivitet aqë sa të mundem, pa marrë pjesë në asnjë organizatë, në asnjë kabinet si anëtar qeverie dhe ndër zgjedhjet si deputet, gjatë okupacionit të huaj”.

Mit’hati i dëgjoi me vëmendje fjalët e mia, por pa folur asnjë fjalë. I dhamë fund bisedimit dhe u ndamë me njëri tjetrin.

Sejfi Vllamasi

FUND