Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942) – Kapitulli VI

Kapitulli VI

Kongresi i Lushnjës

Mendimi i parë ka qënë që kongresi të bëhej në Elbasan, por mbasi bashkia e këtij qyteti ndodhej nën ndikimin e Shefqet Vërlacit, nga kundërshtimet e këtij proteksjonisti të flakët, dëshira e përgjithëshme për këtë vend nuk u realizua dot. Influenca e Vërlacit në Elbasan ka qënë aq e madhe, sa kundërshtari i tij Aqif Pasha mori pjesë në kongres jo si delegat i Elbasanit, por si delegat i Peqinit.

Mustafa Kruja mundohej që kongresi të mblidhej në Krujë, mbasi ai me shokët e tij Krujën e konsideronte vëndin më të përshtatshëm për ta dominuar kongresin në favor të tij. Natyrisht, ky mendim u refuzua. Atëhere anëtarët e “Krahut Kombëtar” u muarrën vesh me sheh Ibrahim Karbunarën me shokë, anëtarë të asaj organizate, për mbajtjen e kongresit në Lushnjë, por para se të merret vendimi ngarkohet kapiten Meleq Frashëri, i cili shkon në Berat, për t’u marrë vesh me Iljaz Vrionin nëse edhe ky ishte i mendimit për një kongres të tillë dhe nëse siguronte edhe Beratin për këtë qëllim. Mbi përgjigjen pozitive të Iljaz Vrionit, bashkia e Lushnjës u dërgoi ftesë të gjitha bashkive të Shqipërisë që të dërgonin delegatët e tyre në kohën e caktuar. Në këtë kohë, lufta midis kongresistëve dhe proteksionistëve ishte egërsuar edhe më tepër, bile këta të fundit kaluan në sulm të armatosur.

Qeveria e Durrësit në Shqipëri përfaqësohej prej Myfit Libohovës, Fejzi Alizotit, Mustafa Krujës dhe Sami Vrionit. Të tre të parët, sipas prirjes dhe aftësive të tyre, marrin përsipër: a) Myfit Libohova, me çdo kusht dhe duke përdorur çdo mjet, të paralizonte Shqipërinë e Jugut; b) Mustafa Kruja, me çdo kusht, të ndalonte Krujën e sidomos Shqipërinë e Veriut, që të merrnin pjesë në kongres, për të kompromentuar autoritetin e këtij që të fliste në emër të krejt popullit shqiptar; c) Fejzi Alizoti, simbas rastit, do të manovronte në Durrës për të lehtësuar punën e dy të parëve.

 

Vrasja e Abdyl Ypit

Me qendër në Durrës ka ekzistuar një komitet i fshehtë kundër Esatit dhe esadistëve. Ky komitet kryesohej prej Mustafa Krujës dhe kishte anëtar Salih Xhukën, inspektor i arësimit, një veteran patriot prej Peje (Kosovë), por kriminel i lindur etj. Komiteti vendos ta vrasë Abdyl Ypin në një kohë kur delegatët ishin duke u mbledhur në Lushnjë, për të trembur këta që të mos lëviznin nga vendet e tyre dhe nga ana tjetër të dukej se u vra si esadist. Për ta vënë në jetë projektin e tyre, ata e ftojnë Abdyl Ypin në mbrëmjen e 16 janarit 1920, në shkollë, në Durrës, për një bisedim. Abdyl Ypi, pa të keq, shkon në shkollë në orën e caktuar. Salih Xhuka bën manevra të ndërlikuara në hapjen e derës së shkollës dhe po në atë çast Ypi vritet prej Sul Mërlikës, kushëririt të parë të Mustafa Krujës dhe i biri i Xhi Fajës, që vrau të birin e vezirit të madh Refat Pashës në urën e Gallatës për hakmarrjen e Gani bej Toptanit. Sul Mërlika ka qënë në pritë afër derës së shkollës. Në këtë vrasje ka edhe një dozë mënie personale, mbasi Abdyl Ypi, si prefekt i Durrësit, në një fjalë që ka mbajtur në këtë qytet, ku ka qënë prezent edhe Mustafa Kruja, ministër i Qeverisë së Durrësit, ka sulmuar rëndë qeverinë dhe anëtarët e saj dhe me konferencat që u mbante fshatarëve në Durrës, Shijak e Tiranë, ishte bërë i rrezikshëm për atë qeveri.

Kjo vrasje politike bëri një përshtypje të thellë në gjithë Shqipërinë. Fejzi Alizoti, në telegramin që i bëri Rexhep Shalës, prefekt i Shkodrës në Lezhë, i shkruante që të merrte masat e nevojëshme për moskalimin e delegatëve të Veriut për Lushnjë, dhe shtonte duke thënë se edhe Abdyl Ypi u vra…

Komiteti i Kosovës gjatë kësaj lufte qëndroi në Shkodër me gjithë anëtarët e tij si një kështjellë e palëkundëshme për të paralizuar çdo intrigë e tentativë sabotimi, të jashtëm e të brendshëm, kundër mbledhjes së kongresit dhe kundër mosmarrjes pjesë të delegatëve të Shqipërisë së Veriut në kongres. Pra, Komiteti nga ana e tij delegon Eshtref Frashërin për ta përfaqësuar në Kongres dhe, nga ana tjetër, për ta përfaqësuar prefekturën e Kosovës dhe Kosovën irredente, zgjodhi dy delegatë të tjerë, Hysni Currin dhe Xhemal bej Prishtinën, dy tipa me karakter të ndryshëm.

Porsi Komiteti i Kosovës, edhe Shoqëria “Drita”, që në gjirin e saj përmblidhte rininë patriote të Tiranës, dërgoi delegatin e saj, avokat Ali Begejn, për t’u përfaqësuar në Kongres. Shoqëria “Drita”, nën kryesin e Osman Myderizit, me përpjekjet e saj patriotike në Shqipërinë e Mesme, i ka bërë shërbime të mëdha vëndit si në luftën kundër politikës proteksioniste, ashtu edhe për mbledhjen e një kongresi kombëtar.

Mustafa Kruja në Durrës e bindi Hysni Currin, i cili ka patur një karakter të lëkundshëm, që të shkojë në Krujë në vend që të shkonte në Lushnjë, ku ish deleguar. Por H. Curri, para se të niset, dehet atë natë, rrëzohet prej shkallëve dhe thyen dorën. Kështu komedia merr fund jo me dëm të madh.

 

Bashkia e Krujës

Edhe bashkia e Krujës, si gjithë bashkitë e tjera, zgjedh delegatët e vet për kongres, njëri prej të cilëve qe kryetari i bashkisë Hysni Berberi. Mustafa Kruja shkon në Krujë dhe urdhëron H. Berberin të mos shkojë ne Lushnjë mbasi Italia, simbas mendimit të tij, qenka e vetmja fuqi që e ndihmon Shqipërinë. Hysni Berberi e kundërshton dhe niset për Lushnjë, por Mustafa Kruja ia pret rrugën dhe me forcën e armëve e ndalon të shkojë. Kështu, Kruja e Skënderbeut, që i ka zbardhur faqen historisë kombëtare, ndalohet të marrë pjesë bashkë me gjithë viset e tjera të Shqipërisë në një mbledhje, ku do të caktohej fati i kombit shqiptar.

 

Tentativat e Myfit Libohovës

Myfit Libohova shkoi në Vlorë dhe, në bazë të marrëveshjes së fshehtë të Qeverisë së Durrësit me Komandën e Përgjithëshme Italiane në Shqipëri, mundohet ta bindë gjeneral Piaçentinin të merrte masa ushtarake kundër Kongresit të Lushnjës, por ai për oportunitet nuk guxoi të merrte një masë të tillë dhe u mjaftua vetëm të dërgojë një batalion me një efektiv prej 1200 vetash nga milicia e Gjirokastrës. Komanda italiane, pa iu dhënë kurrfarë njoftimi oficerave shqiptarë, me mjete transportimi të shpejta, dërgoi në Kolonjë të Lushnjës batalionin e milicisë me qëllim që të shpërndante mbledhjen e Lushnjës, duke i treguar botës se kongresi u shpërnda prej fuqisë shqiptare e jo italiane. Kur oficerët e milicisë, të cilët në shumicë qenë katolikë shkodranë, mbërrinë në Kolonjë dhe kuptuan qëllimin dinak italian, muarrën menjëherë kontakt me Kongresin dhe i dhanë, pa më të voglin ngurrim, sigurimin që jo vetëm s’ishin kundër Kongresit, por me gjithë forcat e tyre ishin nën urdhër të tij dhe, nga ana tjetër, i rekomanduan Kongresit që të shpejtonte punën e tij, nga frika se mos këta milicë zëvëndësoheshin nga një fuqi tjetër armike e Kongresit.

Milicia qëndroi deri sa mori fund Kongresi.

Myfiti i lutet Leonidha Frashërit, nënprefekt i Delvinës, i cili gëzonte besimin e të dy palëve, që të shkonte deri në Lushnjë e të hetonte nëse qëllimi i kongresit ishte për interes të kombit apo për çështje karrigesh e, në rast se do të konstatohej qëllimi i parë, ai do të hiqte dorë nga kundërshtimi. Leonidha vjen afër Lushnjës, takohet me Eshref e Meleq Frashërin dhe, mbasi e forcon besimin e tij mbi qëllimet e kongresit, e siguron Myfitin mbi realitetin e çështjes.

Delegatët e të gjithë Shqipërisë, përveç atyre të Krujës, që u ndaluan me forcë dhe të Shkodrës, të vonuar nga një kompleksitet pengesash, u mblodhën në Lushnjë. Në historinë e popullit shqiptar ky ishte një kongres me gjithë kuptimin e fjalës kombëtar mbasi, pa dallim klasash, i gjithë populli shqiptar mori pjesë në të.

Kapiten Meleq Frashëri kishte marrë komandën e xhandërmarisë në Lushnjë. Toger Preng Jaku me vullnetarët e Dumresë e fuqitë e tjera vullnetare, më se 500 veta, gjithashtu ishin për sigurimin e Kongresit. Meloni, konsulli italian në Vlorë, i ngarkuar nga qeveria italiane për hetime në vend, konstaton dhe i raporton qeverisë së tij karakterin thjesht kombëtar të Kongresit. Edeni, prezent në Lushnjë, kaloi disa orë ankthi derisa u kuptua mirë qëllimi i milicisë shqiptare kundrejt Kongresit. Gjithë populli kish hedhur sytë mbi Lushnjën dhe priste me ankth zhvillimin e ngjarjeve e përfundimin e Kongresit. Ai ndodhej në gjëndjen shpirtërore të atij që pret vendimin për vdekje ose për shpëtim. Por ai ishte edhe i vendosur që në rast nevoje të rrëmbente armët dhe të vdiste për shpëtimin e Shqipërisë.

Më 21 janar 1920, Kongresi hapet dhe vepron: a) Qeverinë e Durrësit e shpall të rrëzuar; b) Paktin e fshehtë të Londrës të 1915-ës nuk e njeh; c) Kërkon kufijt e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës; d) Formon Këshillin e Lartë, qeverinë dhe zgjedh Senatin. Kongresi, si në caktimin e bazave të një politike kombëtare, ashtu edhe në krijimin e instituteve shtetërore, ka ditur të pajtojë fare mirë interesat reale të vendit me gjendjen shpirtërore të popullit në atë kohë. Kështu, me rrëzimin e Qeverisë së Durrësit, praktikisht merr fund një epokë mijëvjeçare e historisë së fiseve që përbënin popullin shqiptar dhe hapet një epokë e re, ku vihen bazat e shtetit të ri dhe populli shqiptar për herë të parë kristalizohet në një komb.

Me politikën e Kongresit të Lushnjës, Fuqit’ e Mëdha u detyruan të njohin shtetin shqiptar të 1913-ës dhe, mbas pak kohe, u vunë bazat e një shteti modern.

Kongresi merr fund me sukses. Ahmet Zogu, si ministër i Brendshëm, me pak persona niset drejt Tiranës. Mbasi Ura e Dajlanit ishte e zënë dhe e forcuar prej ushtërisë italiane, ata prej një rruge tjetër kalojnë në Shijak, ku prapë ndodhen përpara kërcënimeve të armëve italiane. Kalojnë Shijakun dhe zënë vend në çiflikun e Hamit Toptanit, ku qëndrojnë 2-3 ditë, derisa vjen qeveria dhe të gjithë së bashku shkojnë në Tiranë.

Vendosja e qeverisë në Tiranë

Lëvizjet esadiste

Këshilli i Naltë, qeveria dhe Senati u vendosën në Tiranë dhe filluan aktivitetin e tyre. Po në këtë kohë arritën në Tiranë dhe delegatët e Shkodrës për kongres, të cilët pasi lexuan procesverbalin e Kongresit e firmuan.

Puna e parë e qeverisë qe të pastronte vëndin nga mbeturinat e Qeverisë së Durrësit. Qeveria e Tiranës dërgon Sotir Pecin, ministrin e Arësimit, në Romë, i cili pushon nga detyra Eqrem Libohovën, që ka qenë si komisar politik i Qeverisë së Durrësit dhe emëron si inspektor të studentëve Tefik Mborjen.

Puna e dytë e qeverisë qe të deklarojë si tradhëtarë të atdheut tre anëtarë të Qeverisë së Durrësit: Myfit Libohovën, Fejzi Alizotin dhe Mustafa Krujën, me arësyet justifikuese. Dy të parët u tërhoqën në një anë dhe mbetën në pritje. I treti, Mustafa Kruja, më i zellshëm e më konsekuent në politikën e tij, u bashkua me anëtarët e Esatit për ta rrëzuar qeverinë e dalë nga Kongresi Kombëtar i Lushnjës dhe për ta zëvëndësuar atë me një qeveri vegël italiane. Edhe Esati kishte për qëllim të rrëzonte Qeverinë e Tiranës me forcën e partizanëve të tij e të formonte një qeveri të re, e cila, mbasi të bënte zgjedhje për asamble kushtetuese, me anë të kësaj asambleje të siguronte që ai të zgjidhej si kryetar shteti.

Si partizanët e politikës italiane, ashtu edhe partizanët e Esatit, zhvillonin një aktivitet të madh për ta rrëzuar qeverinë para se kjo të forcohej. Italia me veglat e saj, politikanë e ushtarakë, bënte çmos për ta paralizuar qeverinë dhe qeveria, nga ana tjetër, nuk dispononte fuqi ushtarake dhe mjete të tjera të mjaftueshme për t’i bërë ballë kësaj situate jashtëzakonisht kritike. Nga ana tjetër, edhe blloku nacionalist i Kongresit të Lushnjës, mbas kongresit, bile në muajt e parë të aktivitetit shtetëror, filloi të tregojë shenjat e dukëshme të antagonizmit e të rivalitetit midis parisë dhe ambicjet e një pjese të mirë të intelektualëve, duke mos marrë parasysh rrezikun e madh që mund t’i vinte Atdheut me ardhjen në fuqi të Esatit dhe të veglave të Italisë.

Rivaliteti midis parisë dhe midis anëtarëve të Krahut kombëtar ishte duke u shtuar përditë e më tepër.

A – Aqif Pasha, anëtar i Këshillit të Lartë, pa të drejtë, ndërhynte në kompetencat e ministrit të Brendshëm dhe kështu shkaktoheshin çrregullime në veprimet qeveritare. Pasha u largua nga Krahu kombëtar për shkak të përkrahjes që Krahu kombëtar i bënte Zogut. Intrigantët dhe armiqt’e vendit, me intriga gjithfarësh, e ndiznin edhe më tepër këtë rivalitet për ta keqësuar gjendjen e brendshme.

B – Kjo gjë ngjau edhe me Hoxha Kadrinë. H. Kadriu, një nga krerët më influent e aktiv të Krahut kombëtar e më në fund kryetar i kësaj organizate, nën emrin e Komitetit të Kosovës, u zgjodh edhe ministër i Drejtësisë nga Kongresi i Lushnjës, por ai nuk qe i kënaqur nga kjo zgjedhje, mbasi priste të zgjidhej kryetar i qeverisë. Pakënaqësia e tij u shtua edhe më tepër, kur kuptoi se simpatia e organizatës ishte duke u shtuar gjithnjë e më tepër në favor të Zogut, për sukseset që tregonte si ministër i Brendshëm. Pra, Hoxhë Kadriu, që i kish bërë aq shërbime çështjes kombëtare si kryetar i Komitetit të Kosovës, dalëngadalë u largua nga bashkëluftëtarët e tij dhe u hodh në kampin kundërshtar, të cilin dikur e kish luftuar me aq rreptësi.

C – Sulejman Delvina. Ky s’ka qenë anëtar i Krahut Kombëtar, por u propozua në Kongres për kryeministër nga një anëtar i kësaj organizate, nga Fazlli Frashëri, dhe u zgjodh nga Kongresi si kryetar i qeverisë, si patriot, i ndershëm e i matur, njeri pa ambicje, dhe për faktin se personi i tij si kryetar qeverie nuk provokonte rivalitete midis parisë. Por S. Delvina nuk e njihte mirë popullin, as edhe rrymat e vendit, prandaj nuk mundi të loste rolin e arbitrit në atë kohë.

D – Kosovarët. Përveç rinisë intelektuale, si: Rexhep Mitrovica, Beqir Vokshi, Halim Gostivari, Bedri Peja, kapiten Hadush Kastrati, Ibrahim Jakova e Osman Tetova, luftëtarët e Rilindjes Kombëtare, parija kosovare: Bajram Curri, Qerim Begolli, Xhemal Prishtina, Hasan Prishtina dhe prapa këtyre gjithë masa emigrante kosovare, kishin bindje se, duke iu mbështetur politikës italiane, do të fitohej Kosova e robëruar nga Jugosllavia. Kjo shpresë ata i bashkoi me italofilët dhe, në atë kohë jashtëzakonisht të vështirë, i shtuan radhët e kundërshtarëve tanë.

E – Fryma e Iiberalizmit dhe e demokracisë së Jugut, që përkrahej në gjithë Shqipërinë, i shqetësonte qarqet kishtare dhe ato pasanike për reformat shkollore e agrare që do të bëheshin nesër. Koalicioni i këtyre të fundit, fuqira thellësisht konservatore dhe lufta që bënin për të mbytur idetë në fjalë, e keqësonin pozitën e qeverisë dhe atë të partizanëve të saj.

F – Krerëve e bajraktarëve, që kanë qënë si ndërmjetës midis popullit dhe qeverisë, nuk u pëlqente që qeveria të ishte në kontakt direkt me popullin.

G – Një pjesë e intelektualëve ambiciozë, që me çdo kusht donte sa më parë të vinte në fuqi, dhe pjesa tjetër, që nuk e njihte mirë popullin dhe nuk e shihte qartë situatën dhe për pasojë bëhej vegla e të parëve, e ndërlikuan gjer në shkatërrim gjëndjen e brendëshme.

Të gjitha këto fuqi heterogjene e negative, formonin një koalicion të fortë kundra fuqisë liberale e demokratike që kishte për qëllim stabilizimin e një shteti, të cilin do ta organizonte në një mënyrë që t’i përshtatej ekzigjencave të kohës dhe nevojave reale të popullit, një shtet pa prerogativa, që do të siguronte interesat e çdo klase dhe që, për pozitat që do të okupoheshin në këtë shtet, do të merrte për kriter vlerat personale të njerëzve e jo paragjykimet e kohës mesjetare.

Ndeshja midis këtyre rrymave filloi në muajt e parë të jetës sonë shtetërore dhe patriotët, që i kishin dalë zot misionit për stabilizimin e organizimin e një shteti në bazë të parimeve të lartpërmëndura, u ndodhën përpara një situate shumë kritike. Kërkohej një vendim i shpejtë e i prerë mbi taktikën që duhej ndjekur për ta shpëtuar situatën.

Popujt ballkanas në çlirimin e tyre gëzuan përkrahjen e jashtme dhe, përveç asaj, ata si popuj kanë qënë politikisht më të pjekur e më të organizuar, kështu që si shtet u stabilizuan e u organizuan pa pasur tronditje shumë të mëdha.

Gabimi i Themistokli Gërmenjit qe i rëndë kur ky nuk e pranoi propozimin që i bëri më 1916 koloneli Dekuen, komandanti i ushtrisë franceze në Korçë, për organizimin e një ushtërie shqiptare prej rreth 20.000 vetash me shpenzimet e Francës, ushtëri e cila do të vihej nën komandën e Themistokliut për të luftuar si aleate e ushtërisë franceze kundër ushtërisë austro-hungareze e bullgare. Sa për të hollat që do të shpenzoheshin, këto do t’i paguheshin qeverisë franceze pas luftës si borxh lufte. Themistokliu këtë propozim nuk e pranoi, megjithë lutjet që i bënë shokët e tij, mbasi kishte frikë të angazhohej me një borxh kaq të madh për Shqipërinë e vogël, ndërsa ka qënë një problem i dyshimtë nëse borxhe të tilla do të duhej të paguheshin pas luftës. Kjo ushtëri do të ishte fuqia e vetme e shtetit, me anën e së cilës do t’i imponohej vullneti i shumicës pjesës që do të pengonte stabilizimin e shtetit dhe në këtë mënyrë ajo do të ndalonte zhvillimin e ngjarjeve të rrezikëshme që u çfaqën më vonë.

Përpara kësaj situate të vështirë, organizata “Krahu kombëtar” vendosi zhvillimin e një politike kompromisi, për të bashkëpunuar me njërin ose me disa nga paria e vendit, që ishin të aftë, me influencë dhe me fuqi personale, për t’i bërë ballë gjendjes kaotike.

Në atë kohë pari e njohur në fushën patriotike dhe me fuqi personale ishin Aqif pashë Biçaku, Abdi bej Toptani, Ahmet Zogu dhe Bajram Curri, prej të cilëve Aqif Pasha dhe Ahmet Zogu ishin nismëtarë të organizatës, kurse dy të tjerët simpatizuesit e saj.

Aqif Pasha ishte patriot dhe i ndershëm me gjithë kuptimin e fjalës, por kokëfortë e inatçi gjer në fund. Inatin e çonte aqë larg sa, pa dashur, shkonte në kundërshtim me itneresat e vendit. U besonte shumë fjalëve të intrigantëve që donin të peshkonin në ujë të turbullt dhe shpeshherë mbetej në pozitë të vështirë midis kokëfortësisë dhe pozitës së tij zyrtare. Kundrejt rivalëve të tij ka qenë i tmerrshëm. Rivalët e tij në Elbasan kanë qënë Shefqet Vërlaci dhe Dervish Biçaku, i pari baxhanaku dhe i dyti kushëriri i tij. Vërlaci ka qënë më i pasuri i Shqipërisë dhe influenca e tij ka qënë më e madhe se ajo e Pashës në Elbasan. Pasha gëzonte simpatinë e patriotëve, si Lef Nosi dhe Ahmet Dakli me shokë, ashtu edhe simpatinë e çdo elementi bektashian, mbasi edhe vetë ka qenë bektashi. Pasha për arësye familjare u prish me Zogun dhe kjo prishje u egërsua edhe më tepër, kur ky i fundit u fejua me vajzën e Vërlacit. Gjithashtu Pasha, si anëtari më influent i regjencës, pa të drejtë ndërhynte në kompetencën e ministrit të Brendshëm për të prekur sedrën dhe për të thyer influencën e tij, gjë që shpesh herë shkaktonte konflikte midis regjencës pa përgjegjësi dhe qeverisë përgjegjëse. Pasha ka qënë tip me karakter të fortë, por s’ka patur një inteligjencë të theksuar dhe një kulturë të mjaftueshme.

Abdi bej Toptani - Patriot, i ndershëm, i matur, i rezer-vuar, por i butë dhe pa guxim, gjë që ka qënë një e metë e madhe për atë kohë, kur lypej energji, guxim dhe vullnet i fortë për një burrë shteti. Ai gëzonte besimin e të gjithë shtresave të Tiranës dhe të rrethit të Tiranës. Ka qënë kundër Esat Toptanit dhe ka bërë shërbime të mëdha në kohën e Kongresit të Lushnjës.

Bajram Curri - Patriot veteran, i ndershëm dhe i vendosur, miku i vegjëlisë dhe që në personin e tij kishte grumbulluar vyrtytet më burrërore të racës sonë. Bajram Curri me Nexhip Dragën kanë qënë të dy gurët themeltarë të kryengritjeve kosovare kundra Turqisë. Draga i organizonte dhe Curri i vinte në jetë. Curri ka qënë pa shkollë dhe me një horizont të ngushtë. Ai sigurisht besonte kur thoshte: “Me pasë 4.000 kosovarë të zgjedhur, Sërbisë kishe me i shkue në Belgrad”. Ka qënë irredent i tmerrshëm, pse e donte shumë Kosovën, aq sa nuk pranonte asnjë arësyetim në lidhje me metodat dhe hollësirat e politikës irredente. Duke përfituar nga kjo pikë e dobët e tij, italofilët e bënë për vehte Currin duke i thënë: “Italia është e vetmja fuqi që do ta çlironte Kosovën nga robëria e shqaut”. Ka patur edhe një të metë tjetër: shpenzonte shumë të holla. Mbi këtë të metën e tij Nexhip Draga më kishte thënë në Stamboll më 1911: “Bajram Curri midis parisë kosovare është i vetmi nacionalist, por ka një të metë të madhe: shpenzon aq shumë, sa edhe financat e Britanisë së Madhe nuk do të mjaftojshin për t’u bërë ballë shpenzimeve të tij” .

Ahmet Zogu - Ka bashkëpunuar qysh në Luftën e Parë Botërore, në kohën e okupacionit e të ushtrisë austro­ hungareze, me nacionalistët dhe qysh më 1919 ka qënë anëtar i organizatës” Krahu kombëtar”. Një tip shumë i zgjuar, guximtar, shumë aktiv dhe njohës i vërtetë i popullit shqiptar. Shumë ambicioz dhe, për t’ia arrirë qëllimit, përdorimi i çdo mjeti ka qënë për të legjitim. Mëndjemadh dhe s’pranonte njeri në botë që të vihej në një shkallë me vehten e tij. Në raste jo të favorëshme për të, përkulej dhe i përshtatej situatës së re.

Shumica e Matit ka qënë nën influencën e tij dhe në Dibër si partizanë ka patur Izet bej Maqellarën, Demajt dhe Maliq Kërçishtin, që të gjithë të njohur si patriotë të Dibrës dhe kundërshtarë të vendosut të Esat Toptanit.

Midis këtyre katër personave të Shqipërisë mbi Shkumbinin, mbasi në Shqipërinë e nënShkumbinit fuqia personale nuk loste një rol me rëndësi, organizata “Krahu Kombëtar” përkrahu Zogun, sepse ai ka qënë i krijuar për atë situatë.

Kjo zgjedhje shkaktoi zëmërimin e shumë personave nga paria kundër Krahut Kombëtar dhe e shtoi rivalitetin kundra Zogut.

Në këtë situatë të dëshpëruar, në praverën e 1920, kur qeveria ndodhej pa fuqi e pa të holla dhe nën kërcënimin direkt të esadistëve, me të cilët ishte bashkuar edhe Mustafa Kruja qe përfaqësonte italofilët, Zogu konfidencjalisht më bëri këtë propozim:

“Mbasi nuk disponojmë fuqi të organizuar të mjaftueshme për të stabilizuar një shtet modern, kam menduar një rrugë praktike e radikale, por barbare, për t’ i dalë qëllimit në krye. Të ftojmë të gjithë parin e Shqipërisë në një kongres, për të biseduar e vendosur masat që duhen marrë për stabilizimin dhe forcimin e shtetit. Në të njëjtën kohë, unë marr përsipër t’i vë dy bomba shtëpisë ku do të mbahet kongresi dhe në çastin e fundit ne me shokët tanë, me një pretekst, dalim jashtë para se të hedhim në erë kongresistët. Kështu situata vetvetiu stabilizohet” .

I habitur përpara një propozimi kaq të guximshëm, i përgjigjem: “Ne si popull i vogël e i dobët nuk do të mundim tu bënim ballë armiqve tonë të brendshëm e të jashtëm, përveç me një politikë të matur e të urtë. Vetëm kështu do të fitonim simpathin e botës së qytetëruar që të na përkrahin në rastet e nevojshme, ndërsa me një akt të tillë të çmëndur do të shkaktohej një indinjatë e thellë kundra nesh dhe do të konsideroheshim si një grup kriminelësh për t’u eliminuar”.

- “More Sejfi, më tha Zogu, Shqipëria nuk është Përmeti. Të gjithë krerët e Shqipërisë e sidomos ata të Veriut duan të bëhen kryetarë shteti, kryeministra e ministra. Ku do t’i gjejmë këto vende për të kënaqur gjithë këta njerëz, të cilët, në rast se nuk do të kënaqen, shkojnë në ekstrem deri në përmbysjen e shtetit? Gazetat e huaja mbas një jave agjitacioni kundra nesh do të bëhen më objektive dhe do ta pëlqejnë procesin tonë të shkurtër e praktik e deri diku të njerëzishëm, mbasi qëllimi ynë asht të shpëtojmë një popull”.

Argumentat e tij nuk më bindën, mbasi ky akt do të kryhej nga një grup që kishte përgjegjësinë qeveritare dhe nga ana tjetër nuk pajtohej me shkallën e qytetërimit të asaj kohe.

Por parashikimet dhe mendimet realiste të Zogut, ndër ato rrethana të tmerrëshme kanë qënë shumë më praktike dhe të dobishme për popull sesa konsideratat tona idealiste dhe njerëzore, që më vonë patën pasoja të rënda për popull. Ne nuk e kemi njohur mirë as popullin dhe as parinë e vëndit.

Këtë bisedim që pata me Zogun, me kërkesën e Zogut, nuk ia thashë shokëve në atë kohë, por ia u thashë në Brindësi kur emigruam më 1924. Shokët me të drejtë më kritikuan që nuk ua pata thënë me kohë.

Misioni im në Beograd

Mungesa e mjeteve për t’i bërë ballë situatës kaotike e sidomos mungesa e armëve dhe e municioneve, që i nevojiteshin edhe qeverisë edhe popullit të Vlorës, i cili kish vendosur të dëbonte Italinë me forcën e armëve, e detyruan qeverinë të trokiste në dyert e Beogradit, duke menduar se largimi i Italisë nga Vlora në radhë të dytë i interesonte edhe Jugosllavisë. Ato ditë, në muajin prill, kishte ardhur në Tiranë edhe një komision i posaçëm nga Vlora për të kërkuar nga qeveria qëndrore ndihmë morale dhe një sasi armësh e municionesh të domosdoshme për ta filluar luftën kundra italianëve, mbasi i mungonin popullit të Vlorës.

Qeveria më caktoi mua të kryej këtë mision. Unë në fillim me insistencë nuk e pranova, duke e ditur se më mungonte talenti për bisedime diplomatike dhe karakteri im tepër i sinqertë do të më shtynte të bëj ndonjë gabim. Por Zogu nguli këmbë për mua, kështu që unë më në fund e pranova, me shpresë se në Shkup ose në Beograd do të gjej Nexhip Dragën për t’u këshilluar me të.

U nisa nga Tirana i akredituar me një letër të Aqif Pashës, si anëtar i Regjencës dhe personalitet i njohur, dhe mora masat për të mos u diktuar nga italianët, mbasi, përveç kazasë së Korçës, Shqipëria ishte e okupuar prej tyre. Kalova nëpër zonën franceze dhe në kufi të Strugës hyra në tokën jugosllave. Kur u muar vesh në Tiranë nisja ime për Beograd, pjesa e kosovarëve, që e kishin lidhur fatin e Kosovës me politikën italiane, filloi propagandën absurde: “Shkoi Sejfiu në Beograd për t’ia shitur definitivisht Kosovën Jugosllavisë” e me përralla të tjera si kjo.

Në Beograd e gjeta Nexhip Dragën, i cili u tregua pesimist mbi rezultatin e misionit tim, mbasi Jugosllavia nuk mund të hiqte dorë nga Esati për të bashkëpunuar me nacionalistët shqiptarë.

Në bisedimin që pata me këshilltarin e Ministrisë së Jashtme, çështjen e shtrova si vijon: “Nacionalistët shqiptarë nën okupacionin italian mbërrinë të bëjnë një kongres, prej të cilit dolli një qeveri kombëtare, e cila ndodhet ndër kushte jashtëzakonisht të vështira. Ne jemi në luftë me një fuqi të madhe, e cila, duke e mbajtur Vlorën, po na godet për vdekje. Ne kemi nevojë për armë e municion për ta nxjerrë me luftë armikun jashtë tokës sonë. Përveç kundërshtarëve të tjerë, kemi kundërshtarë edhe shumicën e madhe të kosovarëve irredentë, midis të cilëve ka persona që gëzojnë simpati brenda në Shqipëri e që mund të na paralizojnë edhe më tepër. Politika jugosllave po të qe pak më realiste, për të fituar miqësinë e përjetëshme të popullit shqiptar, ajo vetë duhej të na i falte disa qytete thjesht shqiptare, që ndodhen rreth kufirit shqiptaro-jugosllav, për të formuar një shtet që të mund të jetonte ekonomikisht dhe që do të ishte mburojë kundra çdo synimit italian për ne dhe për ju. Ne besojmë se qeveria e Beogradit në këtë rast nuk do të na e kursente ndihmën që na nevojitet për një qëllim që do t’i shërbente edhe interesit jugosllav”.

Si përgjigje më premtuan se do të na jepnin armë e municione, duke i grumbulluar ato ndër 2-3 vende rreth kufirit, për t’i futur në Shqipëri. Por premtimi i tyre mbeti në fjalë dhe puna ngjau ashtu siç e paramendoi Nexhip Draga, qoftë për të mos forcuar pozitën e nacionalistëve në dëm të Esatit, qoftë nga përgjegjësia që do të kishin kundrejt Italisë, qoftë edhe nga fjalët e mia të fundit jooportune, që mund të kenë prekur shovinizmin sërb.

Nexhip Draga qëndronte në Beograd për të likuiduar çështjen e fabrikës së lëndës së ndërtimit dhe të pyllit të tij dhe 6 muaj mbas likuidimit, mbi insistimin tim në emër të të gjithë nacionalistëve, ai na dha fjalën se do të vinte në Tiranë. Por mjerisht, fati ynë i keq e deshi që t’i përsëritet, pas pak kohe, kanceri në fyt dhe qeveria jugosllave, me qëllim, ia vonoi vizën e pasaportës për Vjenë, kështu që sëmundja iu egërsua dhe kur arriu në Vjenë vdiq në vjeshtën e 1920-ës. Nexhip Draga do të ishte personi më i cilësuar bashkë me Zogun, që do ta shpëtonte situatën pa tronditje të mëdha dhe do të krijonte kushte të favorëshme për stabilizimin e shtetit që ëndërronin patriotët e vërtetë.

Lëvizja esadiste mbas Kongresit

Mbasi qeveria u vendos në Tiranë, qëllimi i Esatit ka qënë të rrëzojë këtë qeveri e në vend të saj të formojë qeverinë e tij, e cila të bënte zgjedhjet për asamble dhe kjo ta zgjidhte atë si kryetar shteti. Pra, përkrahësit e Pashës kanë qënë të udhëzuar prej tij në këtë drejtim.

Osman Bali me një fuqi vjen në Kodrën e Pashës, afër Tiranës, dhe kërcënon qeverinë. Qeveria bashkë me senatin, të alarmuar, nga një anë dërgojnë një komision të përbërë prej Xhemal Naipit, Xhemal Bushatit, Ali efendi Dërhemit dhe Lim Petrelës për t’u takuar me Osman Balin dhe, nga ana tjetër, nisin me urgjencë nëntoger Sami Kokën për Tepelenë, për të lajmëruar major Ismail Haki Tatzatin që të nisej pa vonesë për Tiranë bashkë me milicinë e Gjirokastrës. Komisioni ra dakord me Osman Balin për dërgimin e një përfaqësuesi në Paris për t’u marrë vesh me Pashën. Në këtë mënyrë qeveria fitoi kohë. Në këtë mes, Osman Mema, një nga komandantët e Pashës, me një fuqi prej 200 vetash, vjen në Priskë dhe e qorton Osman Balin për marrëveshjen që bëri me qeverinë pa u këshilluar me shokët e tjerë dhe e akuzoi atë se ka vepruar në kundërshtim me urdhërat e Pashës. Osman Bali e kupton gabimin që bëri, por ishte tepër vonë.

 

Bashkëpunimi i Mustafa Krujës me esadistët

Në prillin e 1920-ës Mustafa Kruja shkon në kufirin e Dibrës për t’u marrë vesh me Ymer Efendinë, kryetar i Komitetit të Esatit në Dibër, për të zhvilluar një aktivitet të përbashkët me esadistët kundër qeverisë së Tiranës. Kur kthehet nga Dibra, Mustafa Kruja, bashkë me shokët e tij esadistët i japin një ultimatum Senatit, ku kërkonin dorëheqjen e qeverisë brenda 48 orëve, duke kërcënuar se përndryshe do të sulmonin Tiranën. Senati refuzoi dhe ata sulmuan dhe okupuan Prezën. Pas kësaj Senati formoi një komision, duke shënuar nga çdo prefekturë një senator, për të biseduar mbi situatën e krijuar dhe mbi ndryshimin eventual të qeverisë, që u propozua prej Qazim Koculit, me qëllim që të zëvendësohej ministri i Brendshëm Zogu me një person tjetër nga Veriu që kishte fuqi personale. Por çdo ndryshim në qeveri u refuzua kategorikisht. Njëkohësisht u formua një komision tjetër prej Senatit (Xhemal Najipi, Qazim Koculi, Hysen Vrioni), i cili shkoi te Osman Bali dhe e akuzoi atë se nuk e mbajti besën e lidhur më parë, në bazë të të cilës të dy palët nuk do të bënin asnjë aksion para se të kthehej komisioni prej Parisit. Komisioni ishte i përbërë nga ana e qeverisë prej Imzot Kolecit, ipeshkvit të Zadrimës, dhe Bajram Fejziut, kurse nga ana e Pashës prej Fuat Toptanit dhe Ymer Deliallisit. Osman Bali gjatë bisedimeve i përgjigjet komisionit se ai s’ka patur dijeni mbi fillimin e pushkës në Prezë dhe jep fjalën se do ta ndalonte pushkën në qoftë se ajo ka filluar. Por edhe shtoi: “Na paçin më qafë bejlerët, Hamit Toptani me shokë, që na prishën”.

Qeveria mblodhi fuqi dhe nën komandën e Bajram Currit i sulmoi esadistët dhe i shpartalloi*).

 

Ngjarjet në Korçë (vijim)

Deri në pranverën e vitit 1920 në Korçë nuk ngjet gjë me rëndësi. Në ditët e para të majit, francezët muarrën urdhër të lirojnë Korçën dhe t’ia dorëzojnë atë ushtrisë greke. Ky lajm plasi si një bombë dhe alarmoi gjithë popullin. Ishte e vërtetë që një divizion ushtarësh grekë nën komandën e të famëshmit gjeneral Trikupit kishte ardhur deri në Kapështicë. Si delegat francez në atë kohë, ndodhej një major i quajtur Lespinase. Ky ishte një dashamirës i shqiptarëve, i cili, nga njëra anë, vononte zbrazjen e Korçës dhe, nga ana tjetër, nxiste shqiptarët që sa të ishte e mundur të largoheshin nga Korça me familje e të bënin zhurmë e protesta për ardhjen e ushtërisë greke. Lespinase u vuri në dispozicion automjete, ndaj me qindra persona, pjesërisht me gjithë familjet e tyre dhe pjesërisht pa to, u larguan nga Korça në drejtim të Kolonjës, madje u zvarritën deri në Vlorë, kurse një pjesë tjetër ikën për Jugosllavi.

Në Korçë u formua një komitet që të organizonte mbrojtjen e vendit dhe nga çdo anë po mblidheshin vullnetarë. Ndërkohë, ikja e francezëve vazhdonte përditë, por e ngadalëshme. Qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjës, kishte dërguar në Korçë si përfaqësues të saj Eshref Frashërin. U organizua një miting i madh, në të cilin mori pjesë gjithë populli i qytetit dhe i fshatrave. U mbajtën fjalime të zjarrta nga ballkoni i Bashkisë. Përfaqësuesi i Qeverisë së Tiranës shpalli solemnisht bashkimin e Korçës me Tiranën. Populli, i cili pjesërisht ishte i armatosur, u betua se do të mbronte Korçën nga invadimi grek. Ditët kalonin me shqetësim dhe pritej prej disa ditësh që të fillonte pushka në kufi, bile një ditë ngjau edhe një goditje e vogël midis patrullave.

Kishin kaluar dy javë dhe një ditë u përhap lajmi që grekërit nuk do të vinin në Korçë, në qoftë se arrihet një marrëveshje midis dy palëve. Ç’kishte ngjarë? Asnjëri nuk dinte gjë. Pas dy ditë u nis për Kapshticë një delegacion shqiptar, së bashku me metropolitin e Korçës, të famëshmin Jakov, një nga organizatorët e kryengritjes së Korcës më 1914. Në delegacionin shqiptar merrnin pjesë: Eshref Frashëri, Pandeli Cale, Tefik Panariti, Nikollaq Zoi, dr. Haki Mborja etj. Disa nacionalistë ekstremistë u munduan ta ndalonin nisjen e këtij delegacioni. Si përfundim i bisedimeve që rrodhën në Kapshticë midis dy palëve, u nënshkrua protokolli i famshëm i Kapshticës. Ana shqiptare me anën e këtij protokolli angazhohej që të respektonte mbajtjen çelur të gjimnazit grek dhe të disa privilegjeve të përmëndura me emrin “Venomet e Korfuzit”. Por ky protokoll nuk u respektua asnjëherë dhe nuk ishte gjë tjetër veçse një shfrytëzim e mashtrim i qeverisë greke, që gjoja hiqte dorë me dëshirën e saj nga okupacioni i Korçës, duke pritur përfundimin e Konferencës së Paqes në Paris. Në realitet ç’kishte ngjarë e kush e kish ndaluar ardhjen e ushtrisë greke?

Sipas shpjegimeve të Pandeli Evangjelit, që kryesonte delegacionin e Kolonisë shqiptare të Rumanisë në Konferencën e Paqes në Paris, ndalimi i ardhjes së ushtrisë greke kish rrjedhur kështu: Venizeloja, që ish një nga diplomatët më të shquar të Greqisë, kishte mundur të merrte, fshehurazi Wilsonit, pëlqimin e Klemansoit dhe të Llojd Xhorxhit që të okuponte Korçën dhe ta linte Komisionin e të Dhjetëve, që ishte ngarkuar me shqyrtimin dhe caktimin e kufive shqiptarë, para një fakti të kryer. Delegacioni shqiptar as që dinte gjë fare se ç’ndodhte në Korçë. Rastësisht, një telegram i nëndrej-torit të policisë së Korçës Oliver, dërguar shefit të tij në Paris, kapiten Votit, që kish shkuar me leje, e zgjoi delegacionin shqiptar nga gjumi. Oliveti i telegrafonte Votit se kishin marrë urdhër për të ikut nga Korça dhe për të bërë me këtë rast dorëzimin e qytetit grekëve, prandaj i thosh që të mos i blente gjërat që ai kish porositur. Ky telegram drejtohej për në Klubin Ushtarak të Parisit, në të cilin vinte shpesh edhe Selahudin Blloshmi, dhe telegrami rastësisht bie në dorën e tij, i cili i alarmuar lajmëron Pandeli Evangjelin dhe shokët e tij. Këta pa humbur kohë kërkojnë një audiencë tek presidenti Wilson, e vënë atë në dijeni të çështjes dhe i luten që të ndalonte okupimin grek të Korçës. Wilsoni, i cili as që dinte gjë nga intrigat e kolegëve të tij, demarshoi energjikisht dhe i detyroi të dy shokët e tij të urdhëronin Venizelon që të hiqte dorë nga kjo aventurë. Grekërit, kur muarrën urdhër që të ndalonin marshimin, për të mos mbetur me duar bosh, me dallavere provokuan marrëveshjen e Kapështicës, e cila përfundimisht mbeti në kartë pa ndonjë efekt praktik. Më 20 maj 1920, ushtëria franceze u tërhoq krejt nga Korça dhe qarku i saj dhe që nga kjo datë bashkimi i Korçës me Tiranën mori formën zyrtare të prerë. Me këtë rast u manifestua nga ana e popullit. Vetëm i gjori Themistokli nuk arriti të gëzojë këtë ditë, por vepra e tij mbeti e paharruar. Flamuri kombëtar, që ai ngriti me duart e tij më 10.12.1916, nuk u ul asnjëherë dhe data e tij çdo vit kremtohet në Korçë si një festë lokale. Populli i Korçës, si shenjë mirënjohjeje, këtij patrioti të madh në lulishten e pagëzuar me emrin e tij, i ka ngritur një monument dhe me rastin e parë solli nga Selaniku eshtrat e tij dhe i varrosi me nderime të mëdha.

Vlen të shënohet se Korça në kohën e bashkimit i dorëzoi qeverisë qëndrore të Tiranës gjendjen e arkës, që përfshinte shumën e dy milionë frangave franceze, shumë kjo që është kursyer nga miradministrimi i financave të Korçës gjatë okupacionit francez.

 

Zbrazja e Shkodrës prej aleatëve – maj 1920

Sado që francezët me prapamendim nuk e deklaruan kohën e zbrazjes së Shkodrës, kjo u konstatua me tërheqjen e fuqisë së vogël me qëndrim në Obot. Komiteti i Shkodrës, i ndodhur para kësaj gjëndjeje, dërgoi njerëz në Tiranë për t’u marrë vesh me qeverinë, që të merrte masat e nevojëshme për një rast të tillë, për të evituar hyrjen e malazezëve në Shkodër. Komiteti, kur pa tërheqjen e francezëve prej Obotit, fshehurazi, dërgoi Hamit Gjylbegun për të thirrë qeverinë e Tiranës për të marrë Shkodrën në dorëzim. Niset Zogu në mars 1920, me Hoxhë Kadrinë, ministër i Drejtësisë, prej Tirane dhe vijnë në Bushat, ku priten nga anëtarët e Komitetit e së bashku vijnë në Bahçallëk. Francezët nuk deshën ta dorëzonin Shkodrën te shqiptarët, por Zogu me shokë, pasi i lanë fuqitë e armatosura në Bahçallëk, hynë në Shkodër, duke bërë një fakt të kryer. Shkodranët, të armatosur, janë gdhirë ndërkohë në pozitat kyçe, duke bërë roje për të evituar ndonjë sulm të papritur të malazezëve. Francezët, më në fund, ikën dhe Shkodra u muar në dorëzim. U formua administrata (qeveria lokale) me dy prefekta, Sulçe Bushatin dhe Shuk Serreçin, me këshilltar Bajram Fejzinë dhe me një këshill administrativ prej 6 vetësh.

 

Milicia e Gjirokastrës  (vijim)

Mbas mbarimit të Kongresit të Lushnjës, milicia menjëherë u kthye në Gjirokastër, ku u prit keq nga komanda italiane, sepse kjo nuk ushqente më asnjë shpresë se mund ta përdorte për qëllimet e veta. Këto trupa kishin pësuar një metamorfozë të plotë shpirtërore. Në atë kohë prefekti i Gjirokastrës Ali Koka, mik i italianëve, bënte propagandë në popull se milicia u transformua në një grup rebelësh. Komanda italiane u propozoi oficerëve të kthenin në Itali me çdo detyrë që do të dëshëronin, duke u premtuar gradime dhe shpërblime. U propozoi edhe që 50% të oficerëve të shkojnë me leje të zakonëshme, për t’i larguar nga Shqipëria, por asnjë nga këta nuk pranoi, mbasi Shqipëria në atë kohë ndodhej në kondita shumë të vështira. Për të shpërndarë milicinë, që e kish halë në sy, komanda italiane premtoi për gjithë ushtarët dhe graduatët, që do të shkojshin në lirim, një çmim (premio) prej 3000-15000 lireta. Për të shmangur shpërndarjen, milicia u muar vesh menjëherë me prefektin e Gjirokastrës Kiço Koçin dhe me parinë e vëndit dhe me ndihmën e këtyre u siguruan nga arka e prefekturës ushqimet dhe rrogat (3 lira në ditë). Ushtarët dhe graduatët ua refuzuan italianëve lirimin dhe çmimin dhe, me gjest patriotik, pranuan të shërbenin pa asnjë shpërblim (megjithëqë ua siguruan ushqimin dhe rrogat që kishin në kohën e italianëve). Më në fund, komanda italiane bëri një tentativë të fundit për ta shkatërruar milicinë me forcë. Në këtë rast, përveç forcave të karabinerisë dhe pak trupave që kish në Gjirokastër, solli edhe një regjiment këmbësorie, që do të ndërhynte në rast të mosbindjes të urdhërave. Gjithashtu, kërcënoi oficerët shqiptarë me internim në Itali. Me anë të një korrieri special, milicia informoi qeverinë e Tiranës. Tensioni midis milicisë dhe ushtërisë italiane erdhi duke u shtuar, aq sa më në fund mbrrini në goditje. Atëhere italianët, që donin të tërhiqeshin për Sarandë për t’u imbarkuar për Itali, kërkuan prej oficerëve shqiptarë pajisjen ushtarake të milicisë (armë, municion, mitroloza dhe artileri), por edhe në këtë rast morën një përgjigje negative kategorike, mbasi ndër ato rrethana ato pajisje për ne ishin të pazëvendësueshme. Sado që u refuzua një kërkesë e tillë, oficerët, që të mos quheshin grabitësa, me një kundërpropozim u thanë:

“T’ju lëshojmë një dëftesë të rregulltë për t’u rregulluar më vonë me qeverinë shqiptare”. Italianët këtë e pranuan.

Në atë kohë Qeveria e Tiranës, e cila ndodhej në një pozitë të vështirë me esadistët dhe me italofilët, kish dërguar nëntoger Sami Kokën në Gjirokastër për të thirrë me nguti Ismail Haki Tatzatin bashkë me milicinë për Tiranë. Milicia menjëherë nis komandën e tij (maj 1920), me një efektiv prej rreth 1000 vetësh dhe me afro 500 mushka dhe kuaj shale. Qeveria mori frymë. Në këtë kohë arriti në Tiranë edhe teprica e regjimentit të Korçës, afro 200 vetë. Ky grup i fundit kish qënë i organizuar nga francezët.

Këto dy fuqi formuan fuqin e rregullt të shtetit, mbasi deri atëhere kish vetëm një batalion xhandarësh jo të organizuar mirë. Nga kjo fuqi e milicisë u formua bataljoni shëtitës nën komandën e kapiten Preng Jakut dhe nga resti një pjesë shkoi në Shkodër për të formuar bazën e regjimentit të atjeshëm, kurse pjesa tjetër mbeti në Tiranë.

Nga oficerët e milicisë vetëm Ludvig Jakova dhe Loros Saraçi shkuan me italianët.


Një incident italo-shqiptar mbi vjedhjen e një topi

Mbasi fuqitë e armatosura shqiptare nuk dispononin artileri në atë kohë, kapitenët Meleq Frashëri, Xhavit Leskoviku dhe Preng Jaku vendosën dhe i vodhën një top ushtërisë italiane. Autoritetet italiane bënë hapa energjike pranë qeverisë shqiptare dhe si reprezalje ripushtuan Durrësin. Oficerët në fjalë, nga frika, topin e hedhin në pus, por me shtrëngimin e qeverisë ia dorëzojnë kësaj, e cila ua kthen italianëve dhe Durrësi zbrazet prapë.

Më 8 maj shkova në Shkodër, bashkë me Spiro Kolekën e Xhemal Bushatin, përkatësisht senatorë të Korçës, Vlorës dhe Shkodrës, dhe më 13 maj u nisëm për Tiranë me vapor via Durrës. Bashkë me ne ishte dhe Bajram Curri dhe Ferhat Draga. Në Durrësin e ripushtuar ka qenë edhe kolonel Kastoldi, delegat italian në Konferencën e Paqes dhe ekspert për punët shqiptare. Ky, me të marrë vesht zbritjen time në Durrës, i jep urdhër karabinerisë për arrestimin tim. Sado që u mshefa në dyqanin e Emin Gjakovës, më gjetën dhe më arrestuan. Kastoldi gjeti rastin të hakmerrej për zbulimet që i bëra politikës italiane më 1919 në Paris dhe asaj të Qeverisë së Durrësit, plus edhe për misjonin tim në Beograd për sigurimin e armëve dhe të municioneve për t’i përdorur në Vlorë kundër tyre. Pra, më arrestoi si armik dhe si spiun kundër Italisë. Shokët u alarmuan dhe Bajram Curri i tha Kastoldit:

“Në rast se nuk lihet shoku ynë, na arrestoni edhe ne, se pa atë s’mund të shkojmë në Tiranë”. Kastoldi s’mund t’ia prishte Currit dhe më liroi.

Me këtë rast, në takimin që ministri i Drejtësisë Hoxha Kadriu pati me baron Aliotin, komisar i lartë i Italisë në Shqipëri, u ra dakord që Italia ta lirojë Vlorën dhe të mjaftohet me një bazë navale dhe me zotrimin e Sazanit. Kundrejt kësaj Italia do t’ i jepte Shqipërisë 1-2 milion lireta. Hoxha Kadriu çështjen ia paraqiti Këshillit të Ministrave, i cili, duke marrë parasysh rëndësinë e çështjes, ftoi një këshillë me nga një senator prej çdo prefekture. Në këshillë Hoxha jep shpjegime mbi akordin që kish bërë me baron Aliotin. Kur pyetet Hoxha nëse Italia me këtë akord angazhohet të bëjë përpjekjet e duhura për njohjen e Shqipërisë, Hoxha përgjigjet negativisht. Atëhere mbledhja, me përjashtim të Hoxhës, e refuzon akordin në fjalë. Qysh me këtë mbledhje Hoxha Kadriu merr tatëpjetën.

 

Ashpërsimi i rivaliteteve midis parisë

Egërsimi i konfliktit Zog-Curr. Tendencat në Senat

Të gjithë kosovarët italofilë, me Bajram Currin dhe Hasan Prishtinën në krye, i pari me bindje dhe i dyti për interes, të ndihmuar edhe nga kundërshtarët e tyre që folëm më lart, u angazhuan në një luftë vendimtare kundër Zogut, që ka qënë për atë kohë kollona vertebrale e qeverisë, me pretekst se ishte kunati i Ceno Kryeziut dhe se ndiqte një politikë personale në favor të Jugosllavisë, duke e konsideruar atë agjent jugosllav. Sipas italofilëve, edhe shokët e tij të Krahut Kombëtar, shumica e të cilëve ishin jugorë, nuk ishin patriotë të mirë mbasi, sipas mendimit të tyre, nuk e donin çlirimin e Kosovës. Me parrulla absurde dhe të dobëta, të tilla si “Toskët s’e duan Kosovën!”, të fabrikuara nga armiqt e brendshëm, që fatin e Shqipërisë donin ta lidhnin me politikën italiane, u përpunuan dhe i besonin si një politike realiste dhe të sinqertë shumica dërrmuese e kosovarëve. Këta, të influencuar edhe nga kushtet e vështira të emigracionit, u hodhën pa rezerva në një luftë të tillë. Në atë kohë ka qenë në Tiranë edhe vëllai i Nexhip Dragës, Ferhat Draga, prezenca e të cilit e shtonte edhe më tepër peshën e kundërshtarëve. I tërë qëllimi ishte rrëzimi i qeverisë dhe ardhja e një qeverie italofile në fuqi, për të shpëtuar Kosovën nga serbët.

Në maj 1920 ndodhi një ngjarje tjetër, në të cilën, viktimë e zakoneve, implikohet edhe Bajram Curri. Toger Preng Jaku dhe nëntoger Luigj Shantoja rrahin nëntoger Sabri Allajbejnë, oficer i xhandërmarisë, për një ngatërresë në lidhje me detyrën e tij. Këta të dy, për t’i shpëtuar ndjekjes qeveritare, me besë futen në shtëpi të Bajram Currit për strehim. Kur qeveria kërkon fajtorët, Bajram Curri refuzon t’i dorëzojë mbasi i kish marrë në besë. Por qeveria përballë këtij refuzimi rrethon shtëpinë dhe e vë Currin përballë dilemit: dorëzimi ose zjarri i armëve.

Duke marrë parasysh se qeveria ishte e detyruar të shkonte në ekstrem për të ruajtur prestigjin e saj, unë, bashkë me Fazlli Frashërin, shkuam te Bajram Curri për ta bindur atë se me dorëzimin e tyre sipas zakonit nuk prekej nderi i tij dhe se qeveria nuk do të merrte asnjë masë tjetër kundra tyre, përveçse do t’ia dorëzonte gjyqit. Përpara këshillave tona dhe qëndrimit energjik të qeverisë, Bajram Curri u bind dhe i dorëzoi fajtorët. Kështu u evitua një ngjarje që mund të kishte riperkursjone të rënda.

Rivalitetet dhe konfliktet që ekzistonin në atë kohë përmblidheshin në dy rryma kryesore. Në krye të njërës rrymë ishte Aqif Pasha. Kjo rrymë përfshinte elementin konservator, ngatërrestar dhe pa program, i cili mundohej me çdo kusht ta merrte qeverinë në dorë për të shtypur kundërshtarët e saj, për të siguruar interesat dhe për të realizuar qëllimet e veta politike. Në këtë rrymë figuronin edhe irridentistët kosovarë dhe prapa perdes ishin grumbulluar dhe mbeturinat e Qeverisë së Durrësit. Rryma tjetër në shumicë përfshinte anëtarët e Krahut Kombëtar dhe patriotë të tjerë me Zogun në ballë, si i vetmi person që i zotëronte të gjitha cilësitë që nevojiteshin në atë kohë për t’i bërë ballë një situate jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe për ta vënë në jetë programin e nacionalistëve idealistë.

Këto rryma edhe Senatin e kishin ndarë në dysh: senatorët e Korçës, të Tiranës, të Dibrës dhe gjysma e atyre të Shkodrës, ishin përkrahësit e vendosur të Zogut, mbasi situatën e gjykonin nga një prizmë më realist. Ndërsa senatorët e Vlorës, Beratit dhe Gjirokastrës, të influencuar nga tarafet, krushqitë dhe sidomos nga mosnjohja e plotë e vëndit, u hodhën në rrymën tjetër. Beqir Rusi, senator i Gjirokastrës, ishte dhëndëri i Pashës dhe ai i Kavajës, Irfan Ohri, ishte nipi i tij1. Senatorët e Jugut, përveç të Korçës, në shumicën e tyre influencoheshin nga Qazim Koculi, i cili kishte për qëllim, me rrëzimin e qeverisë dhe përjashtimin e Zogut, të zinte vendin e tij si ministër i Brendshëm. Këto dy rryma, në të shumtën e rasteve, në Senat ndaheshin njëra me tjetrën, por, mbasi asnjë palë nuk kishte shumicën, situata vazhdonte ashtu e nderë.

Senati në këtë kohë të vështirë mbeti dakort dhe emëroi tre senatorë si ministra pa portofol për ta forcuar qeverinë, mbasi nuk ishte në gjëndje ta ndryshonte: Spiro Kolekën, senator i Vlorës, Hysen Vrionin, senator i Beratit, dhe mua, senator i Korçës. Unë aty për aty dhashë dorëheqjen dhe, me qëllim që të vinte nje afrim midis dy palëve, iu luta Senatit që në vendin tim të emëronte Bajram Currin, senatorin e prefekturës së Kosovës, i cili edhe u emërua. Por nga ky kombinim, në vend të përmirësimit, gjendja u keqësua edhe më tepër, mbasi Bajram Currit, përveç mungesave të tjera, i mungonte edhe takti.

Vullnetarët dhe Banda e “Vatrës” në Shqipëri

Më 29 mars 1920 zbriti në Shqipëri një trup vullnetarësh, rreth 300 vetë, nën komandën e major Aqif Përmetit dhe banda e saj e famëshme në drejtimin e Thoma Nasit. Midis shërbimeve të panumurta që i ka bërë çështjes kombëtare me ndihma politike e financjare, kjo organizatë politikoshoqërore, në atë kohë kritike, mendoi të dërgojë edhe një fuqi vullnetarësh për t’i ardhur në ndihmë qeverisë me forca luftarake, kurse me anë të bandës të përhapte frymën e qytetërimit në popull. “Vatra”, me plot të drejtë, ka fituar mirënjohjen e kombit për shërbimet e mëdha që i ka bërë këtij.

Zbrazja e Shqipërisë nga ushtëria italiane

Në mars 1920 Shkodra u zbraz nga ushtritë aleate, kurse Korça u muar në dorëzim në majin e 1920-ës nga ushtëria franceze. Ushtëria italiane e zbrazi tokën shqiptare pa ngjarje, por kishte mbetur prefektura e Gjirokastrës pa u marrë në dorëzim, rreth së cilës ishin përhapur lajme çqetësuese.

Prefekti i Beratit Xhafer Ypi dhe komandanti i xhandërmarisë Ismail Haki Tatzati ishin informuar se Myfit Libohova, me anë të bandave të Kurveleshit, do ta kundërshtonte me armë fuqinë kombëtare që do të merrte në dorëzim Gjirokastrën. Këta, të alarmuar nga ky lajm, i dërgojnë një letër Bilal Nivicës me ndërmjetësinë e baba Ahmet Turanit, që të vinte në Berat. Në Berat ndodheshin italianët dhe Bilali prej tyre ish dënuar me vdekje. Bilali vjen dhe fshehurazi hyn në Berat, ku siguron Ypin dhe Tatzatin se informatat rreth Myfitit ishin pa bazë dhe u jep sigurinë në emër të popullit të Kurveleshit dhe të krahut lab të Tepelenës se ushtëria kombëtare do të kishte përkrahjet e duhura në kryerjen e misionit të saj. Kurveleshas e tepelenas ishin betuar e futur në organizatën” Mbrojtja kombëtare” për të luftuar kundër italianëve.

Bilali kthehet në Labëri, pregatit popullin për të vepruar në dy krahë dhe pret fuqinë e Beratit që të vinte nga Këlcyra nën komandën e Ismail Tatzatit, me kapiten Mustafa Maksutin, kapiten Kasëm Radovickën dhe kapiten Veis Sevranin. Kjo fuqi u prit te ura e Leklit prej fuqisë së Bilal Nivicës dhe shkon për Gjirokastër. Bilali fuqinë tjetër e dërgon në krahun tjetër, në Manastir të Cepos, për t’ua marrë krahun italianëve në rast se këta do të vepronin kundër ushtërisë shqiptare. Fuqia kombëtare më 20 prill 1920 hyri në Gjirokastër pa asnjë kundërshtim dhe populli e priti atë me lule. Fuqia kombëtare shkoi edhe në Delvinë, ku u bashkua me milicinë e Gjirokastrës. Në Gjirokastër, Bilali emërohet rreth komandanti i Tepelenës, me oficer Azis Çamin e Haxhi Shehun nga Tepelena. Bilali me një kompani xhandarësh dhe me komisionin e përbërë prej I. H. Tatzatit, Kol Tromarës, prefekt i Gjirokastrës, Namik Delvinës, Xhemil Totozanit dhe Aqif Përmetit, bashkë me bandën dhe vullnetarët e ardhur nga Amerika, niset për Tepelenë. Italianët në fushën e Luzatit, afër Tepelenës, kanë vënë afishe ku deklarohej se do të goditshin me top gjithë ata që do të kalonin me armë. Atëhere formohet një komision, i cili shkon në Tepelenë dhe takohet me komandantin e regjimentit italian, të cilit i deklaron: “Xhandërmaria shqiptare ka ardhur të marrë në dorëzim administratën e vendit”. Ai në përgjigje të kësaj deklaroi se, përveç bandës, nuk do të pranonte asnjë fuqi tjetër të armatosur.

Ndërkohë, Sami Koka arrin në fushën e Luzatit me letrën e Qeverisë së Tiranës, ku qeveria e fton Tatzatin të nisej me ngutësi për Tiranë bashkë me milicinë. Tatzati niset, por Tepelena rrethohet prej popullit. I. H. Tatzati në atë kohë ka qenë komandant i xhandërmarisë së qarkut të Gjirokastrës.

 

Tentativa e fundit e Esatit. Osman Mema

Et’hem efendi Tivari, major i Esatit, prej Selanikut vjen në Dibër e në Shëngjergj dhe sjell një letër të Pashës për Osman Balin, të cilin ai e qortonte shumë për veprimet e tij dhe e degradonte nga major në kapiten. Et’hem Efendiu kthehet në Dibër, ku me anë të Komitetit të Pashës, siguron fuqi të armatosura nga shumica e dibranëve, duke qenë brenda këtij grupi edhe Elez Jusufi. Prej kësaj fuqie, 600 veta nën kontrollin e Murat Kaloshit do të kalonin nëpër Shëngjergj për t’u bashkuar me fuqinë e Osman Memës, një nga komandantët e Pashës, dhe nëpër Çermenikë e Elbasan, mbasi të bashkoheshin me fuqinë e Shefqet Vërlacit, në Rogozhinë me atë të Alush agë Rogozhinës dhe në Kavajë e Shijak me fuqitë e këtyre të fundit, do të sulmonin Tiranën.

Ky ka qenë plani i fundit, por i rrezikshëm për vendin, realizimin e të cilit Pasha e priste me padurim në Pariz. Por një ditë para nisjes së fuqive prej Dibre, vjen telegrami mbi vrasjen e Esatit në Paris, më 13 qershor 1920, përpara Hotel “Kontinentalit”, prej Avni Rustemit. Ky plumb, bashkë me Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, determinoi shpëtimin e Shqipërisë.

Vrasja e Esatit

Avni Rustemi vazhdonte mësimet në Romë. Një ditë shkon në shtëpinë e Tefik Mborjes, inspektor i studentëve shqiptarë në Itali, dhe i thotë këtij se kish vendosur të vriste Esatin për të shpëtuar Shqipërinë, por i duheshin të holla për shpenzimet e mëvonëshme. Në atë kohë kish ardhur nga Tirana në Romë një delegacion miks qeveritar-esadist, i cili ishte në udhëtim për Paris, për t’u takuar me Esatin. Tefik Mborja e takon Bajram Fevzinë, anëtar i atij delegacioni, i kallëzon vendimin e Avniut për Esatin dhe B. Fevziu i jep fjalën se do t’i shkruante Xhavit Leskovikut në Tiranë, duke përkrahur tezën e Avniut, ashtu edhe për ndihmë të hollash që do të kishte ai nevojë. Avniu zbret në Durrës më 5 maj 1920, me letrën e Bajram Fevziut për Xhavit Leskovikun dhe me letrën e Tefik Mborjes për Qazim Kokoshin. I furnizuar me mjetet e nevojëshme dhe i përcjellë nga T. Mborja, Avniu niset për Paris dhe mbas pak ditësh e kryen misionin e tij, bash në çastin vendimtar, në çastin e kryengritjes së stilit të gjerë që kish pregatitur Esati.

 

Lufta e Vlorës 20 maj 1920*)

Më 3 shtator 1919, me qëndër në qytetin e Vlorës, u formua një komitet prej 11 vetash, të cilët përfaqësonin krahinat si edhe qytetin e Vlorës. Qytetin e përfaqësonin Qazim Kokoshi, Osman Haxhiu, Hamza Isai, Kol Karbunara dhe Tod Filipi. Krahinat i përfaqësonin: Ymer Radhima, Dukatin; Ahmet Lepenica Mesaplikun; Rapo Çelo Kudhësin; Qazim Koculi Treblovën; Idriz Ladrri Drashovicën dhe Mustehak Oshtmia Top Alltinë. Komiteti kryesohej prej Hamza Isait. Pesë të parët qëndronin në qendër dhe ishin të ndërlidhur me gjithë anët e Shqipërisë. Gjashtë të fundit kishin lidhje të fshehta me të parët dhe qëndronin ndër krahina. Komiteti ka patur për detyrë të mbajë gjallë shpresat për liri të atdheut, të bëhej një luftë pasive dhe të mbillej urrejtja kundër italianëve, të mos mësohej gjuha italiane nëpër shkolla, të luftoheshin spiunët dhe bashkëpunëtorët e tyre dhe të festohej me çdo kusht 28 Nëndori, që nuk ishte festuar qysh prej 1914, kur u rrëzua nga rebelët.

Megjithë konditat e vështira në të cilat ndodhej, Komiteti, me hapa të ngadalëshme, por të sigurta, e zgjeroi aktivitetin e tij. Në Mesaplik dhe në Tragjas kish dërguar një maqinë shkrimi dhe një poligraf, ku shtypeshin dhe ndaheshin trakte propagandistike kundër Italisë, të cilat dërgoheshin edhe në Himarë, Kurvelesh, Mallakastër, Berat, Gjirokastër e Korçë prej Halim Xhelos e Hysni Lepenicës, Meçan Kallaratit dhe Tahir Hoxhës. Mësuesit e fshatrave kanë qënë flamurtarët trima të veprimeve të guximëshme, po ashtu kanë vepruar edhe patriotët e vjetër. Çdo krahinë kish celulë, që udhëhiqej prej mësuesve dhe patriotëve të vjetër, për të mbajtur lart moralin e popullit dhe që të krijonte një urrejtje kundër armikut. Në Tërbaç u arrit të çfaqen edhe pjesë teatrale.

Pas okupimit, gjer më 28 nëntor 1919, Komiteti, në mbledhjen që mbajti në kafen e Hamza Isajt, vendosi me një zë festimin këtë vit të Ditës së Flamurit, me pjesëmarrjen e popullit të qytetit e të krahinave, ashtu edhe të nxënësve të shkollës. Komiteti njëkohësisht dërgoi një komision prej tre vetash, nën kryesinë e Osman Haxhiut, pranë gjeneralit Ferraro, komandant i fuqive italiane në Ballkan, për të kërkuar leje për festimin e kësaj dite, pasi e dëshironte populli. Gjenerali refuzoi kategorikisht dhe vetëm për t’i përcjellur u tha: “Do të jap urdhër që të ngrihet edhe flamuri shqiptar, por do të ndalohet çdo manifestim nëpër rrugë, kurse prej autoriteteve të sigurimit publik do të merren masa kundër atyre që do të veprojnë ndryshe”. Osman Haxhiu iu përgjegj në flakë me këto fjalë: “Ne do ta festojmë me çdo kusht ditën e indipendencës tonë, s’mund të ndalojë kush popullin të festojë ditën e shënjtë, ju bëni ç’të doni” dhe doli prej zyrës së gjeneralit me nervozitet. Komiteti e ka ditur se do të merrej përgjigje negative, por ai kish marrë çdo masë që të përballohej çdo situate, përveç gjakderdhjes, pasi puna s’ka qënë e pjekur gjer në atë shkallë.

U hap fjala në qytet, ku ishin edhe krerët e krahinave, se italianët nuk lejojnë festimin. Por festimi ishte vendosur. Komiteti hapi fjalë se të nesërmen do të bëheshin lutje në kishë e në xhami dhe prej andej populli do të shpërndahej. Kjo qe sa për sy e faqe, për ta lënë armikun në gjumë. Të nesërmen, ora 9 para dite, një grumbull hoxhallarësh me myftinë në krye, me priftin ortodoks dhe katolik, me ta edhe Osman Haxhiu me anëtarët e Komitetit dhe me tre djemtë e Ismail Qemalit dhe me 12 djem të veshur me petka kombëtare dhe një flamur të qëndisur me ar, u drejtua tek Xhamia Plakhanë dhe hynë brenda. Pas tyre u grumbulluan populli dhe nxënësit e shkollës, nën kryesinë e patriotit veteran, profesor Jani Mingës. Pasi u bënë lutjet fetare dhe pas një fjalimi patriotik të profesorit, populli me flamur në dorë u drejtua drejt rrugës së madhe në një manifestim të zjarrtë duke bërtitur “Rroftë Shqipëria, rroftë flamuri kombëtar, të huajt jasht vendit tonë!”. Menjëherë 200-300 karabinerë të armatosur me revole dhe me shpata u dalin përpara dhe i shtrëngojnë të shpërndahen. Para karabinerisë një major e urdhëron Osman Haxhinë të shpërndajë turmën, por Osmani kundërshton dhe turma shtyhet përpara, duke bërtitur: “Rroftë Shqipëria e pavarur!”. Karabinerët të egërsuar goditën flamurin me shpata e me bajoneta, Osman Haxhiu dhe krerët e demonstratës rrethohen prej karabinerisë dhe janë në rrezik të arrestohen, por ndërkohë turma rrethon karabinerët. Një pjesë me Osman Haxhinë hyjnë në xhami dhe dalin nga dera tjetër. Nervoziteti në popull e sidomos në të rinjtë vete në kulm dhe demonstrata vazhdon me flamur të grisur copë copë nëpër duar të popullit. Nuk trëmben nga karabinerët. Këta mundën të rrëmbejnë një flamur nga fëmijët e shkollave dhe ia varën një qeni. Populli, i tërbuar, përleshet me ta me shkopij dhe gurë. Përleshja vazhdon për një çerek ore, gjatë së cilës shumë popull, madje edhe fëmijë, qenë shtrirë përdhe të gjakosur. Por dhe armiku, sado i mbrojtur, ishte mbuluar në gjak. Populli u shpërnda. Të rinjtë në kafe këndonin hymnin kombëtar. Në qytet shpërtheu një vaj dhe urrejtja kundër armikut arrin në kulm.

Në krahinat, sipas urdhërit të Komitetit, megjithë masat e armikut, dita e flamurit gjithashtu u festua.

Me tu stabilizuar Qeveria e Tiranës, Komiteti dërgon një komision në Tiranë nën kryesinë e Qazim Kokoshit për t’u marrë vesh me qeverinë për një ndihmë për popullin e Vlorës në rast të një lufte eventuale për ndjekjen e armikut nga toka kombëtare. Qeveria iu përgjegj komisionit se ajo do ta ndihmonte me çdo gjë, por me masa e forma jozyrtare. Me kthimin e Komisionit në Vlorë, qeveria më dërgoi nga Tirana në Beograd me mision, siç kemi folur më lart. Pra, mbi inkurajimin e qeverisë, me nxitjen e miqve të Shqipërisë dhe duke u bazuar në trimërinë e patriotizmin e popullit të Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës, Komiteti vendosi t’i japë ultimatumin e fundit Italisë për të liruar tokën shqiptare.

Koha prej marsit deri më 20 maj 1920, ditë e shpalljes së luftës, ka kaluar me pregatitjen e luftës, organizimin e axhitacionin dhe për plotësimin e nevojave në armë e municion. Efekti i përgatitjeve shpirtërore në popull ka qënë në kulm. Armët dhe municionet mungonin. Qeveria nuk kish as armë, as municion dhe as mjete financiare për t’i siguruar ato me të holla dhe tentativa e fundit që bëri për këtë me misionin tim dështoi. Nga ana tjetër, armiku, duke parë përgatitjet per një kryengritje, filloi të ndjekë patriotët më të zgjedhur të vendit dhe të forcojë objektet ushtarake në Tepelenë, Kotë, Gjormë, Drashovicë, Panaja dhe Llogara me armë moderne. Postkomandati trifishoi me karabinerë, duke i rrethuar me tela dhe përforcuar me artileri.

Persekutime dhe arrestime në Vlorë

Në maj 1920, armiku ish bërë si i tërbuar dhe, pasi me shqiptarët s’e nxori dot në krye me të mirë, vendosi të përdorë forcën. Një pjesë e madhe e patriotëve të qytetit dhe të fshatrave, që ndiqeshin prej italianëve, u arrestuan. Natën e 9 majit dhe të nesërmen gjithë ditën, italianët kishin bërë bllokimin e qytetit dhe karabineria hyri nëpër lagje dhe arrestoi më se 500 veta, të cilët i futën në një vapor të vjetër në molo. Klerin mysliman, orthodoks e katolik, profesor Jani Mingën, avokat Agjah Libohovën, Hasan e Musa Shabran, si pari vendi, i transportuan në vapor. Mbas dy ditësh, rrëmbyen me të rrahura nga shtëpitë e tyre gjithë burrat, pleq dhe të rinj, duke iu marrë çka kishin me vehte, dhe i përcollën me atë vapor për Sazan. Një pjesë të pengjeve i lanë në vapor. Në Sazan kanë qënë më se 3000 vetë, midis të cilëve edhe djem shkolle 14-15 vjeçarë, të vendosur në baraka të rrethuara me tel. Italianët popullin e Vlorës e transportuan në Sazan për hakmarrje dhe u sollën në mënyrë fare barbare, gjë që ishte një njollë për një qeveri që përfaqëson një popull të qytetëruar.

Megjithë mungesën e mjeteve, vullnetarët e Vlorës, përkundrazi, u suallën më njerëzisht kundrejt robërve të luftës dhe këtë sjellje njerëzore e ka vërtetuar edhe korrespondenti i gazetës “Daily Chikago”, Monderuell, i ardhur në Drashovicë, ku ndejti 15 ditë për të bërë hetime, pasi gazetat italiane shkruanin se shqiptarët ua kanë nxjerrë sytë dhe ua kanë prerë veshët robërve të luftës. Korrespondenti, që ka qënë edhe përfaqësuesi i një axhensie, pasi bëri vrojtimet e nevojshme, shkoi në Romë dhe në një artikull që botoi në gazetën” Tribuna” i përgënjeshtroi shpifjet e gazetave italiane.

 

Ultimatum drejtuar Konferencës së Paqes prej popullit të Vlorës

Në fillim të majit 1920 dërgohet një delegacion prej dy vetësh në Romë nga populli i Vlorës për t’i dërguar një ultimatum Konferencës së Paqes në Paris, ku thuhej se, në qoftë se italianët brënda 20 ditëve nuk e zbrazin Vlorën, gjithë vlonjatët dhe patriotët shqiptarë do t’i luftonin italianët deri sa t’i hidhnin në det. Delegatët ishin drejtuar te Tefik Mbortja, i cili, pa humbur kohë, i shoqëruar nga delegatët, ultimatumin e shpie në Ambasadën Franceze, ku prej këshilltarit u pritën shumë mirë dhe morën sigurime se brenda 24 orëve ultimatumi do t’i bjerë në dorë delegatëve të Konferencës. Këshilltari dukej tepër i kënaqur nga kjo inisiativë shqiptare.

 

Mbledhja e parë në Barçalla (Mali i Dukatit) më 16 maj 1920

Mbledhja e parë bëhet më 16 maj 1920. Hysni Lepenica shkon në Tragjas, ku lajmëron Alem Mehmetin, Ymer Radhimën, Sheme Sadikun dhe Tahir Hoxhën që të shkonin në Malin e Shashicës për t’u takuar me Beqir Sulon, Muhamet Abedinin dhe Ahmet Lepenicën, të cilët ishin si të ngarkuar nga Qazim Kokoshi, Qazim Koculi, Durro Shaska, Zaçe Xheloja, e t’i lajmëronin këta që të mblidhen në një vend larg objektivave ushtarake italiane, nga 4-5 veta për çdo fshat, ku të vendoset dhënja e kushtrimit për luftë në gjithë prefekturën e Vlorës, Kurveleshit e Tepelenës. Për gjithçka ishin marrë vesh, vetëm e kishin lënë se kur dhe ku do të bëhej mbledhja. U vendos që mbledhja të bëhej në Barçalla, vend i përshtatshëm.

Në mëngjezin e 16 majit mblidhen në Barçalla 310 burra me fytyra të qeshura. Përfaqësohej çdo fshat përveç Himarës, Kurveleshit dhe Tepelenës që ishin shumë larg. Mbledhja, aty për aty, nga çdo krahinë zgjodhi nga dy veta, gjithsej 16 vetë, dhe 2 nga qyteti i Vlorës. Ky komision vendosi të bëhej një mbledhje shumë e gjerë në Beun të Vajzës më 18 e 19 maj, ku do të merrte pjesë çdo burrë i armatosur dhe mundësisht nga një për derë. Gjithashtu, u dha porosi të lajmërohej dhe Tepelena, Kurveleshi dhe Mallakastra, që s’kishin mundur të merrnin pjesë në mbledhjen e parë. çetat e çdo fshati niseshin natën për Beun që të mos i dëmtonte armiku.

Nga gjiri i mbledhjes u formua një komision i përbërë prej Qazim Koculit, Qazim Kokoshit, Osman Haxhiut, Beqir Sulos, Alem Mehmetit dhe Ali Beqirit. Ky komision do të pregatiste ultimatumin që do t’i jepej komandantit italian e që konsistonte në dhënien e 2 ditëve afat për zbrazjen e tokës së Vlorës. Kjo mbledhje shërbeu për t’u njohur mirë me njëri­tjetrin.

Komiteti “Mbrojtja kombëtare”

Në vjeshtën e 1919-tës, në Përmet ish formuar një komitet me emrin Komiteti “Mbrojtja kombëtare” prej Koço Tasit, Baba Xhaferit, Agathokli Xhitonit dhe Spiro Kosovës. Kryetar faktik ishte caktuar Koço Tasi dhe kryetar nderi Baba Xhaferi. Ky komitet ish në lidhje me Komitetin e Këlcyrës, të kryesuar nga Ali Këlcyra, dhe me atë të Korçës. Këto komitete dërgojnë një delegacion në Korfuz nën kryesinë e Bahri Omarit, me anëtarë agronom Kristaq Konomin, nga Narta e Vlorës, dhe Hamza Isajn. Komisioni, me ndërmjetësinë e vëllajt të Kristaq Konomit, Spiro Konomit, mjek dhe profesor në Universitetin e Athinës, hyri në kontakt me autoritetet dhe personalitetet politike në Athinë. Delegacioni kish për mision të kërkojë që grekërit të hiqnin dorë nga pretendimet e tyre mbi Vorio-Epirin dhe t’u lutej grekëve që të mos i qëllojnë prapa krahëve shqiptarët, kur këta do të sulmonin me armë italianët. Delegacioni shkoi edhe në Athinë. Qeveria e Athinës nuk dha një përgjigje të prerë, pasi nuk besonte se shqiptarët janë në gjendje të bëjnë një akt të tillë kundra italianëve, por nga ana tjetër, shumë personalitete influente të Athinës e nxitën delegacionin në qëllimin e tij dhe e siguruan se nuk do të pësonin asnjë pabesi nga ana greke dhe se pretendimet mbi Epirin do të bëheshin me mjete diplomatike. Dhe me të vërtetë fjalën e mbajtën.

 

Mbledhja e Beunit më 18-19 maj 1920

Në mbledhje merrnin pjesë 2.000 vetë prej Vlore e fshatrave, prej Kurveleshi e Tepelene. Vetëm 1200 vetë ishin të armatosur, të tjerët të pajisur me sopata, kama dhe shkopinj. Prej kësaj mbledhje u formua një komision prej 30 vetash. Komisioni zgjodhi komitetin e luftës prej 12 vetësh me emrin “Komiteti i luftës së Vlorës” me komandant të përgjithshëm Qazim Koculin. Ju dërgua një telegram gjeneral Piaçentinit në Kaninë më 18 maj 1920 me afat 24 orësh. Ultimatumi dërgohej në emër të popullit të Vlorës, Kurveleshit, Tepelenës e Himarës. Në të thuhej: “Kërkojmë çlirimin tonë nga ushtëria italiane brenda 24 orëve. Në qoftë se ikni me të mirë populli ynë do të mbetet mik me popullin dhe qeverinë italiane, në qoftë se nuk tërhiqeni me të mirë, të shtytur nga e drejta jonë e shëjtë kombëtare, që askush nuk mund të na e mohojë, ne jemi të shtrënguar t’u biem fuqive ushtarake tuaja kudo që t’i gjejmë dhe nuk do të tërhiqemi nga beteja deri tek njeriu i fundit” (18.V.1920 Komiteti). Mbas mbarimit të afatit, nga pala italiane nuk u dha asnjë përgjigje.

Ndërkohë, Komiteti vendosi të bëhet një falje e përgjithëshme e gjithë armiqësive të ndodhura deri në orën e këtij vendimi. Sipas tij, kundravajtësit pushkatohen dhe shtëpitë e tyre digjen. Italianëve t’u bëhet luftë e paprerë kudo që të gjënden qëndrat e tyre ushtarake. Nga çdo shtëpi një burrë për në luftë dhe kur shtëpia ka 3 apo 4 burra, 2 të venë në luftë. Familjet pa ndihmë do të përjashtohen nga ky detyrim. Të gjithë dezertorët dhe spiunët, vegla të armikut, do të pushkatohen.

Fuqitë u ndanë në 5 kollona: Kotë, Gjormë, Drashovicë, Llogora dhe Tepelenë. Në Kotë shkoi komandanti i përgjithshëm Qazim Koculi me një fuqi prej 350 vetë, në Drashovicë 300 vetë, në Llogara 250, në Gjormë 120 vetë e në Tepelenë 250 vetë nën komandën e Baba Ahmetit, Koço Tasit dhe Ali Këlcyrës.

Në ora 2 pas mesnate të 20 majit 1920 fillon lufta në të gjithë sektorët që u thanë më sipër. Armiku ish i fortifikuar dhe i armatosur mirë. Pushkën e parë në Kotë e zbrazi Qazim Koculi. Në këtë sektor kish marrë pjesë edhe Kurveleshi nën komandën e Riza Runës. Luftëtarët trima me ato pak municione dhe me gërshërë në dorë, kërcyen mbi telat për të hapur shtigje dhe shumë herë kapërxyen duke shtrirë gunat mbi to dhe duke mësyer mitrolozët. Në Kotë vritet komandanti italian dhe shumica e ushtarëve bashkë me një nënkolonel. Ranë edhe 17 dëshmorë shqiptarë dhe 7 të tjerë mbetën të plagosur. Nga italianët vriten 165 ushtarë, 1 kolonel, 1 nënkolonel dhe 70 oficerë dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur, të cilët menjëherë u shtruan në spital. Krejt fuqia italiane në Kotë ka qënë 300 ushtarë, dhe 42 karabinerë, të cilët të gjithë u vranë me marshallin e tyre. Depoja e armëve dhe municioneve pjesërisht iu dha ushtarëve kombëtarë dhe pjesa tjetër popullit. Si në Kotë, po me atë taktikë, lufta vazhdoi edhe për pozitat e tjera të forcuara në Drashovicë, Llogara, Sinanaj, Gjormë dhe Tepelenë, ku populli luftoi trimërisht dhe i detyroi italianët të dorëzohen.

Pas çlirimit të qarkut, forcave vlonjate u erdhën në ndihmë dhe fuqira prej viseve të tjera: Tepelenë, Mallakastër, Tiranë, Kavajë dhe kapiten Ferit Frashëri me gjindarmarinë e Korçës, Hysni Toska dhe Azis Çami me fuqinë e xhandarmarisë. Në luftën e Vlorës si vullnetar mori pjesë edhe patrioti veteran Hasan Qinami, i cili u plagos, ashtu siç u plagos edhe në luftën që bënë vullnetarët e Kolonjës më 1914 kundër rebelëve në Pogradec.

Gjatë 25 kilometrave, prej Ujit të Ftohtë gjer në Panaja e Cerkovinë, ishin përqëndruar 4000-5000 shqiptarë, të vendosur nëpër gryka. Dhe kështu filluan betejat mbi Vlorë, ku shqiptarët duallë ngadhnjyes në të gjitha betejat. Gazetat e huaja me artikuj e korrespodenca plot lavdi për heroizmin shqiptar, i bënin thirrje botës së qytetaruar për ta shpëtuar popullin shqiptar. Më në fund, komanda italiane pruri arditët, formacionin më të zgjedhur të ushtrisë. Këta i sulmuan pozitat shqiptare natën e Bajramit, duke përfituar nga një vesë shi dhe duke përparuar përpara zjarrit të rojeve. Fuqitë shqiptare mbrrinë në vijën e parë dhe zunë vend brenda 4-5 minutave, por, të kërcënuar nga sulmet e parreshtura të arditëve, më këmbë dhe me bajoneta në gojë, u detyruan të prapsen nga disa pika. Më në fund, shqiptarët u muarën krahët arditëve dhe pasi i vunë midis dy zjarreve, i dërrmuan.

Në luftën e Vlorës gjithë populli shqiptar ka qënë i një mendimi. Faik Konica, avokat Jorgji Çako dhe njëfarë Martinaj kishin hyrë në marrëveshje me qeverinë italiane për t’ia lënë Italisë Sazanin dhe një pjesë të Karaburunit, si edhe një bazë navale në Vlorë. Faik Konica këto kondita ia propozon Tefik Mborjes, që të bashkohet edhe ky me të dhe me një torpedinier italian të zbresin në Sarandë dhe të shkojshin në Gjirokastër për të biseduar me Kol Tromarën, prefekt i Gjirokastrës, dhe së bashku të shkonin në kuartjerin e revolucionarëve për të biseduar me ta në favor të marrëveshjes që kish bërë Faiku. Mborja, përveç refuzimit, lajmëron edhe Qeverinë e Tiranës mbi tentativat që bëheshin në Romë. Kështu dështon inisiativa e Faikut dhe qeveria italiane dërgon kont Manzonin, i cili bëri marrëveshjen mbi tërheqjen e ushtërisë italiane nga Vlora.

Kryeministëri Sulejman Delvina gjatë Luftës së Vlorës ka mbajtur një qëndrim të vendosur kundër italianëve. Ai ka qenë për zbrazjen pa kusht të tokës shqiptare nga italianët dhe kur Komiteti i Luftës së Vlorës filloi të lëkundej pak për shkak të vazhdimit tepër të luftës, ai e inkurajoi atë për vazhdimin e saj deri sa u arrit fitorja e plotë.

 

Lufta e KopIikut, korrik 1920

Në këtë luftë jam ndodhur në Shkodër. Kjo luftë u provokua nga Zef Serreqi, oficer i xhandërmarisë në Shkodër dhe nip i imzot Jak Serreqit, arqipeshkvit të Shkodrës. Zef Serreqi, për të zaptuar Hotin, Grudën dhe Tuzin sulmoi me një fuqi fuqitë jugosllave. Në këtë përpjekje u vra një aspirant shqiptar. Jugosllavët, me Alush Lohjen në krye dhe me fuqitë e rregullta prapa, kundërsulmuan dhe, erdhën afër Vrakës. Në Shkodër u bë panik. Zogu vjen në Shkodër dhe me cilësinë e ministrit të Brendshëm, merr në dorë prefekturën si edhe komandën e operacionit dhe kundërsulmon fuqitë jugosllave civile e të rregullta, të cilat i detyron të tërhiqen. Në këtë luftë populli i qytetit dhe i rrethit të Shkodrës, nën komandën e oficerëve trimë, si kapiten Hamit Gjylbegut e Taip Shkodrës me shokë, kan luftuar me trimëri, duke e shpëtuar Shkodrën nga rreziku i okupimit jugosllav.

Ky provokim kundra ushtërisë jugosllave u bë në një kohë kur Lufta e Vlorës ishte në zhvillimin e plotë të saj dhe u bë me qëllim që të lehtësonte presionin mbi frontin e Vlorës. Zogu, si komandant dhe prefekt i Shkodrës, desh ta dërgonte në gjyq Zef Serreqin si agjent italian, por nga frika se mos shkaktohej një keqkuptim e një ftohtësi në elementin katolik në atë kohë aqë delikate, meqënëse ai njihej si nipi i arqipeshkvit, nuk u pa oportune dërgimi i tij në gjyq.

Alush Lohjes iu dogjën shtëpitë.

 

Tentativa e shkarkimit të armëve të D’ Annuzios në Shqipëri-korrik 1920

Lufta me jugosllavët vazhdonte në Koplik. Një vapor italian me armë e municione dhe me mjete të tjera kishte ardhur në Durrës për të shkarkuar armët që kish dërguar D’Annuzio për kosovarët. Zogu menjëherë më dërgon mua dhe Xhemal Najipin në Tiranë te kryeministri Sulejman Delvina, me qëllim që të provokonte vendimin e Këshillit të Ministrave për ndalimin e shkarkimit të armëve në fjalë në tokën shqiptare. D’Annuzio më parë, me ndërmjetësinë e një majorit, kish tentuar të shkarkonte armët në marrëveshje me Javer Hurshitin, për t’i vënë ato nën urdhërin e kosovarëve irridentistë, por Javer Hurshiti, duke e kuptuar qëllimin e italianëve, e kish refuzuar kategorikisht. D’ Annuzio më vonë lidhi një miqësi të ngushtë me Hasan Prishtinën, të cilit në shënjë miqësie i kishte falur për kujtim një kuti cigaresh ari të stolisur me gurë të çmueshëm. Hasan Prishtina, aventurier guximtar, ishte në krye të kësaj aventure të rrezikëshme, qëllimi i së cilës s’mund të ishte shpëtimi i Kosovës, por ta vinin në rrezik fatin e qeverisë dhe fatin e Luftës së Vlorës.

Këshilli i Ministrave vendosi për mosshkarkimin e armëve. Bash në këtë kohë, dibranët sulmojnë tokën jugosllave. Jugosllavët, me mercenarët e kryesuar nga Halil Lleshi, Taf Kaziu dhe me fuqitë e rregullta, kundërsulmuan dhe erdhën deri në vijën e demarkacionit, ndërsa fuqitë mercenare hynë në tokën shqiptare dhe erdhën afër Priskës. Zogu menjëherë prej Shkodre vjen, në Tiranë dhe, së bashku me kryeministrin, vendosin dhe na nisën Xhemal Naipin dhe mua, natën, për Shkodër me 20.000 fr.ari me vete për prefekturën, me mision të provokonim çdo masë paqësore ose ushtarake për të evituar me çdo kusht shkarkimin e armëve nga vapori, që kish ardhur prej Durrësit në Shëngjin, pusi fuqitë jugosllave ishin përqëndruar në grykë të Bunës gati për të okupuar Shën- Gjinin në rast të shkarkimit të armëve.

Ne qysh atë natë erdhëm në Shkodër dhe në orët e vona u takuam me Bajram Currin për ta bindur atë, pasi ishte më i arësyeshëm se të tjerët. E diskutuam çështjen nga çdo pikëpamje, por nuk mundëm ta bindnim Currin, pasi influencohej prej Bedri Pejës, që ishte në favor të shkarkimit të armëve. Atëhere, shkuam po atë natë në prefekturë, ku na prisnin ndihmësprefekti Sulçe Bushati me komandantin e xhandërmarisë Malo Bushatin për të marrë vesh përfundimin e bisedimeve. Pasi të gjitha përpjekjet me anë bisedimesh dështuan, u vendos për masa ushtarake. Malo Bushati, nën komandën e kapiten Hasan Bushatit, dërgon një fuqi xhandarësh në Shëngjin për ta ndaluar me forcë shkarkimin e armëve. Nga ana tjetër, të nesërmen, u thirr Bajram Curri nga ana e prefektit ku iu njoftua se “Këshilli administrativ i prefekturës ashtu dhe gjithë populli i Shkodrës, pasi shkarkimin e armëve e shihte të rrezikshëm, u këshillon që të hiqni dorë nga ky mendim, përndryshe do të merren masa për ta kundërshtuar me forcë”. Bajram Curri, pasi e pa se e vetmja fuqi mbi të cilën u mbështetshin kosovarët, ajo e emigrantëve të Plavës e të Gucisë, fuqi rreth 300 vetash që e kryesonte Hasan agë Feri, me ndërmjetësinë e Malo Bushatit, u bashkua me qeverinë, u shtrëngua të hiqte dorë nga kjo lojë e rrezikëshme.

Të gjithë kosovarët që figuronin në Krahun Kombëtar, përveç Bedri Pejës, ishin kundra pranimit të armëve të D’Annuzios, kurse të tjerët, përveç Beqir Vokshit, ishin për pranimin e tyre, pasi këta qenë të bindur se me këto armë do ta shpëtonin Kosovën. Por midis këtyre kish edhe të tillë si Hasan Prishtina që donin të siguronin shuma të mëdha me shitjen e armëve.

 

Sulmi i dibranëve kundër Jugosllavisë gusht 1920*

Me tërheqjen e francezëve prej Dibre pjesa më e madhe e parisë së vendit u arratis për shkak të urrejtjes që kish kundra serbëve, por edhe sepse ishin përgjakur me ta. Serbët gjate kohës që mbajtën Dibrën, e lanë popullin të lirë me gjyqin e maleve të vendit, por, nga ana tjetër, u merrshin vulat kryepleqve të katundeve se gjoja donin të rrinin nën Jugosllavinë, me qëllim që këto dokumenta t’i paraqisnin në Lidhjen e Kombeve. Dibranët në Arras e shtruan këtë çështje dhe vendosën ta sulmojnë ushtrinë serbe që kështu t’i bëjnë të pavlefshme vulat që kishin marrë me mënyra të ndryshme (me të holla, pozita, mashtrime e kërcënime).

Në korrik 1920, kur ishte duke vazhduar lufta e Vlorës, nënkolonel Ramis Dibra, senatori i Dibrës Ramis Daci dhe Jashar Erebara, shkojnë prej Tirane në Dibër. Bëhet një mbledhje në katundin Arras, ku morën pjesë të gjithë krerët e arratisur e jo të arratisur: Ramiz Dibra, Elez Isufi, Dine e Izet Maqellari, Ramis Daci, Shaqir e Dine Dema, Dine Hoxha, Selim Noka, Murat Kaloshi, Dervish Lusha etj., në të cilën bisedohet çështja e një aksioni kundër Jugosllavisë pa u këshilluar me qeverinë. Qëllimi i këtij aksioni ka qenë të detyrohet Jugosllavia të tërhiqet në kufijtë e 1913 dhe përveç kësaj, të çlirohet edhe Dibra thjesht shqiptare, përndryshe dibranët do të luftonin për këtë qëllim sikur luftojnin vlonjatët për Vlorën, mbasi për Dibrën nuk mendon as qeveria, as edhe viset e tjera të Shqipërisë. U bisedua mbi koordinimin e forcave në një shtab të përbashkët dhe u caktua Elez Isufi si komandant i përgjithshëm. U vendos data e kryengritjes dhe u caktuan sektorët e vendosjes së forcave. Dine Hoxha lajmëron komandantin jugosllav që ta lirojë Dibrën shqiptare, por ai i përgjigjet se “kjo i është lënë Jugosllavisë dhe nuk e lirojmë, në rast se sulmoni do t’ju presim me armë”.

Më 18-20 gusht në mëngjez filloi kryengritja në Lugjapravë-Shumbat prej Suf Xhelilit, tek Ura e Lushës prej Dervish Lushës e Murat Kaloshit, në Çap të Bregdanit prej Dine Hoxhës, në Grykë të vogël prej Demave e Dan Camit. Armiku luftohet nga të gjitha drejtimet dhe forca të tjera brenda katundeve i bien pas shpine që të mos e bënte tërheqjen në rregull për në Peshkopi. Luftimet qenë mjaft të ashpra dhe armiku pati shumë humbje në njerëz. Mbeturinat e armikut arrijnë në qendër, të ndjekura këmba këmbës prej forcave dibrane, të cilat i rrethojnë ato në Peshkopi. Mbas luftimesh të përgjakëshme, armiku pësoi disfatë të plotë dhe u asgjësua. Shpëtoi vetëm xhandërmaria, e cila kish ikur për Dibër të Madhe para se të bëhej rrethimi i ushtrisë në Peshkopi. Disa njësira të armikut, të përforcuara me fuqinë e Halit Lleshit, tërhiqen prej Bulqize e Grykës së Vogël për në Dibër të Madhe. Në afërsitë e Peshkopisë u plagos Murat Kaloshi. Armiku ndiqet deri në Dibër të Madhe, ku i caktojnë vijën e demarkacionit dhe i thonë se ky është kufiri që na kanë caktuar Fuqitë e Mëdha të Evropës.

Në këtë luftë të plagosurit dhe robërit e luftës trajtoheshin mirë nga ana e dibranëve dhe këtë, përveç ndjenjave humanitare, e bënë me qëllim që të bëhej përshtypje e mirë jashtë. Robërit, një bataljon, dërgohen në Tiranë, dhe pas 10 ditësh, prej Durrësit me një vapor jugosllav dorëzohen në Jugosllavi.

Serbët ndërkohë grumbullojnë ushtri të madhe gjatë vargut të maleve të Korabit, të përbërë prej një korparmate, duke u zgjatun në drejtim të Trebishtit deri në Klenjë. Dibranët e shikonin fort mirë koordinimin e taktikës së armikut, i cili përgatitej për një sulm të madh në të gjithë anët e kufive të qarkut të Dibrës, prandaj nuk e kishin mëndjen të fjetur. Forcat vullnetare qëndronin të grumbulluara në prapavijat, kurse në kufirin me armikun qëndronin forcat e lokaliteteve të afërme. Armiku mendonte të sulmojë me befasi, kështu ditën më të volitëshme e gjeti në festën e Kurban Bajramit, në atë kohë kur dibranët festonin ditën e tyre. Para se të fillojë ofensivën, komandanti i ushtërisë jugosllave e thërret Halit Lleshin dhe i thotë që me fuqinë e tij të shoqërojë ushtërinë jugosllave në Peshkopi. Haliti i përgjigjet: “Unë nuk mund të shkoj me ty, sepse, mbasi të është vra ushtëria, do të bësh reprezalje dhe unë si shqiptar që jam s’mund të duroj të vritet populli i pafajshëm, kurse fajtor është Dine Hoxha. Unë shkoj atje ku kam qënë, në Zerqan kam njoft ata që më kanë vrarë në luftë e sipër”. Halit Lleshi dhe Osman Mema pa bërë asnjë pushkë erdhën në Zerqan.

Ushtëria jugosllave, e shoqëruar me mercenarët e Taf Kaziut, një orë para mëngjezit, e sulmoi të gjithë vijën e frontit që u tha më lart, duke rrahur me artileri prej së largu çdo katund pa mëshirë. Kësaj here rezistenca heroike e popullit ka qënë e papërshkrueshme. Megjithëse fuqitë e popullit nuk ishin asgjë në krahasim me ato të armikut, që zotëronte artileri dhe municione të panumurta, prapëseprapë atij iu desh të bëjë sakrifica forcash të mëdha për të thyer rezistencën heroike shqiptare. Lufta qe e rreptë kudo. Dibranët nuk e lirojnë vendin pa gjak dhe luftojnë në pozita pa e humbur kurajon. Edhe kësaj lufte, e cila qe shumë më e ashpër e më e përgjakëshme se çdo luftë tjetër dhe herojve që s’kursyen jetën për atdhe, populli i thur këngën.

Bregu i Drinit krisi topi, gjimon dheu,

Dibrani në luftë detyrën e kreu.

Çohi, burra, çohi,gjithë me besa besë.

Për Dibrën luftoni me të madhe shpresë.

Armiku lëshon mbi shqiptarët forca mbi forca për t’i ripërtëritun njësitë ushtarake, por këto gjejnë kurdoherë kundërshtime kudo. Duke qenë se armiku sa vinte bëhej më superior, nga ana e krerëve iu dha urdhër popullatës, gra e fëmijë, që të tërhiqen e të kalojnë lumin e Drinit sa më shpejt. Fuqitë luftarake dibrane i mbajnë pozitat e tyre të luftimit me shpirt nëpër dhëmbë derisa familjet kaluan në atë anë të lumit. Fatkeqësisht, një pjesë e popullatës që u ndodh pranë kufirit,  pësoi humbje, mbasi armiku e zuri në befasi. Në shumë raste këtu armiku tregohet i egër e shumë barbar, pse theri, vrau e varrosi burra, gra e pleq. Në katundin Sllatinë të malësisë, ai theri 40 persona duke e parë njëri tjetrin porsi berra. Në katundin Dovolan të krahinës Maqellarës zuri e vrau egërsisht dhe hodhi në një gropë 43 persona me hoxhën e katundit në krye. Këta qëndruan pa u larguar nga fshati me shpresë se do t’i shpëtonte Halit Lleshi, i cili kishte marrë gruan në atë katund. Në katundin Këshavec të krahinës së Kastriotit serbët dogjën brenda në shtëpi një grua plakë të sëmurë. Kësi shëmbëllash ka mjaft.

Kur shumica e popullit kalon në anën e majtë të Drinit, iu dha urdhër fuqive të rezistencës që të tërhiqeshin edhe ato në atë anë të lumit. Pothuajse e gjithë Dibra zbrazet dhe pushtohet nga armiku, i cili vret, plaçkit dhe djeg krejt katundet. E mjera Dibër, për herë të tretë digjet e bëhet shkrum e hi. Shumica e popullit, që kalon në atë anë të Drinit, mori rrugën e emigrimit drejt Matit, Tiranës e Durrësit. Pas pak ditësh lufta kishte pushuar, mbasi burrat u muarën me përcjelljen e familjeve për emigrim, ndërsa armiku nuk pushonte duke rrahur me artileri natë e ditë. Një pjesë e burrave shoqëronte familjet duke kaluar nëpër Mat, kurse shumica e fuqive ndalet ndër pozita strategjike, ku armikut mund t’i pritej hovi. Këto vënde ishin Lurë e Qaf Murrizë, Qaf Bull dhe Kaptina e Martaneshit.

Siç thamë më lart, Halit Lleshi me Osman Memën erdhën në Zerqan e ushtëria jugosllave mbeti në Peshkopi. Haliti me Osman Memën sulmuan fuqinë e Tiranës. Qeveria e Tiranës, me ndërmjetësi, i thotë Lleshit dhe Memës: “Ju, derisa ishte gjallë Esati, punonit për të e tani, që ai u vra, punoni për sërbët”. H. Lleshi përgjigjet: “Ne bashkë me ata të qeverisë dërguam dy delegatë në Paris për t’u marrë vesh me Pashën, kurse ju ata i burgosët. Bashkë me Fuat Toptanin e Ymer Deliallisin, burgosët edhe Mutesim Këllëçin dhe Veli Jubën. Të na i bini këtu ata e të na thonë nëse Pasha ishte tradhëtar, atëhere ne do t’ju dorëzohemi dhe do të varremi me litarin tonë e, në rast të kundërtë, ne, sado të vegjël që jemi, kur të korrni livadhet, do t’ju hedhim një gur që t’ju prishim kosat”.

Haliti me Osman Memën e pyetën komandantin e ushtërisë jugosllave: “Në rast se ne sulmojmë Tiranën, komanda a mund të na sigurojë shpinën?”. Mbi përgjigjen pozitive të saj, këta vendosën të mësyjnë Tiranën në tre drejtime: 1. Taf Kaziu do të sulmonte Matin dhe, mbasi për hakmarrje (pse Zogu i kishte djegur shtëpitë e Esatit) të digjte shtëpitë e Zogut, do të kalonte nëpër Qafë të Murrizës e do të zinte shkallën e Tujanit; 2. Halit Lleshi me Osman Memën nëpër Shëngjergj do të binin në Tiranë; 3. Hamdi agë Basha, durrsak dhe ajdutant i Esatit, do të sulmonte vijën Çermenikë-Elbasan e Tiranë.

Taf Kaziu në Mat, mbasi dogji shtëpitë e Zogut dhe 211 shtëpi të simpatizonjësve të tij, u ndal dhe nuk veproi mbas planit të paracaktuar. Fuqia Nr. 3 shkoi në Çermenikë dhe atje u ndal si e para. Fuqia Nr. 2 sulmoi fuqinë qeveritare  në Kaptinën e Martaneshit dhe, mbasi e theu këtë fuqi qeveritare, të përbërë prej vullnetarësh të ndryshëm e sidomos nga vullnetarë të Man Picarit të komanduara nga major Ferit Përmeti, mbërriti dhe e kaloi Qafën e Priskës. Qeveria e Tiranës iu drejtua popullit për ndihmë, duke vënë në dukje rrezikun që kërcënonte jo vetëm Tiranën, por gjithë Shqipërinë, në qoftë se mercenarët e Jugosllavisë do të shtinin në dorë Tiranën.

Rreziku ishte i madh. Brenda pak orësh vendosej fati i Tiranës. Populli i Tiranës dhe i rretheve, pa përjashtim, u vu në dispozicion të qeverisë. Qeveria hapi dyert e depos së armëve, që për fat të mirë sapo kishin ardhur, të blera kontrabandë jashtë shtetit, dhe, duke armatosur vullnetarët e grumbulluar në pesëdhjetshe ose qindshe me nga një oficer e nënoficer në krye, krijoi reparte, të cilët menjëherë nisen për në front. Brenda pak orësh, me qindra e mijëra vetë zunë ballin e luftës, ndaluan përparimin e Halit Lleshit e të Osman Memës dhe pas pak kohe i thyen, duke i ndjekur gjer në vijën e demarkacionit. Kur mbërrinë aty, u gjetën përballë ushtëri së jugosllave, e cila kishte zënë vend. Ata u vendosën simbas urdhërave për të mos provokue një ndërhyrje të hapët të Jugosllavisë, gjë të cilën ajo e dëshironte.

Kështu, mbeturinat mercenare edhe këtë herë i shpëtuan asgjësimit. Vlen të shënohet se në shpartallimin e mercenarëve kontribuoi edhe marshimi i Zogut me bataljonin e xhandërmarisë dhe vullnetarët e Matit, i cili në atë kohë kish ardhur prej Shkodre dhe i kundërsulmoi nga prapa, në atë mënyrë që mercenarët kanë qenë në rrezik të rrethoheshin. Ky kërcënim shkaktoi panik në radhët e mercenarëve. Në gjithë këto ndeshje ushtëria jugosllave asnjëherë nuk ka marrë pjesë aktive.

Mbas vrasjes së Esatit, u bë falja për esadistët, me përjashtim të Halit Lleshit, Osman Memës, Taf Kaziut, Osman Balit, Hoxhë Lëçinit e Osman Mustës. Më vonë, parlamenti i fali dhe Halit Lleshi lidhet me besë me Aqif Pashën, kurse Osman Mema me Zogun. Kështu, të dy u kthyen nëpër vendet e tyre.

*

*        *

Me rastin e ngjarjeve që treguam më lart, u shpjeguan me hollësi kushtet e vështira në të cilat ndodhej qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe përpjekjet e mëdha që përgjithësisht janë bërë për t’u bërë ballë vështirësive nga qeveria dhe nga patriotët bashkë me popullin, me synimin për të çliruar vendin nga okupacionet e huaja. Në këtë kohë, për të përfituar prej rastit, propagandistët dhe spiunët e Italisë bënin propagandë që të kërkohej ndihma e Italisë. Vrasja e Esatit dhe çkatërrimi i partizanëve të tij, Lufta e Vlorës kundra italianëve dhe ato të Koplikut e të Martaneshit kundra Jugosllavisë, sakrificat e mëdha të popullit për çlirimin e vendit me ato fort pak mjete materiale por me atë patriotizëm e entusiazëm të fortë që tregoi ky popull i vogël dhe i varfër, pra, megjithë këto vepra që ai bëri brenda 6-7 muajve për të shpëtuar jetën si popull dhe për të fituar lirinë e tij, fitoi admirimin e popujve të qytetëruar, që i shihnin me simpati këto vepra, forcoi pozitën diplomatike të qeverisë dhe çarmatosi komplotet dhe kombinimet djallëzore të armiqve të brendshëm dhe të qeverive të jashtme, që me çdo kusht kishin vendosur zhdukjen e këtij populli të vogël, të varfër dhe pa asnjë përkrahje. Kongresi i Lushnjës, vrasja e Esatit dhe epopeja e Vlorës, janë tre faktorë që vendosën fatin e popullit shqiptar. Merita e këtyre veprave, përveç popullit, i përket edhe qeverisë, edhe patriotëve që ndoqën një politikë realiste, të matur dhe plot durim, ashtu edhe aftësisë së Zogut, ministrit të Brendshëm, që dijti me një guxim e mjeshtëri të madhe ta vërë në jetë atë politikë.

Kjo është faqja e shkëlqyer e kësaj periudhe të shkurtër, gjatë së cilës ky popull, në sajë të cilësive të larta të tij, mundi të shpëtojë nga rreziku i vdekjes. Këto vepra meritojnë të shkruhen me shkronja të arta.

 

Ana negative

Deri në shtator 1920 populli luftoi për të shpëtuar trojet dhe për të siguruar pavarësinë e vet me çmim të sakrificave të mëdha dhe çliroi vendin deri në kufirin e 1913. Por akoma pa u forcuar mirë shteti, filluan rivalitetet e zakonëshme, komplotet e luftërat nga ana e elementëve që nuk mund të duronin sukseset e fituara nga rivalët e tyre dhe që shteti të drejtohej nga elementë të rinj, pa pozitë shoqërore e të tipit të vjetër. Kishte edhe të tjerë që mezi prisnin të merrnin në dorë frenat e shtetit për ta përjetësuar sundimin arbitrar dhe për të vënë jashtë rrezikut pasuritë e tyre të mëdha, të fituara abuzivisht, dhe, më në fund, kishte edhe të tjerë ambiciozë, edhe më të rrezikshëm se të tjerët, që, nën maskën e patriotizmit e të demokracisë, donin të vinin në fuqi me çdo kusht.

Të shtytur nga pasionet, të gjithë këta donin të ndryshonin Qeverinë e Lushnjës mbas gjithë atyre shërbimeve që kishte bërë dhe të bënin zgjedhje të reja parlamentare. Dhe këto ndryshime donin t’i bënin para se qeveria të njihej nga qeveritë e huaja. Propaganda toskë e gegë, myslimanë e krishterë, kanë qënë parrullat e ditës dhe armiqtë e vendit këto i bënin me qëllim që të krijonin anarshi dhe ta përçanin edhe më tepër popullin në favor të interesave të tyre egoiste. Në këtë rrymë, pa ditur, u fut edhe kryeministri Sulejman Delvina, i cili bënte propagandën myslimane ndër tregëtarët e Tiranës simbas metodave xhonturke, në të cilën, siç i thoshte ai vetes, ka qënë i specializuar. Këto ishin shenjat që paralajmëronin shpërthimin e furtunave në mes të rrymave të ndryshme.

Kundërshtarët, meqënëse nuk ishin në gjendje të ndryshonin situatën në favor të tyre me anë të forcës, donin t’ia mbërrinin qëllimit me mjete legale. Ata u munduan ta bindin Sulejman Delvinën të jepte dorëheqjen, mbasi nuk dispononin shumicën legale për ta rrëzuar me anë të senatit. Mbi këto lajme u provokua një mbledhje e gjerë në shtëpi të Sotir Pecit, ministër i Arësimit, ku morën pjesë anëtarët e qeverisë, senatorët dhe shumë anëtarë të Krahut Kombëtar, për të biseduar rreth lajmeve të përhapura. Në mbledhje u diskutua gjer e gjatë dorëheqja e qeverisë nga çdo pikpamje e brendëshme dhe e jashtme, si edhe mbi pasojat e rrezikëshme që do të kishte kjo dorëheqje. Sulejman Delvina u duk sikur u bind dhe dha fjalën në mbledhje se nuk do ta jepte dorëheqjen, por, mjerisht, pa u këshilluar as edhe me kolegët e tij, i paraqiti dorëheqjen Këshillit të Naltë.

Sulejman Delvina, me dorëheqjen e tij, i la shokët e mbledhjes përpara një fakti të kryer. Atëhere, Zogu provokoi një mbledhje tjetër me disa anëtarë influentë të Krahut Kombëtar, ku na bëri këtë propozim: -Duke marrë parasysh se me dorëheqjen e Qeverisë së Kongresit të Lushnjës dhe me ardhjen e një qeverie tjetër të dyshimtë dhe të lindur nga rrethana që do të ishin jashtë kontrollit tonë, siç parashof unë, nesër do të ndodhemi përpara ngjarjeve me plot rreziqe për vendin, prandaj jam i mendimit që të mos e lëshojmë qeverinë, mbasi, përveç fuqive të tjera që mund të zotërojmë, kemi nën urdhërin tonë edhe bataljonin shtetëror.

Përpara këtij propozimi të guximshëm iu përgjigjëm si vijon: “Megjithëqë edhe ne i parashofim rreziqet e nesërme, ne si anëtarët e një organizate politike revolucionare, që ka lozur një rol vendimtar në shpëtimin e vendit dhe ka për qëllim stabilizimin e një shteti modern ku të mbretërojë ligji e të respektohet statuti, s’mund të bëjmë një grusht shteti, një akt kundra statutit. Atëhere, nga një anë do të ishim në kundërshtim me parimet tona dhe nga ana tjetër do të ndodhemi në një pozitë të vështirë përpara opinionit botëror, po ashtu edhe përpara popullit, që nuk do ta kuptonte shkakun e vërtetë të këtij akti jolegal. Prandaj më mirë t’i pregatitemi luftës për nesër sesa të përdorim mjete jolegale, që do të shfrytëzoheshin prej kundërshtarëve tanë. Sidomos grushti i shtetit do të jetë shumë më i keq, kur ky të bëhet para njohjes së qeverisë nga qeveritë e huaja”. Fitoi teza e kundërt, por koha i vërtetoi të gjitha parashikimet e Zogut.

Mbas dorëheqjes së qeverisë së Sulejman Delvinës, më 14 nëntor 1920 u provokua një mbledhje e gjerë patriotësh të vjetër e të rinj për zgjedhjen e një qeverie të re, neutrale, sa qe e mundur në ato kushte, ashtu edhe një kryeministër që të gëzonte një farë besimi nga të dy palët. Kryeministër qe zgjedhur me këtë rast Iljaz Vrioni, i cili në kohën e Turqisë ish njohur si patriot dhe, përveç kësaj, ish më i arësyeshëm dhe më i moderuar se bejlerët e tjerë. Kështu që qeveria e Iljaz Vrionit u formua më 19 nëntor 1920.

Para dorëheqjes së Delvinës, kundërshtarët u munduan ta rrëzonin qeverinë me anë të senatit, por, për ta paralizuar planin e tyre, senatorët e Korçës, Dibrës, Matit, Elbasanit dhe një i Shkodrës bënë obstruksjon, kështu që nuk arriti të formohej shumica legale për hapjen e mbledhjes së senatit dhe plani i tyre dështoi. Përpara kësaj situate senatorët e tjerë shkuan për pushim deri më 20 dhjetor 1920, me konditë që, në rast se nuk do të formohej shumica në senat, senatorët do të konsideroheshin dorëheqës. Shumica nuk u formua dhe senatorët u quajtën dorëheqës.

Kështu, përpara pasjoneve, ambicjeve dhe intrigave, përveç Këshillit të Lartë, që ka qenë burimi i gjithë ngatërresave, Qeveria dhe Senati i dalë nga Kongresi i Lushnjës u zhdukën, duke e lënë vendin në mëshirën e fatit.

Sejfi Vllamasi