Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942) – Kapitulli IX

Kapitulli IX

Betejat e fundit brenda dhe jashtë Krahut Kombëtar

Në një mbledhje që bën opozicioni, në shtëpinë e Haxhi Jusuf Bankës, deputet i Tiranës dhe në opozitë për shkak të Zogut, nën kryesinë e Nolit: ftojnë edhe Koço Tasin për t’ia komunikuar që të merrte pjesë edhe ai në luftën e organizuar që do të bënin kundër qeverisë. Koço Tasi ka qënë në opozicion, por ka qënë indipendent dhe ndër shumë raste nuk ka qënë solidar me të tjerët. Koço Tasi shkon në mbledhje dhe ndodhet përpara këtij propozimi që i bëhej nga Fan Noli. “Ne kemi vendosur të bëjmë një luftë denigrimi kundër qeverisë për ta diskredituar atë përpara opinionit. Të gjithë shokët dëshirojnë që edhe ti të marrësh pjesë në këtë luftë.” Koço Tasi u jep këtë përgjigje: “Unë do ta luftoj qeverinë kur ajo do të punojë keq, por kur ajo do të punojë mirë jo që nuk e luftoj, por edhe do ta lavdëroj”. Koço Tasi me këtë rast u dha një përgjigje të merituar deputetëve të verbuar nga pasioni, duke u kujtuar se cila ishte detyra e opozicionit në parlament.

Lufta e denigrimit në parlament, e cila vinte duke u egërsuar, ishte e kombinuar me luftën që bënte Faik Konica me anë të gazetës “Dielli”, me luftën që bënte “Shqiptari i Amerikës”, që botohej në Korçë nën drejtimin e Loni Kristos, deputet i Korçës e vatran, si edhe me atë që bënte gazeta “Ora e maleve”, e cila drejtohej e botohej nga kleri katolik në Shkodër. Kjo luftë e organizuar në parlament drejtohej nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau dhe nga Ali Këlcyra dhe, sipas rasteve, në të merrte pjesë edhe Mehdi Frashëri  dhe Koço Tasi. Këta kanë qënë liderët e opozitës, të cilët, përveç rrëzimit të qeverisë, nuk i bashkonte asgjë tjetër.

Këta në formë luftonin Zogun, por në realitet punën e kishin me Krahun Kombëtar, gjë të cilën nuk guxonin ta deklaronin publikisht, pasi disa deputetë të padjallëzuar të opozitës ishin vetëm për luftën kundër Zogut e jo kundër të tjerëve që i konsideronin shokët e tyre të mendimit.

Opozita besonte se likuidimi i Zogut ka qënë shumë më i lehtë sesa likuidimi i Krahut Kombëtar, që në gjirin e vet përmblidhte patriotë të Rilindjes Kombëtare, të vendosur për një politikë realiste e të matur, të cilët në shumicën dërrmuese kishin dalë nga gjiri i popullit.

Në një kohë kur në Shqipëri mbretëronte rendi e rregulli dhe kur kundërshtarët nuk ishin në gjëndje të gjenin gabime për ta sulmuar qeverinë, ngrihet Noli në parlament dhe deklaron: “Njeriu këtu në Shqipëri kujton se është në Afganistan …” (shiko bisedimet parlamentare). Një çpifje kaq trashanike, që s’pajtohej aspak me realitetin e gjëndjes, bëhej në një kohë, siç thamë më sipër, kur kundërshtarët s’mund të gjenin asnjë shkak për ta akuzuar qeverinë dhe kur të huajt çuditeshin me qetësinë dhe rendin që ekzistonte në vend dhe me liritë që gëzonte populli.

Tani të flasim pak mbi liderat e opozicionit.

Ali Këlcyra - Ali Këlcyra nuk humbte asnjë rast për të sulmuar qeverinë. Ai kishte nevojë të madhe ta shesë vehten si orator të madh, si njeri me kulturë të thellë dhe si patriot të flakët. Pasi u vendos për një luftë të rreptë e të organizuar në shtëpi të Haxhi Jusuf Bankës nga ana e opozicionit, ai një ditë në kulm të një entusiazmit të rrejshëm bërtet në parlament duke thënë: “Eshtë për t’i rënë kambanës së alarmit mbi situatën tragjike të vendit…” (shif bisedimet parlamentare). Ajo që e shtynte Ali Këlcyrën për demagogjira të tilla, nuk ka qënë aspak situata tragjike e vëndit, por ai s’mund të duronte më për t’u bërë ministër, pasi ai, në sajë të përshtypjeve të mëdha që mendonte se do të kenë bërë fjalimet e tij në parlament, e konsideronte të hapur rrugën drejt karrigës ministeriale.

Ali Këlcyra dallohej, midis shokëve të tij, si ambicioz dhe si një demagog çkatërrues. Ai nuk ishte ashtu si mundohej të tregohet. Me të kam qënë katër vjet koleg në parlament dhe katermbëdhjetë vjet në emigracion, bashkëpunëtor në një organizatë, në “Bashkimi kombëtar” më 1924-1939, dhe më ka takuar ta njoh në të gjitha aspektet e jetës së tij politike. Aliu nuk ka qënë i sinqertë në propozimin e tij në fillim të hapjes së parlamentit, më 1921, kur tha: “Të mos përdoret emri bej në parlament”. Këtë propozim e bëri me qëllim që të thoshte se ai vetë është një demokrat dhe se vlerën personale e konsideronte më superiore se çdo paragjykim tjetër. Kurse konstatimet e mija, gjatë një bashkëpunimi aqë të gjatë, kanë qënë në kundërshtim të plotë me pretendimet e tij. Ai e luftonte Zogun, pse atë në rangun e vet e konsideronte një rival, i cili abuzivisht i kishte zënë vendin që i përkiste atij jo vetëm si “oxhak” por edhe se kishte plus edhe diplomën e drejtësisë nga Universiteti i Romës. Ai kritikonte bejlerët për arsye se këta në personin e Aliut s’konstatonin cilësitë e një udhëheqësi, as edhe cilësitë si burrë shteti. Aliu s’mund të duronte ndikimin e personave jooxhakë në punët e shtetit, të cilët me mënyra të mshehta e të tërthorta i luftonte për vdekje.

Ali Këlcyra ishte aktiv, energjik, guximtar dhe dipononte një lehtësi gjuhe speciale, por negative përveç axhitacionit. Eshtë mjaft i zoti si orator kur ai flet mbi situata të përgjithëshme ku e ka fushën të lirë e të gjerë e ku mund të flasë çdo gjë që mund t’i ikë logjikës e së vërtetës. Atij i pëlqen më tepër forma e dukëshme sesa esenca e vërtetë që s’vlen për reklam. Por nga ana tjetër, në diskutimet e çështjeve konkrete e të kufizuara ku mendimet e çfaqura kontrollohen mirë atje më nuk është orator, bën gabime dhe dështon, është fort pak i zgjuar dhe i mungon edhe bon-sensi dhe, bashkë me këto mungesa, plus dhe ambicja e tërbuar që ka, e bëjnë atë jo një ndërtues, por një çkatërrues të rrezikshëm. Por Aliu me cilësitë e tij si njeri aktiv, energjik, entuziast kur t’ia dojë nevoja, guximtar e i sakrificës kur ka interes, është një axhitator i kalibrit mjaft të madh dhe një propagandist i mirë. Me një fjalë për kohët anormale është pozitiv, por për kohët normale negativ e çkatërrues.

Stavro Vinjau - Stavroja në politikë nuk u tregua i aftë sesa u tregua si një parlamentar i mirë. Ka bërë gafë si në parashikimet në fushën politike, ashtu edhe kur ka qënë ministër i Drejtësisë në qeverinë e F. Nolit më 1924. Ai u zgjodh deputet në zgjedhjet e para parlamentare më 1920-21, me të dalë nga shkolla, pa patur kohë të njihte zakonet, gjëndjen shpirtërore dhe nevojat materiale të popullit, tendencat dhe personat politikë të vendit dhe u bë vegël e të tjerëve. Kështu që pa ditur e pa dashur, ka kontribuar gjerësisht në çkatërrimin e situatës. Këtë gjë ma pohoi, në Bari më 1939, kur u ktheva nga emigracioni, me këto fjalë: “I dashur Sejfi, 80 për qind ne vetë e prishëm shtetin.” Kjo provon edhe një herë se një kulturë librash e shoqëruar me një lehtësi gjuhe, si kudo tjetër, nuk mjafton për sukses politik e për të qënë burrë shteti. Stavroja ka qënë i zgjuar dhe në atë kohë hiqej si socialist me mendime përparimtare dhe për këtë shkak bejlerët e kishin halë në sy. Ai pas emigracionit të 1924, u stabilizua në Brindizi, duke u marrë me tregëti.

Koço Tasi - Ky patriot i vjetër, por apolitik, ka qënë gjithmonë në opozicion në parlament, por s’ka patur lidhje me të tjerët, ka vepruar në krye të vet. Përveç karakterit të tij indipendent, ai, nga ana tjetër, s’ka patur edhe sensin e kolektivitetit. Në gjithë jetën e tij ai ka vepruar si t’i ketë shkrepur dhe pa ndjerë nevojë të këshillohet me shokët e tij. Nga ky shkak dhe si guximtar e impulsiv, ai ka bërë mjaft gabime dhe, herë pas here, këto i bënte aqë trashanike, sa ata që nuk e njohën mirë kanë dyshuar në patriotizmin e tij.

Koço Tasi i ka kuptuar gabimet e tij dhe shpeshherë më ka thënë: “Kur më vinë ndërmënd gabimet që kam bërë, më kuqet fytyra”.

Punëtor i palodhur, Koço Tasi më tepër ka patur prirje në llogjikë, filosofi dhe në shkencat spekulative sesa në politikë.

Nga liderët e opozitës, për Fan Nolin, Luigj Gurakuqin dhe Qazim Koculin do të flasim më vonë, në kohën e Qeverisë së Nolit, kur që të tre kanë marrë pjesë në atë qeveri.

*

*        *

Në luftën parlamentare plot çpifje të opozitës, partia e shumicës, me disiplinën dhe gjakftohtësinë e saj, ka qëndruar impassible1) dhe ka proceduar pa ia ndërprerë opozitës fjalët e saj gjatë bisedimeve, aqë sa çuditeshin edhe të huajt. Shumica, pra Partia Popullore, sikur të kishte besim në aftësinë gjithashtu edhe në politikën e kundërshtarve, ajo nuk do të ngurronte aspak t’ua lëshonte qeverinë në duart e tyre, por duke e njohur mirë mungesën e kohezionit2, të abnegacionit3, të homogjenitetit dhe të solidarësisë midis tyre, ajo nuk ka patur as më të voglin besim se ajo (opozita) do të dilte faqebardhë në kryerjen e misionit të saj. Parashikimet e shumicës u vërtetuan pikë për pikë në kohën e Qeverisë së Nolit më 1924.

Ngjarjet e brëndëshme në “Krahun Kombëtar”. Zogu

Zogu më 1920-22, si anëtar i Krahut Kombëtar dhe sidomos si ministër i Brendshëm, ka bërë shërbime të mëdha për stabilizimin e shtetit. Ai, sidomos në fillim, s’ka bërë tjetër gjë përveçse ka zbatuar me përpikmëri e me sukses vendimet e kolektivitetit. Ai ka dashur të kënaqte ambicjet e tij me rrugën legjitime, duke i shërbyer vendit. Më 1920, në një konflikt që ngjau mbi ndërhyrjen e Aqif Pashës, si anëtar i Këshillit të Naltë, në kompetencën e Ministrisë së Brëndëshme, Zogu më tha: “Aqif Pasha është 68 vjeç, pra e ka kryer misionin e tij, kurse unë jam 25 vjeç dhe dua të krijoj personalitetin tim, prandaj me gjëra të tilla nuk dua të komprometoj avenirin tim dhe bëj çmos për të evituar konfliktet e kota.”

Zogu ishte shumë i zgjuar, psikolog dhe njohës i vërtetë i popullit shqiptar. Ai ka qënë energjik, aktiv e guximtar, por nga ana tjetër shumë abicioz dhe mefiant, që nuk i beson as vehtes së tij. Përdorimi i çdo mjeti për të është legjitim, kur e ka dashur puna të asgjësojë çdo vështirësi e person që pengon qëllimet e tij. Por nga ana tjetër, ka edhe aftësinë e përshtatëshmërisë ndaj situatës së re dhe të frenojë instiktet e tij përpara disiplinës të një kolektivitetit homogjen e të fortë, siç ka qënë në fillim Krahu Kombëtar. Por ky i fundit më vonë, kur filloi të tregojë shenjat e dobësisë pas konflikteve që ngjanë në gjirin e tij, ai nuk humbte rast të manovronte në dëm të organizatës dhe në favor të tij. Nga mungesa e një besimi pa rezervë, Zogu nuk e gëzonte njëlloj besimin e çdo anëtari të organizatës. Shumica e anëtarëve e kishin kuptuar nevojën e domosdoshme të një bashkëpunimi të sinqertë me Zogun për t’i bërë ballë situatës jashtëzakonisht të vështirë në atë kohë, por megjithatë bashkëpunimi bëhej me një kontroll reciprok për çdo anëtar e sidomos kontrolli ka qënë pak më i fortë kundrejt atyre që nuk kishin dhënë prova të pandërprera gjatë aktivitetit të tyre. Edhe ky dyshim rridhte pasi koha e bashkëpunimit relativisht s’ka qënë aqë e gjatë për ta njohur mirë njëri-tjetrin. Unë kam qënë anëtari më i nxehtë për një bashkëpunim të sinqertë me Zogun dhe kështu kam vazhduar deri në fund, deri në çkatërrimin e plotë të Krahut Kombëtar. Ky ka qënë, sidomos në kohët e para, bashkëpunimi më i frytëshëm, që u kurorëzua me suksese të mëdha.

Bashkëpunimi i sinqertë vazhdoi derisa filluan të dëgjohen fjalë të kota e për mburrje të ndonjë anëtari të Krahut Kombëtar, të folura nëpër rrugë ose nëpër kafe. Megjithëqë fjalë të tilla të ndonjë llafazani nuk mund të implikonin përgjegjësinë e organizatës, por ato sidoqoftë ishin kundër disiplinës dhe shkakëtonin mosbesime.

Pas kryengritjes së Elez Jusufit më 1922, kapiten Riza Cerova, i emëruar qarkkomandant i xhandarmërisë në Peshkopi, në një rast kishte thënë: “Ne e shtypëm Elezin me shokë, kështu do ta shtypim edhe Zogun e të tjerët”. Rizai, sado që këto fjalë i ka folur për mburrje dhe si një kërcënim kundër kundërshtarëve, duhej ta dinte se fjalë të tilla nuk tingëllojnë mirë në veshin e personave të lindur mefiant në ekstrem si Zogu. Nga ana tjetër, fjalë të tilla i shërbenin Zogut si pretekst për të justifikuar manevrat e tij kundër ndonjë shoku ose shokëve që ka dashur t’i diskreditojë. Ai shpeshherë për punët e dështuara dhe antipatike për opinionin publik, kur e shifte në interes të tij thoshte: “Unë s’kam faj në këtë çështje, fajin e ka klika (siç na thoshin kundërshtarët) që ka fuqinë në dorë”. Kurse famën e sukseseve donte ta rezervonte për vehte.

Zogu ndiente kënaqësi të madhe kur lavdërohej e brohoritej prej veglave e dallkaukve të tij, por nga ana tjetër gjatë katër vjetëve bashkëpunimi asnjëherë s’kam dëgjuar nga goja e tij fjalë mburrjeje ose lavdërimi për vehten e tij, gjë që dëshmon inteligjencën e mprehtë të tij.

Zogu bënte, në kohrat e parafundit, edhe politikë personale në Partinë Popullore, e sidomos në zgjedhjen e nëpunësave. Ai preferonte më tepër nëpunësa të lidhur me personin e tij sesa të lidhur me shtet. Mblidhte rreth vehtes elementë hipokritë dhe me moral të dyshimtë për t’i përdorur si vegël. Gjithë këto gjëra i ka bërë më vonë e jo në fillim kur Krahu Kombëtar ka qënë i fortë.

Zogu ka qënë një tip realist, për të cilin si ndjenja ashtu edhe ana morale e çështjes s’ka patur kuptim. Shoqëria, miqësia dhe intimiteti kishin një farë vlere për të kur këto i shërbenin interesit të tij. Ai vrasjen e pranonte si një mjet jo të keq kur shtrëngohej ta përdorte atë kundër rivalëve të rrezikshëm që pengonin qëllimet e tij. Këtë mjet më vonë e ka përdorur edhe kundër patriotëve, kur me eliminimin e tyre ka shpresuar fitime të mëdha për vehten e tij.

Me Zogun bashkëpunimi ka qënë i mundëshëm dhe i frytshëm kur ai e ndjente peshën e fuqisë të një partie të fortë, homogjene e të disiplinuar. Por në një parti të dobët frenimi i tij bëhej i vështirë. Pikërisht kështu ngjau në Krahun Kombëtar. Derisa ky ka qënë i fortë, çdo gjë shkonte në rregull, por kur ai filloi të marrë tatëpjetën, edhe Zogu filloi të ndjekë rrugë të tjera. Në Krahun Kombëtar, me të filluar të çfaqen rivalitetet, filloi njëkohësisht edhe mosbesimi midis anëtarëve të tij dhe kjo situatë e krijuar e nxiti Zogun për tentativa e aventura të reja, për krijimin e kombinacioneve politike të një tipi tjetër, nën kryesinë e tij. Në këtë situatë të përshtatshme për qëllimet e tij, Zogut i pëlqejnë edhe tentativat çkatërruese të Eshref Frashërit, organizatorit të ndërgjegjshëm të çkatërrimit të Krahut Kombëtar, për të krijuar një parti tjetër, nën urdhërin e të dyve, të Zogut e të Eshrefit, pasi Eshrefi besonte se ai do të ishte partner i dytë në parti dhe këshilltar i nevojshëm i Zogut e në parti në një pozitë të barabartë me të. Por, për fatin e keq të tij, ai nuk e kish njohur mirë Zogun as edhe vehten e tij, kurse Zogu atë e njihte shumë mirë. Dhe siç u konstatua më vonë, kur Zogu erdhi në fuqi më 1924, filloi ta diskreditojë Eshrefin dhe ky si përgjigje dha dorëheqjen nga kryesia e Senatit, por Zogu, për çudinë e madhe të Eshrefit, ia pranoi dorëheqjen e tij dhe e flaku si një leckë. Eshrefi del në Korfuz, takohet me shokët e vjetër të tij (të Krahut Kombëtar) në mërgim, u afrohet atyre për bashkëpunim, duke kërkuar ndjesë për gabimet e tij, por ata nuk e afruan. Atëhere kthehet në Shqipëri dhe kështu i përbuzur nga çdo anë, merr fund jeta e tij politike.

Realizimi i planit Eshref-Zog u ndihmua edhe nga gabimet trashanike dhe të pafalëshme të Ismail Haki Tatzatit, i cili më vonë sa herë që i kujtonte mallkonte vetëvehten. Mbi këto gabime do të flasim më vonë.

 

Mbi koncesionet ekonomike

Në verën e 1923-së, kur kam qënë vetë ministër i Punëve Botore, vjen në Tiranë Justin Godardi, Senator i Francës dhe mik i Shqipërisë, bashkë me përfaqësuesin e Shoqërisë franceze të urave Fiv-Lille dhe kërkon nga qeveria shqiptare të drejtën për të gaditur1 urat kryesore të Shqipërisë. Si qeveria, dhe Partia Popullore e përkrahën këtë propozim, jo vetëm pse vendi kishte nevojë të ngutëshme për normalizimin e komunikacioneve, që ndodheshin në një gjendje krejt primitive e të mjerueshme, por njëkohësisht u mendua t’i bëhej edhe një kompliment kapitalit francez me qellim, që politika franceze të sillej pak më dashamirëse kundrejt vendit tonë.

Urat kryesore do të gaditeshin prej hekuri, duke filluar nga Ura e Shijakut, për ta lidhur botën e jashtëme, nëpërmjet Durrësit, me kryeqytetin e Shqipërisë. Por Ministria e Punëve Botare pasi në buxhetin e saj nuk dispononte fonde të jashtëzakonëshme e të mjaftueshme, s’mund të fillonte menjëherë të gjitha urat. Qeveria ia dha këtë të drejtë shoqërisë franceze, pasi ajo ka qënë një shoqëri e specializuar për ura, me famë botërore.

Pasi u plotësuan studimet nga inxhinierët gjermanë që dispononte ministria si teknikë, goditja e urës iu dha asaj shoqërie për fr. 200.000, të cilat do të paguheshin nga buxheti ordinar i Ministrisë dhe shoqëria në një kohë fare të shkurtër dorëzoi një urë të fortë që plotësonte më së miri nevojat e vendit.

Shoqëria do të gadiste edhe urat e tjera në bazë të një plani, me një ritëm që t’i përshtatej mundësive e mjeteve financiare të qeverisë.

Në atë kohë, me anë të ndërmarrjeve të tjera u gaditën edhe mjaft ura të vogla me betonarme.

Një shoqëri italiane kërkoi, në atë verë, koncesionin për 99 vjet për çfrytëzimin e fermave të shtetit në Myzeqe, me kusht që të bonifikonte tokat dhe të siguronte të drejtat e bujqëve të vendosur atje, gjithashtu edhe kushte të tjera në interes të të dy palëve. Qeveria me këtë rast i dha të kuptojë qeverisë italiane se ajo nuk është aspak kundër hyrjes së kapitalit italian në Shqipëri, por me kusht që të sigurohej, interesi i të dy palëve. Akoma nuk dihet përse shoqëria në fjalë hoqi dorë ta përfundonte koncesionin.

Nga ana tjetër, edhe koncesioni për shfrytëzimin e pyllit të Divjakut iu dha patriotit veteran Goni Katundit, koncesion i cili u ratifikua menjëherë nga parlamenti.

Edhe një shoqëri gjermane, e famëshmja Shoqëri “Mannesman”, po në verën e 1923-së, i paraqet një ofertë qeverisë shqiptare, ku kërkon koncesionin për gaditjen e një udhe hekuri, paralele me detin Adriatik, gjatë tokës shqiptare, me kusht që t’ i njihej asaj e drejta e çfrytëzimit të minierave që ndodheshin 40 km. në të djathtë dhe 40 km. në të majtë të rrugës. Ky kusht i fundit ishte i rëndë, pasi përfshinte gati gjithë mineralet e Shqipërisë, prandaj oferta nuk u pranua nga qeveria.

Justin Godardi erdhi prapë në verën e 1923-së i shoqëruar nga dy kapitalistë francezë, Teverro e Charle, të cilët kërkuan koncesionin e çfrytëzimit të pyllit rreth Drinit. Kërkesa u votua nga parlamenti, por pasi Teveros iu konfiskua kapitali nga qeveria franceze si pasanik lufte, koncesioni rrëzohet vetëvetiu. Sidoqoftë, qeveria shqiptare fiton me këtë rast 500.000 fr (fr. ari 100.000), të cilat me vendim parlamenti u shpenzuan për zhvillimin e bujqësisë.

 

Koncesioni i vajgurit

Po e përsëritim edhe një herë atë që kemi folur më lart se qeveria e Britanisë së Madhe, me anën e ministrit të vet, nga fundi i vitit 1920 i propozon qeverisë së Iljaz Vrionit për t’ia dhënë Shoqërisë Anglo-Iraniane të drejtën e prospeksionit (ekzaminimi i një toke nga pikëpamja e minierave që mund të përfshijë) mbi një tokë prej 200.000 ha dhe më von akordimin e koncesionit të vajgurit mbi një sipërfaqe prej 50.000 ha, qoftë kjo sipërfaqe të ishte e përbërë prej copave të ndërprera dhe të ndara me distanca të largëta. E si shpërblim qeveria e Britanisë së Madhe do të përkrahte pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Në atë kohë qeveria shqiptare nuk dispononte as inxhiniera specialistë për vajgurin, as edhe persona që kishin njohuri mbi çështjen e vajgurit.

Cila ka qenë politika vajgurore e Partisë Popullore? Partia Popullore e ka konsideruar një fat të madh ekzistencën e vajgurit në vendin tonë, pra ashtu edhe kërkesën nga ana e Shoqërisë Anglo-Iraniane të koncesionit të këtij lëngu të mrekullueshëm dhe këtë e dëshironte më tepër për arsye politike sesa ekonomike.

Populli shqiptar s’mund të përmblidhej brenda kufive etnikë derisa në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, s’ka patur asnjë përkrahës përveç Austro-Hungarisë.

Kurse Rusia cariste me Francën, me politikën e tyre të ekuilibrit, me tokat më pjellore të Shqipërisë zmadhuan Serbinë edhe Greqinë. Ky fatalitet ngjau pse Anglia nuk e përkrahu Shqipërinë etnike. Pra, Partia Popullore, e ndërgjegjëshme në pozitën reale të Shqipërisë, e konsideronte një rast të lumtur t’ia akordojë Shoqërisë Anglo-Iraniane koncesionin e vajgurit dhe këtë e donte për të patur mbrojtjen e shtetit më të fortë në Evropë në atë kohë, kundër qëllimeve grabitqare të fqinjve tanë, që s’na linin të merrnim frymë. Kurse opozicioni, me mendime të ndryshme, ka qënë kundër mendimit të shumicës dhe preferoi të spekullojë e ta bëjë këtë çështje jetike vegël të pasioneve, duke menduar se me akordimin e koncesionit qeveria do të forcohej moralisht e materialisht, gjë që opozicionit nuk i pëlqente aspak.

Në Tiranë mbërritën përfaqësuesit e Shoqërisë amerikane “Standard Oil Company of Gersej, Royal Deuteh, Saint ­ Claire”, shoqëri franceze e italiane etj.

Rivaliteti anglo-amerikan për burimet vajgurore, si në të gjithë botën, edhe në Shqipëri ka qënë i tmerrshëm. Përfaqësuesi i “Standard Oil Compani” organizoi një luftë të rreptë në Tiranë, ku dispononte një avokat, Elmas Kokonën, po ashtu edhe një gazetë private, me mjete propagandistike të bollshme për ta kthyer opinionin në favor të saj. “Standard Oil Company” kishte opozitën me vete, pasi afroheshin interesat e të dy palëve, kurse Shoqëria Anglo-Iraniane kishte qeverinë dhe Partinë Popullore, që dispononte shumicën në parlament.

Shoqëria amerikane me ofertat e saj të shpeshta, që përmbanin kushte të favorëshme për qeverinë, e nxiti dhe i dha armë kësaj të fundit që të bënte presion mbi Shoqërinë britanike e ta detyronte këtë të përmirësonte kushtet e ofertës së saj. Me këtë mënyrë, qeveria siguroi nga Shoqëria britanike kushte gati të barabarta me ato të Shoqërisë amerikane.

Kushti më me rëndësi ka qënë thellimi i puseve nga 1000 m. në vit për 5-6 vjet me radhë. Ky kusht ka qënë për garantimin e punimeve nga ana e shoqërisë. Shoqëria Anglo­Iraniane këtë kusht e konsideronte të parealizueshëm, pra të papranueshëm dhe deklaroi se ky kusht jo praktik është dhënë apostafat, me qëllim për të prishur punë dhe sikur prej shkakut të këtij kushti “Standard Oil Compani” do të pësonte një dëm prej shumë milionë dollarësh.

Partia Popullore ka qënë e vendosur për Shoqërinë britanike. Anglia ka patur nevojë të madhe për vajgurin e Shqipërisë, pasi me atë siguronte nevojat e flotës së Mesdheut për mazut, në vend që atë ta sillte nga Irani, 7000 milje larg.

Duke qënë se Anglia s’ka patur nevojë për vajguri, por për mazut, Shoqëria Anglo-Iraniane s’ka patur nevojë të gadiste një rafineri afër vendburimeve të vajgurit shqiptar, ndërsa Shoqëria “Standard Oil Compani” kishte nevojë për një rafineri, për të siguruar vajgurin që i nevojitej Evropës Jugëlindore, në vend që atë ta sillte nga Amerika. Shteti shqiptar nuk do të kishte ndonjë dobi ekonomike të madhe nga rafineria, përveç përdorimit të 15-20 punëtorëve jo të specializuar.

Pasi u plotësuan në maksimum kushtet e kontratës në favor të qeverisë, kontrata u dërgua në parlament për ratifikim.

Partia Popullore e ka patur shumicën që i nevojitej në parlament sikur, para se unë, si minister kompetent, të filloj ekspozenë e çështjes së vajgurit, të mos ishin çfaqur disa kundërshtime të papritura në radhët e shumicës: 1) Largimi i kryetarit të shumicës, Bedri Pejës, vet i shtati, nga salla e bisedimeve. Ky i fundit, me t’u hapur mbledhja, deklaroi në emër të shtatë deputetëve se “ata nuk merrnin pjesë në bisedime derisa të zgjidhej një konflikt familjar që kanë me shumicën”* dhe pas kësaj duallë jashtë sallës; 2) Kur unë isha duke bërë ekspozenë, nga radhët e Partisë Popullore filluan të dëgjohen disa zëra kundërshtimi, të porositura qysh më parë, nga deputetët e Partisë Popullore, por të lidhur me personin e Zogut, si Salih Vuçiterni, Fiqri Rusi etj. Edhe Zogu, me këtë rast, u erdhi në ndihmë deputetëve që kundërshtonin, duke deklaruar nga banka e ministrave se “në Këshillin e Ministrave nuk është marrë ndonjë vendim në favor të Shoqërisë britanike”. Iu përgjigja duke i thënë se “çështja e vajgurit është biseduar në Këshillin e Ministrave, por, në qoftë se nuk janë kryer formalitetet e vendit, ky faj i përket vetë kryeministrit”. Ky dialog u bë në një ton pak të ashpër dhe, kur dualmë në pushim, Zogu m’u afrua duke më marrë me të mirë. Mandej thirri Fiqri Rusin, deputet i Dibrës, dhe më tha:

“Foli këtij se nuk po i mbushet mendja për një çështje që do të ta shpjegojë vetë”. Kur e pyeta F. Rusin se cila ishte ajo çështje që nuk i mbushte mëndjen, ai m’u përgjigj: “Të gjitha kushtet të mira janë, por ajo rafineria nuk ma mbush mëndjen”. Duke folur për një pikë që s’kish rëndësi kuptohej se këto kanë qënë pretekste të kota, të suxheruara me imponim nga vetë Zogu gjithë deputetëve që ishin nën urdhërin e tij. Pra u kuptua fare qartë se Zogu në Partinë Popullore, bashkë me partizanët e tij, kishte marrë një drejtim të ri në çështjen e vajgurit, në kundërshtim me vullnetin e shumicës.

Në kohën e pushimit, pas ekspozesë, m’u afrua Koço Tasi me Ali Këlcyrën. I pari më tha: “Pas ekspozesë që bëre unë u binda dhe do të votoj për ofertën anglo-iraniane”, kurse Ali Këlcyra më tha: “Edhe unë i mendimit të Koço Tasit do të isha sikur të mos kishe frikë nga opinioni publik”.

Në seancën e dytë folën kundërshtarët, të cilët u shprehën në favor të politikës së “portës së hapët”. Fan Noli u deklarua anëtar1 i politikës së “portës së hapët”, por në realitet këtë e bëri për oportunitet politik, sepse ai ishte për Anglo-Iranianen, veçse donte që koncenionin t’ia jepte Shoqërisë angleze kur të vinte vetë në fuqi, e jo t’i jepte rast Partisë Popullore të forconte pozitën e saj.

Luigj Gurakuqi, për të marrë hakën e Kongresit të Lushnjës dhe për të mos forcuar pozitën e Partisë Popullore, ka qenë kundër Shoqërisë Britanike dhe, përveç kësaj, ai njëkohësisht tërthorazi ka mbrojtur edhe interesin e madh që Italia ka patur për vajgurin shqiptar. Këtë të fundit ma ka thënë baxhanaku, por kundërshtari im dhe shoku i Luigj Gurakuqit, Riza Dani, fjalët e të cilit plotësisht i përshtaten realitetit.

Në çështjen e vajgurit ana politike nuk u muarr parasysh nga kundërshtarët tanë, ajo u sakrifikua nga konsideratat misqine si nga ana e opozitës ashtu edhe nga ana e Zogut, të cilët në këto konsiderata u bashkuan plotësisht.

Ministri britanik Eyers në kohë të pushimit më tha që ta vë çështjen në votë, për t’ia vënë Zogut shpatullat në mur. Unë nuk i dhashë asnjë përgjigje Zotit Eyers vetëm e vetëm duke menduar: 1) situatën parlamentare në përgjithësi; 2) gjëndjen e re të krijuar në Partinë Popullore me mosmarrjen pjesë në votim të shtatë deputetëve; 3) sabotimin e papritur të bërë nga ana e Zogut për ta shfrytëzuar më vonë çështjen e vajgurit në favor të qëllimit të tij; 4) pasojat e rrezikshme që do të kishte vendi ynë në rast të një refuzimi nga ana e parlamentit. Pasi u këshillova me shokët e partisë, më në fund vendosa të mos e vë në votë dhe t’ia lë Asamblesë Kushtetuese përgjegjësinë. Kështu u plotësua, njëkohësisht, qëllimi i opozitës dhe i Zogut.

Më 1937, në kohën e emigracionit në Paris i bëj këtë pyetje Qazim Koculit: “Ju opozitarët e vjetër, që jini shkaktarë të përzënies sonë nga Shqipëria nga ana e Anglisë për çështjen e vajgurit, njëkohësisht edhe kundërshtarët e Zogut, si nuk kuptuat qëllimin e kundërshtimit të Zogut që bëri në parlament në kohën kur bisedohej çështja e vajgurit, por të verbuar nga pasionet u bashkuat me me të për ta rezervuar çështjen për më vonë, për ta shfrytëzuar gjithësecili për llogari të vet. Ju më 1924, në qeverinë e Nolit, ku ke qënë edhe ti ministër, nuk qetë të aftë të përfitonit nga rasti, jo vetëm të ratifikonit çështjen e vajgurit, për të kënaqur Anglinë, që e pruri Zogun në fuqi vetëm për të marrë vajgurin, por as nuk deshët të legalizoheshit si qeveri kryengritëse, me gjithë këshillat e shpeshta e dashamirëse që na u dhanë në fillim nga disa qeveri të huaja, duke qënë brenda edhe ajo e Britanisë së Madhe dhe ajo e Italisë”. Koculi s’mundi të më jepte një përgjigje, përveç me fjalë të thata: “Ku ta dinim ne?”.

Në kohën kur lufta bëhej midis dy shoqërive rivale, midis Anglo-Iranianëve dhe Standard Oil Company, në verën 1923, përfaqësuesi i Shoqërisë Amerikane i ka thënë konfidencialisht Andon Frashërit, sekretar i Nolit më 1924 dhe vatran: “Pavarësisht nga lufta që ne i bëjmë Shoqërisë Britanike, ju, si popull i vogël e i pafuqishëm që jini, koncesionin e vajgurit duhet t’ia jepni Anglisë, pasi Amerika nuk përzihet në punët e Evropës.

Në kohë të emigracionit në Paris, më 1934, u takova me zotin Eden, i cili më mori për drekë. Edeni, ish-konsulli britanik dhe përfaqsuesi i Inteligjencës Sevice-it, që i ka bërë shërbime të mëdha Shqipërisë në kohën e Kongresit të Lushnjës, në bisedim e sipër më tha:”Vajguri, që ia çkëputi Turqisë vilajetin e Musullit për shkak të burimeve vajgurore për t’ia dhënë Irakut, po ai vajguri ju përzuri juve nga Shqipëria dhe pruri Zogun në fuqi”. Kjo është diplomacia britanike që bën vajin e gurit.

 

Vijimi i intrigave brenda Krahut Kombëtar dhe ashpërsimi i luftës me kundërshtarët

Ismail Haki Tatzati, i yshtur dhe i nxitur nga kundërshtarët, e sidomos nga Ali Këlcyra, filloi punën çkatërruese bashkë me Bedri Pejën. Bedri Peja në kohën e xhonturqve, i njohur si patriot midis rinisë patriote kosovare, i cili në Shkup ka luftuar, bashkë me shokët e tij, politikën xhonturke kundrejt shqiptarëve, ishte dënuar dikur me vdekje nga gjyqi ushtarak dhe me këtë rast pësoi një tronditje të madhe dhe ka pasur një lehtësi gjuhe të këndëshme.

Ai në parti të disiplinuar e të organizuar i frenonte veset që e bënin njeri të dëmshëm dhe atëherë bëhej i dobishëm, siç ka qënë e punuar më 1918-20, kur ka qënë sekretar i Komitetit të Kosovës, por, në raste të kundërta, me shpërthimin e veseve të mbetura në gjumë, ai bëhej i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Bedriu ka qënë egoist në kulm, mendjemadh, i pakujdesshëm edhe për familjen e vet, një tip aventurier, me një sistem nervoz të paekuilibruar. Pra, Ismail H. Tatzati, i fryrë e i nxitur, e gjeti shokun e tij dhe, së bashku me Bedrinë, filluan një aventurë çkatërruese, me kombinacione politike fantastike e qesharake për të kënaqur ambicjet e tyre.

Plani Zog-Eshref ka qënë çkatërrimi i Krahut Kombëtar dhe krijimi i një partisë së re, të cilën ta sundonin ata vetë, kurse plani Tatzat-Bedri konsistonte në ndryshimin e qeverisë së vjetër dhe në formimin e qeverisë së re me kryeministër Zogun, me ministër të Brendshëm Bedri Pejën dhe me ministër të Luftës Ismail Haki Tatzatin. Sipas mendimit të tyre, me marrjen e Ministrisë së Brendshme, Zogu mbetej i pafuqishëm dhe fuqia përmblidhej në duart e dy personave që s’kanë patur as prirje as cilësitë më të nevojshme për ato dy dikastere.

Këto tentativa dhe kombinacione brenda Krahut Kombëtar kanë qënë vetëm me dijen e disa shokëve, kurse shumica e bashkë me të edhe unë, s’ka ditur gjë. Këta të dy kanë mundur të gabojnë edhe pesë shokë të tjerë: Leonidha Frashërin, Halim Gostivarin, Mustafa Maksutin, Ali Koprenckën, Qemal Mullën dhe Qamil Balën, të cilët, përveç këtij të fundit, kanë qënë patriotë të Rilindjes Kombëtare dhe që të gjithë deputetë. Duke bërë edhe disa ndryshime të tjera, Bedriu takohet me Zogun dhe kërkon prej tij pëlqimin e listës së qeverisë së re dhe Zogu, pasi e njeh mirë Bedrinë, për tallje, ia pranon listën.

Ismail Tatzati me Bedrinë, përveç pesë deputetëve, arrijnë të bindin dhe major Shefqet Korçën, komandant i përgjithshëm i xhandamërisë dhe Llano Borshin, prokuror i Ministrisë së Luftës, që të dy elementë të fortë e të vlefshmë të Krahut Kombëtar. Këta pranonin formimin e qeverisë së re nën kryesinë e Zogut, pa qënë ky ministër i Brendshëm dhe, në rast se ky plan nuk do të realizohej, atëherë do të imponohej dorëheqja e qeverisë, duke dhënë dorëheqjen I. Tatzati nga Ministria e Luftës, i përkrahur nga deputetët që përmëndëm më lart. I. Tatzati ka qënë i bindur se, me të dhënë dorëheqjen ai, pa tjetër do të shkaktohej një krizë qeveritare, pasi ata që e nxitnin për dorëheqje ashtu ia kishin mbushur mendjen.

Ky komplot ishte fshehur prej meje, pasi unë kam qënë kundërshtari i komploteve brënda në Parti. Por, me insistimin e Shefqet Korçës, u thirra edhe unë në një mbledhje të tyre, ku ndodhej edhe I. Tatzati. Pasi më vunë në dijeni të çështjes i këshillova: “Të hiqni dorë nga një mendim i tillë, se kjo do ta shpejtonte çkatërrimin e plotë të Krahut Kombëtar dhe, si rrjedhim, ky do të ndodhej përpara një katastrofe në zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese. Krahu Kombëtar i çkatërruar s’mund të paraqitej ndër zgjedhje me shpresë fitimi, por ne, të paktën, duke e patur xhandarmërinë dhe ushtërinë, do të jemi në gjendje të sigurojmë një fushë të lirë për zgjedhje të lira dhe për të zgjedhur patriotë të ndershëm, pavarësisht nga bindjet e tyre. Të paktën, në këtë mënyrë mund t’i shërbejmë vendit.

Shefqet Korça me Llano Borshin u bindën, ndërsa Ismail Tatzati vetë dhe shtatë deputetë insistuan në pikëpamjet e tyre. I. Tatzati më tha: “Unë i kam falur jetën atdheut, por jo nderin”. Ju përgjigja: “Nderi yt do jetë i paprekur, kur ti ta kesh kryer detyrën tënde e sidomos misionin tënd, duke i falur vendit një asamble të përbërë prej deputetëve të ndershëm e jo të largohesh nga Ministria e Luftës në një kohë delikate. Nga ana tjetër, ne jemi shokë në qeveri dhe kemi një përgjegjësi të përbashkët në politikën e përgjithëshme të qeverisë, prandaj ti, para se të organizoje një komplot të tillë, duhej të këshilloheshe me Rexhep Mitrovicën dhe me neve, si ministra të Krahut Kombëtar dhe si shokë të vjetër të kësaj organizate.” “Unë jam i vendosur për dorëheqje dhe ju, në qoftë se nuk doni t’i mbyllni dyert e një bashkëpunimi të mëtejshëm midis nesh, duhet, në vendin tim, të merrni si ministër të Luftës kolonel Mustafa Aranitasin”. Unë nuk iu përgjigja, pasi nuk ishte njeri që kuptonte arsye.

Ismail Tatzati nga pazotësia e tij, e çkatërroi ushtërinë dhe u bë shkaktar që një pjesë e mirë e oficerëve të lidhen me personin e Zogut dhe, nga ana tjetër, mëndjelehtësia e tij e çoi që, në kohën më delikate, ta lëshojë Ministrinë e Luftës në duart e Zogut, gjë që i shërbeu në maksimum Zogut dhe kundërshtarëve që e bënë vegël.

 

Përleshja e fundit brenda e jashtë Krahut Kombëtar

Krahu Kombëtar u nda në përgjithësi në dy grupe: grupi Zog-Eshref dhe grupi tjetër. Në grupin e shumicës konflikti midis 7 deputetëve me I. Tatzat-Bedri në krye në esencë s’ka qënë një konflikt parimesh dhe bashkëpunimi i mëtejshëm me ta ka qënë i mundshëm, ashtu siç u bë.

U provokuan disa mbledhje të krahut Kombëtar për bisedime me shpresë pajtimi, por më kot; të gjitha tentativat dështuan, pasi besimi midis grupit të parë e të tjerëve ishte çdukur. Grupi Zog-Eshref ishte i vendosur që të çkatërronte kolektivitetin e vjetër për të krijuar një parti të re të tyre.

Kur ne ishim në grindje e luftë me njëri-tjetrin si në Partinë Popullore ashtu edhe në Krahun Kombëtar, kundërshtarët na luftonin edhe si persona me propaganda e çpifje pas shpine e jo me shtyp e në parlament. Bejlerët, në përgjithësi, e sidomos bejlerët e mëdhenj, nuk mund të duronin që Krahu Kombëtar, i përbërë gati krejtësisht prej elementi jo prej rangut të tyre, të sundonte shtetin duke qënë ata gjallë. Ata propagandonin dhe çpifnin kundër nesh, duke na quajtur edhe si të kuq, që kishim për qëllim me anë të reformave të grabitnim pasurinë e tyre edhe si kriminelë që synonim të çduknim jetën e tyre. Këto gjëra ata edhe i besonin, pasi kishin interes t’i besonin. Kurse në realitet në kohën tonë janë ekzekutuar një pakicë njerëzish, të cilët me armë në dorë kanë marrë pjesë ndër kryengritje kundër qeverisë dhe si të tillë janë dënuar nga gjyqi. Qeveritë e Partisë Popullore, me gjithë vazhdimësinë e grushteve të shtetit dhe të kryengritjeve të stilit të madh, për opurtunitet i lanë pa dënuar fajtorët. Ndër ato kushte të vështira këto opurtinitete pa vend patën pasoja fatale për vendin. Krahu Kombëtar, sikur të kishte favorizuar politikën e gjakderdhjes, personat e rrezikshëm, që pengonin stabilizimin dhe zhvillimin normal të shtetit, do të ishin pastruar me kohë, gjithashtu do të pastroheshin edhe ambiciozët, që me aventurat e tyre të rrezikëshme donin të losnin me fatin e kombit.

Krahu kombëtar s’ka bërë luftë klasash, pse në atë kohë s’ka patur vend për një luftë të tillë. Ne donim të përfitonim, pavarësisht nga gjendja shoqërore e tij, nga çdo person me vullnet të mirë, për të shpëtuar vendin nga skllavëria e huaj, për të siguruar pavarësinë politike të shtetit dhe për stabilizimin e një shteti modern.

Ne s’kemi qënë kundër bejlerëve në përgjithësi, kemi qënë kundër atyre bejlerëve që donin të monopolizonin shtetin e ta sundonin atë sipas qejfit të tyre. Krahu Kombëtar, Partia Popullore dhe qeverija e këtyre kanë patur në gjirin e tyre edhe bejlerë si Zogun, Hysejn Vrionin, Xhafer Ypin, Meleq Bushatin dhe Eshref Frashërin. Çdo person që donte t’i shërbente vendit, mirëpritej prej nesh, sepse, siç e përmendëm edhe më sipër, populli shqiptar në atë kohë ndodhej në përiudhën më të kritikëshme të historisë së tij, në periudhën e përpjekjeve për të shpëtuar vendin nga skllavëria ushtarake e politike e huaj, edhe për ta stabilizuar shtetin, e jo të merrej me luftë shoqërore. Çpifjet e bëra kundër nesh kanë qenë pretekste të krijuara prej bejlerëve, të cilët administratën shtetërore e quanin abuzivisht të grabitur prej një elementi të padëshirueshëm e jo fisnik si ata, pasi ata shtetin e quanin të tyre me testament. Bejlerët që kishin vullnetin e mirë për të punuar për vendin, kanë qenë kryeministra e ministra të qeverive të Partisë Popullore, të cilët me atë rast i shtroheshin statutit, disiplinës dhe rregullores së një kolektiviteti politik për një bashkëpunim të frytshëm dhe, njëkohësisht, edhe ata kënaqnin ambicjet e tyre legjitime. Por, mjerisht, shumicës së bejlerëve i vinte rëndë të respektonte statutin, ligjet e t’i shtrohej rregullave e disiplinës së një kolektiviteti dhe një kontrolli politik të tipit të ri. Ata donin ta monopolizonin shtetin, t’i ndanin ministritë e funksionet e larta midis tyre, të emëronin duaxhijtë (dallkaukët e tyre) nëpër zyra e ta sundonin shtetin pa kontroll, për inat të inteligjences e të popullit.

Krahu Kombëtar ishte një organizatë e përbërë në përgjithësi prej patriotëve të vjetër, që kanë patur për qëllim një Shqipëri të pavarur dhe etnike, në dëm të të cilave aspirata s’pranonin asnjë kompromis, gjithashtu donin edhe një shtet modern. Partia Popullore ka qënë grupi parlamentar i Krahut Kombëtar.

Kështu na ngjau edhe me një pjesë të intelektualëve, të cilët për politikën e tyre jo të përshtatshme me interesat e popullit dhe për ambicjet e tyre të pa frenuara, u hodhën në opozicion, me qëllim që të çkatërrojnë shumicën që ka qënë shtylla e popullit dhe në vend të asaj, sipas mendimit të tyre, të hapnin horizonte të reja për ministrira dhe kryeministra bashibozukë e pa rrezik kontrolli. Ata kundërshtarë që lakmonin për pozitë janë ftuar shpeshherë të merrnin pjesë në Partinë Popullore, pasi nuk ishin mendimet që na ndanin me shumicën e tyre dhe me këtë mënyrë kënaqnin ambicjet e tyre, por me kusht që t’i shtroheshin disiplinës dhe kontrollit që impononin rregullat e partisë. Këto ftesa nuk u pranuan prej tyre, me preteks se në qeveri ishte Zogu dhe ministra të tjerë të palavruar e me një kulturë të ulët, kështu që për elementët e lavruar bashkëpunimi me ta do të ishte një sakrificë e tepruar. Në një seancë të parlamentit, Stavro Vinjau, me qëllim diskreditimi, e këshilloi Zogun të shkonte në Paris për të plotësuar studimet dhe vetëm atëhere do ta kishte merituar ministrinë që okupon sot. Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra me shokë, me kulturën e tyre të librave, besonin se çdo person me diplomë universiteti është edhe burrë shteti, kurse burri i shtetit ka cilësira të lindura, me inteligjencën dhe bon-sensin në krye dhe me shumë cilësira të tjera që i përkasin karakterit, me kuptimin shkencor të fjalës.

Këtë realitet e kuptoi më vonë edhe vetë Stavro Vinjau, që ka qenë ministrër i Drejtësisë në Qeverinë e Fan Nolit më 1924, ku dështuan me turp në misionin e tyre. Stavroja të gjitha këto m’i pohoi më 1939 në Bari, duke më thënë: “I dashur Sejfi, 80 për qind vetë ne e muarrmë më qafë shtetin”.

Për t’i shërbyer vendit më së miri, në çdo formë qoftë, detyra e çdo patrioti të mirë e normal dhe të ekuilibruar është në çdo kohë e sidomos ndër rrethana të tilla dhe ndër kushte të posaçme të asaj kohe, që me sakrifica e vetmohime të bënte në maksimum atë që ka qënë e mundur për tu bërë. Mospranimi i një pjese për të bashkëpunuar në një shumicë, që në kushte jashtëzakonisht të vështira krijoi dhe stabilizoi shtetin mbi baza moderne, me dije ose pa dije, ka qënë një gabim që, për ato kohë, nuk falet kurrë. Ajo pjesë e opozitës jo që nuk bashkëpunoi, po për konsiderata misqine, për hakmarrje e karrierë e luftoi atë (shumicën) deri në çkatërrim dhe u bë shkak ta lërë shtetin në një situatë kaotike dhe në një errësirë të pafund.

Një pjesë e opozitës, si Luigj Gurakuqi e tjerë, e bënin këtë luftë për të marrë hakën e Kongresit të Lushnjës dhe për ta zëvendësuar politikën e atij Kongresi me një politikë proitaljane, politikë që kanë ndjekur tërë jetën e tyre. Pjesa e dytë e opozitës, e bënin luftën për karrige, për të ardhur në fuqi e për t’u bërë ministra pa kontroll dhe në sajë të fuqisë shtetërore të krijonin pozita të privilegjuara, si Qazim Koculi e Ali Kërcyra. Pjesa e tretë ishte ajo pjesë që nuk e kishin kuptuar mirë gjendjen e vendit, nuk i njihnin mirë personat që merreshin me politikë dhe qëllimet e tyre dhe kështu kanë rënë viktimë në jetën e tyre politike, si: Shuk Gurakuqi, vegël e Luigj Gurakuqit dhe e Mustafa Krujës, Bahri Omari, Rasim Babameto, Dhimitër Kacimbro, Kristaq Kirke, Loni Kristo etj., të influencuar nga Faik Konica, Fan Noli dhe nga mosqënia të qartë në gjykimin e vërtetë të situatës. Këta, ndonëse patriotë, s’kanë ditur t’i shërbenin mirë vendit, pse s’mjafton ta duash vendin, por duhet ditur se si ta duash.

Midis bejlerëve ka patur edhe patriotë të vërtetë, për të cilët kemi folur sa herë që është paraqitur rasti. Midis tyre është edhe Nuredin Vlora, i cili s’ka humbur asnjë rast për të provuar me vepra patriotizmin e tij. Nuredin Vlora ka marrë pjesë aktive në Luftën e Vorio-Epirit1) më 1914 bashkë me kurveleshasit dhe po në atë vit në luftën kundër rebelëve2).

Nuredini është i mirë, i sjellshëm, i njerëzishëm, i ndershëm, trim e me karakter të fortë. Eshtë sjellur mirë edhe me bujqit e tij.

Anëtarët e Krahut Kombëtar

Prej Civilave:

Sotir Peçi, Aqif Pasha, Hoxha Kadri, Ahmet Zogu, Sejfi Vllamasi, Eshref Frashëri, Rexhep Mitrovica, Salih Nivica, Qazim Kokoshi, Osman Myderrizi, Ali Begaj, Naz’har Këlliçi, Bajram Fevzi, sheh Ibrahim Karbunara, Fazlli Frashëri, Kol Tromara, Riza Dani, Maliq Bushati, Xhemal Najipi, Koço Kota, Llano Borshi, Neki Starova, Neki Ruli, Dr. Syrja Pojani, Skënder Pojani, Xhevat Korça, Halim Gostivari, Leonidha Frashëri, Bedri Peja, Salih Vuçiterni, Qemal Mulla, Qamil Bala, Salih Butka, Hasan Qinani etj., prej të cilëve Aqif Pasha, Hoxha Kadri, Koço Kote, Riza Dani e Xhevat Korça, për shkak rivaliteti e pozite, u larguan nga organizata.

Prej oficerëve:

Ismail Haki Tatzati, Meleq Frashëri, Preng Jaku, Kamber Sejdini, Ali Shefqet Shkupi, Xhavit Leskoviku, Shefqet Korça, Azis Tajip Shkodra, Osman Tetova, Ahmet Lepenica, Dhimitër Bala, Koço Muka, Hysni Lepenica, Idriz Dizdari, Ferit Frashëri, Tosun Selenica, Hysen Nikolica, Qani Starja, Ahmet Kajca e Xhemal Malindi.

Prej oficerëve Hamit Gjylbegu, Ali Shefqet Shkupi dhe Tajip Shkodra, të pakënaqur nga sjelljet e Ismail Tatzatit, janë larguar me kohë.

Sotir Peçi - Sotir Peçi, pasi kreu mësimet e larta në Athinë, u hodh në luftën kombëtare. Grekërit i propozuan t’ia jepnin çiflikun me vlerë 30.000 napolona flori, të trashëguar nga i ati, me kusht që të hiqte dorë nga lufta kombëtare, por Sotiri e refuzoi me përbuzje propozimin e tyre. Ai shkoi në Amerikë, si vend i përshtatshëm për të zhvilluar një aktivitet patriotik në mes të shqiptarëve të Amerikës, dhe më 1907 botoi në Boston gazetën “Kombi”, me anën e së cilës dhe në bashkëpunim me Fan Nolin dhe shokë, ndezi flakën e patriotizmit shqiptar. Me shpalljen e kushtetutës otomane, vjen në Shqipëri për të marrë pjesë, si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës, ndër kongrese dhe ndër lëvizje të ndryshme kombëtare. Si funksionar i lartë, shërbeu në Qeverinë e I. Qemalit më 1912 në Vlorë, ashtu edhe në Qeverinë e Durrësit ne kohën e Vidit. Kongresi i Lushnjës e zgjodhi si ministër të Arësimit në kabinetin e Sulejman Delvinës dhe më 1922 parlamenti e emëroi anëtar të këshillit të lartë. Sotir Peçi ka qënë anëtar i vjetër i Krahut Kombëtar dhe njëri nga shtyllat më të forta të kësaj organizate. Ka qënë njeri me vullnet të fortë, aktiv e i papërkulshëm, por kokëfortë dhe me karakter të ashpër, kështu që bashkëpunimi me të i njerëzve që s’kanë qënë të rregulltë dhe s’kanë qënë souple1) sa duhet, ka qënë tepër i vështirë. Mjerë ata që tharëtohen me Peçin, pajtimi i tyre mbetej për në botën tjetër. Në Boston, në bashkëpunim e sipër, prishet me Fan Nolin. Kjo prishje më vonë u transformua në një armiqësi të thellë, e cila vazhdoi me më të madhen rreptësi në Shqipëri, aqë sa ka patur pasoja të dëmshme për vendin. Por, megjithë ashpërsinë e karakterit dhe të kokëfortësisë së tij, kur interesi i vendit ka qënë në lojë, ai zbutej, bëhej i arësyeshëm dhe lëshonte menjëherë. Unë kam qënë miku i tij i fundit, por në mërgim dhe me mua u prish. Vdiq në Follorinë më 1932, në emigracion, dhe trupi u suall në Korçë në kohën e sundimit të Zogut.

Rexhep Mitrovica - Patriot i dalë nga radhët e rinisë kosovare dhe njëri nga nxënësit e Nexhip Dragës, atij njeriu të madh që kemi të drejtë të krenohemi me të. Rexhepi bashkë me shokët e tij ka marrë pjesë aktive në luftën kundër xhonturqëve, pas kushtetutës otomane, dhe më vonë ka marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare. Antar i vjetër i Krahut Kombëtar dhe më vonë i komunitetit të Kosovës, në kohën e Qeverisë së Durrësit ka qënë përfaqësuesi i atij Komiteti në Shqipërinë e Mesme dhe korrespondent i gazetës “Populli”. Deputeti, i Prefekturës së Kosovës më 1921, u emërua ministër i Arsimit më 1922 në Kabinetin e Xhafer Ypit. R. Mitrovica s’ka patur inteligjencë të theksuar, por ka qënë njeri me karakter, i arsyeshëm, tolerant, i disiplinës dhe solidar deri në pikën e fundit me shokët. Aktiv dhe i përpikët në detyrë, ka qënë besnik i parimeve të tij, kundër të cilave s’bënte as më të voglën koncesion. Për herë të parë si ministër i Arësimit, atij i takoi të përleshej me klerin katolik për laicitetin e shkollave. Qysh më 1914, kam qënë shok i pandarë me Rexhepin.

Qazim Kokoshi - Q. Kokoshi patriot i vjetër, i ka bërë shërbime të mëdha çështjes kombëtare dhe bashkë me shokët e tij dhe me popullin historik të Vlorës dhe si pasojë gjithë?! Shqipërinë nga skllavërimi italian. Q. Kokoshi ka patur një karakter të papërkulshëm, ishte i hedhur dhe tepër guximtar. Ai ka marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare. Anëtar i vjetër i Krahut Kombëtar, ka qënë një nga shtyllat e forta të kësaj organizate dhe si i tillë vazhdoi deri në fund.

Kol Tromara - Qysh më 1906, i ri, shkon në Amerikë, ku merr pjesë aktive në fillim të lëvizjes kombëtare dhe më vonë arrin të zgjidhet dhe kryetar i Vatrës. Më 1920 vjen në Shqipëri dhe emërohet Prefekt i Gjirokastrës, në   nëprefekturën më delikate e më vulnerabile1 të Shqipërisë. Njeri i sakrificit dhe i abnegacionit, e kreu më së miri detyrën si prefekt e sidomos në zbulimin e komplotit të organizuar nga grekërit për vrasjen e gjeneral Tellinit, kryetar i komisionit për caktimin e kufijve të Shqipërisë së Jugut. Kol Tromara, patriot i kulluar dhe me karakter të fortë, ka qënë një nga shtyllat e lëvizjes kombëtare dhe të Krahut Kombëtar.

Osman Myderrizi - në moshë fare të re, Osman Myderrizi, me tërë forcën e tij dhe pa rezervë, hidhet në luftë për shpëtimin e atdheut nga skllavëritë e huaja. Si arsimtar që ka qënë, ka organizuar rininë e Tiranës dhe nën kryesinë e tij ka formuar Shoqërinë “Drita”. Kjo shoqëri, me përpjekjet e saj të mëdha, i ka bërë shërbime të mëdha çëshjtes kombëtare me luftrat e saj kundër politikës proteksioniste të Qeverisë së Durrësit dhe për mbledhjen e një kongresi kombëtar. Shoqëria “Drita” ka marrë pjesë në Kongres të Lushnjës me përfaqësuesin dhe anëtarin e saj avokat Ali Begën. Osman Myderrizi në zgjedhjet parlamentare zgjidhet deputet i Tiranës dhe, pas vrasjes së Avni Rustemit, me deputetët e tjerë shkon në Vlorë për të marrë pjesë në varrimin e Avniut. Komiteti revolucionar i Vlorës caktoi Osmanin, Rasim Babameton dhe mua për të shkuar në Shkodër me mision që të përgatisnim Shkodrën për revolucion kundër qeverisë së bejlerëve. Në atë mision duallën faqe-bardhë. Kur Zogu me ndihmën e huaj invadoi Shqipërinë në fund të vitit 1924, Osmani dolli në emigracion.

Anëtarët e Krahut Kombëtar që përmenda më lart, në shumicën dërrmuese civilë e ushtarakë, kanë qënë patriotë të Rilindjes Kombëtare. Kur shteti shqiptar, në ato kohë, ka qënë një ëndërr, ata për realizimin e asaj ëndërre, pa qëllim shpërblimi, kanë bërë çdo sakrificë, bile edhe sakrificën e kokës së tyre dhe si djemtë e popullit janë munduar ta shpëtojnë vendin nga vuajtjet e t’i sigurojnë një të ardhme të lumtur. Në këto përpjekje gjiganteske kanë marrë pjesë edhe shumë patriotë të tjerë, që s’kanë bërë pjesë në Krahun kombëtar, përmes të cilëve, gjithë së bashku më në fund, kundër vullnetit të armiqve të jashtëm e të brëndshëm, arrijtën të krijonin shtetin shqiptar dhe të siguronin pavarësinë politike të vendit. Një popull i prapambetur, pa ndihmën e kurrkujt, midis armiqve të jashtëm e të brëndëshmë dhe ndër ato kushte jashtëzakonisht të vështira, më tepër se kaq nuk mund të bënte.

Gjon Çoba, Kol Thaçi, Loro Suma, Daniel Mozali, këta katër anëtarë të Partisë Popullore, sado që s’kanë qënë të regjistruar në Krahun Kombëtar, ata me shpirt kanë qënë anëtarë të pandarë të tyre.

Gjon Çoba - Anëtar i Këshillit të Naltë, patriot i mirë, i ndershëm e i matur, që e ka përfaqësuar me dinjitet pozitën e tij si anëtar i Këshillit të Naltë.

Kol Thaçi - Anëtar i Partisë Popullore dhe ministër i Financave në kabinetin e Xhafer Ypit, ndër ato kushte tepër të vështira, me vullnetin aktivitetin dhe karakterin e tij të fortë, ka kryer fare mirë detyrën e tij.

Loro Suma - Njëri nga tipat që ka përfaqësuar karakterin burrëror të stërgjyshërve tanë. Ka qënë patriot i ndershëm, i mirë e besnik e i papërkulshëm në parimet e tij. Në kohën e zgjedhjeve për asamble kushtetuese ka qënë prefekt në Korçë.

 

 

Zgjedhjet për Asamble Kushtetuese

Parlamenti më 30 nëntor shpërndahet dhe Këshilli i Naltë dekreton zgjedhjet për asamble kushtetuese. Kështu, qysh në mars 1922 e deri në këtë datë, periudha e rendit merr fund dhe fillon një luftë komplekse, këtë radhë pa Krahun Kombëtar të organizuar. Disa nga anëtarët e Krahut Kombëtar, që më nuk bazoheshin në forcën kolektive të organizatës, por që u qëndronin besnik parimeve të saj, zhvillonin një aktivitet si individë, por prapë lidhur shpirtërisht me njëri tjetrin. Të çliruar nga angazhimet e kolektivitetit, Zogu me ndihmën efektive të Eshrefit filluan një aktivitet të madh për të vënë themelet e partisë së re, me anën e së cilës do të paraqiteshin në zgjedhjet e asamblesë.

Ndërkohë ngjan një aksident rreth Bedri Pejës. Ky, pasi dështoi në planet e tij për t’u bërë ministër i Brendshëm, nga frika e një atentati eventual nga ana e Zogut, u frikësua aqë tepër, sa u anormalizua, duke shkuar deri në marri. Ndërsa Zogu, duke e njohur mirë se Bedriu s’mund të formonte një rrezik për të, as e ka shkuar ndër mend një të tillë. Por Bedri Peja, si shpërblim për komplotin e tij, u dërgua në spitalin e psikiatrisë të Napolit, ku pas disa kohësh u përmirësua. Ky ka qënë “choc cerebral”1 i dytë që ka pësuar Bedri Peja gjatë aktivitetit të tij politik.

Pas kësaj kohe, në qeveri nuk ka ekzistuar asnjë harmoni midis anëtarëve të saj. Rexhep Mitrovica dhe unë ishim në një anë, kurse Zogu me Mustafa Aranitasin, Kol Thaçin dhe Milto Tutulanin nga ana tjetër. Nga anëtarët e Këshillit të Naltë Xhafer Ypi, Refik Toptani dhe Gjon Çoba qenë në anë të Zogut, kurse Sotir Peçi me mendime ishte me ne të dy.

Komandanti i përgjithshëm i xhandarmërisë major Shefqet Korça ka qënë halë në sy për Zogun, i cili atij po i sillej rrotull ta zëvëndësonte me major Banush Hamdinë, për ta vënë krejt në dorë administratën. Këtë operacion mund ta bënte me rrugën legale, pasi dispononte shumicën në këshillin ministrial dhe në Këshillë të Naltë, por nuk guxoi në fillim nga frika e ndonjë turbullimi nga ana e shokve të tij të vjetër, që mund t’ia prishte planin e tij. Pra, këtë mendim Zogu e la për më vonë, kur t’i paraqitej një rast më i përshtatshëm për ta realizuar pa turbullime.

Zogu kishte marrë kryesinë e një partie që gati përmblidhte gjithë bejlerët, përveç Aqif Pashës, Abdi e Hamit Toptanit dhe Sulçe Bushatit. Bejlerët deri në atë kohë si kryetar moral kanë pasur Shefqet Vërlacin dhe ky si këshilltar ka patur Qemal Vrionin, pasi ka qënë më i zgjuar se të tjetër. Përveç bejlerëve, rreth Zogut u grumbulluan edhe një shumicë kundërshtarësh të ish-Krahut Kombëtar, të cilët më parë nuk guxonin të afroheshin, gjithashtu u grumbulluan edhe shumë funksionarë e nëpunësa, të cilët për interesat personale të tyre e gjykonin më të dobishme lidhjen me personin e Zogut sesa të lidheshin me partira politike, fundi i të cilave gjithnjë ka qënë problematik. Shumicën e madhe të këtij elementi e kanë përbërë dallkaukët, ideali i të cilëve ka qënë më tepër xhepi sesa interesi i vendit, përveç Reuf Ficos e Xhafer Vilës e ndonjë tjetri si këta, të cilët kanë qënë funksionarë të ndershëm e të aftë, që kanë vënë bazat e organizimit të ministrive, të Brendshme e të Jashtëme.

Në luftën elektorale vendi ndodhej i ndarë si vijon:

1) Zogu me partinë e re ku kishte mbledhur, përveç një pakicës së vogël të elementit konstruktiv, të gjithë bejlerët e mëdhej e të vegjël, minoritarët e jugut, veglat e Jugosllavisë, të gjithë elementin dallkauk e me moral të dyshimtë të vendit, një pjesë të ish Partisë Popullore;

2) Anëtarët e ish-Krahut Kombëtar dhe të Partisë

Popullore;

3) Shumica e ish-opozitës laramane;

4) Shoqëria “Bashkimi”, që përmblidhte rininë e vendit.

1. Zogu me partinë e vet, të disiplinuar për arësye frike ose interesi, filloi të zhvillojë një aktivitet të madh në bazë të një plani të paracaktuar, me shpresë të madhe fitimi në zgjedhjet, me qëllim që ta vërë shtetin në dorë, ta organizojë atë sipas qejfit për ta vënë pozitën e tij jashtë rrezikut dhe për të mënjanuar reformat, që do t’i vinin në rrezik interesat materiale të çifligarëve dhe të pasanikëve që ishin veglat e tij.

2. Ish-anëtarët e Krahut Kombëtar, besnikë të parimeve të këtij, kanë patur për kriter ndershmërinë, patriotizmin dhe vlerën personale për kandidatët në zgjedhje, pa i stërholluar shumë bindjet e tyre politike.

3. Ish-opozita ndahej në dysh: a) Luigj Gurakuqi me Fan Nolin në krye, me shokët e tyre, në vend të një bashkëpunimi me elementin patriot e të ndershëm, vazhduan gjithnjë në politikën hakmarrëse të Kongresit të Lushnjës e të Sotir Peçit me shokë. Pasojat e këtyre lodrave të rrezikëshme do të shifen më vonë. b) Pjesa tjetër e opozitës, patriotë të pastër, kanë ndjekur politikën e ish-anëtarëve të Krahut Kombëtar, si Bahri Omari, Rasim Babameto etj.

4. Shoqëria “Bashkimi”, me Avni Rustemin në krye, përbëhej prej rinisë, element i pastër, entuziast dhe i prirur nga dëshira ta shohë vendin të lirë, të lulëzuar e të modernizuar në kulm. Por, si të papjekun e të paeksperiencë, këta i udhëhiqte ndjenja e jo arësyeja dhe, të entusiazmuar nga demagogjitë e opozicionit, simpatizonin më tepër ata që kritikonin, çpifnin e çkatërronin, se sa ata që përpiqeshin të ndërtonin. Shumica e madhe e rinisë së asaj kohe, që e kanë ruajtur pastërtinë e shpirtit të tyre, kanë bërë autokritika për gabimet që kanë bërë në atë kohë dhe u kanë dhënë të drejtë atyre që krijuan shtetin, sesa atyre që e çkatërruan.

*

*        *

Zogu, Eshref Frashërin, sipas dëshirës që ka treguar ky i fundit, e dërgon me mision në Turqi, për të zgjidhur disa çështje të mbetura pezull midis dy vendeve. Qëllimi i vërtetë i këtij largimi ka qënë: Eshrefi të mos ndodhej në Tiranë dhe të mos ekspozohej rëndë, në rast të konflikteve që mund të ngjanin midis Zogut dhe shokëve të tij të vjetër.

Ashpërsimi i konfliktit me rast të zgjedhjeve midis Zogut dhe ne të dyve, R. Mitrovicës e meje

Para se të nisem për Korçë u takova me Zogun, duke marrë sigurime prej tij se “në administratë deri në fund të zgjedhjeve do të ruhej statukuoja, pa bërë asnjë ndryshim, dhe kjo duhet respektuar edhe më tepër në mungesën tonë, se për ndryshe, si kryeminsitër, do të ishte vetë përgjegjës nga pasojat e këtyre ndryshimeve”. Nga ana tjetër, duke dyshuar gjithnjë nga mosrespektimi i fjalës së dhënë prej tij, e porosita major Shefqet Korçën të mos largohej nga detyra, qoftë dhe duke e kundërshtuar vendimin legal të qeverisë.

Ne u nisëm për Sarandë e Gjirokastër, ku si prefekt ishte Kol Tromara, me të cilin mbetëm dakord mbi politikën e zgjedhjeve. Atë natë ra një shi aq i madh, sa të nesërmen, kur mbërrimë në Tepelenë, ishte e pa mundur lëvizja nga vendi, për shkak të ujrave të mëdha. Në Tepelenë gjeta dy telegrame mbi emrin tim, njëri prej Zogut, ku më bënte të ditur mbi konfliktin e qeverisë me Shefqet Korçën dhe më këshillonte të kthehem sa më parë në Tiranë, duke më porositur edhe që ta ndaloj kapitan Aqif Çamin, që në atë kohë ndodhej në Vlorë, të kthehej në Tiranë vetëm e jo me fuqi. Nga ana tjetër, Shefqet Korça më lajmëronte se Zogu, me t’u larguar ne nga Tirana, i kishte plotësuar menjëherë formalitetet e pushimit të Sh. Korçës nga Komanda e Përgjithshme e Xhandmërisë dhe kishte bërë zëvëndësimin e tij me major Banush Hamdinë dhe shtonte duke thënë se ai këtë vendim të qeverisë e konsideronte si të paqënë.

Nisemi menjëherë nga Tepelena për në Vlorë, ku takohemi me kapiten Azis Çamin, i cili, sipas urdhërit që kishte marrë nga Shefqet Korça, niset për Tiranë bashkë me ne, por i shoqëruar nga tetë xhandarë të zgjedhur prej ish-regjimentit të Gjirokastrës.

Në Tiranë u takuam menjëherë me kryeministër Zogun, të cilin e gjetëm në një pozitë të vështirë përpara situatës së krijuar dhe nuk mundi ta justifikonte mosmbajtjen e fjalës. Tiranën e kish kapur një panik. Neki Starova, ish prefekt i Peshkopisë, ndodhej në Tiranë në atë kohë, i cili e nxiti edhe nga ana e tij Shefqet Korçën për ta kundërshtuar vendimin e qeverisë, jo vetëm si kundërshtim personal të tij, por edhe si anëtar përfaqësues i Krahut Kombëtar. Pas kundërshtimit të Sh. Korçës, Zogu, që dispononte një fuqi personale prej 40 vetë civilësh, i urdhëron ata që mos t’i kundërshtonin fuqisë së xhandarmërisë, në rast se kjo e fundit do të tentonte të rrethonte shtëpinë e tij.

Kjo ngjarje pati një jehonë jo vetëm në popull, por edhe ndër qarqet diplomatike. Ministri i Britanisë së Madhe, zoti Eyers, e dënoi qëndrimin e Sh. Korçës, jo vetëm si simpatizues i Zogut për çështjen e vajgurit1), por edhe sepse kundërshtimin e Sh. Korçës e quante një akt rebelizmi, që, sipas, tij nuk quhej tjetër përveç një grusht shteti. Në një takim që pata me Eyersin ia shpjegova se ndrrimi i Sh. Korçës u bë nga ana e Zogut në kundërshtim me marrëveshjen që bëmë me të për ta ruajtur statukuon në administratë deri në mbarim të zgjedhjeve, pra të mos bëhej asnjë ndryshim në mungesën tonë. Megjithatë, për Eyersin simpathia ishte për Zogun, pasi aktin e Sh. Korçës me asnjë mënyrë nuk mund ta shpjegonte ndryshe.

Përpara kësaj situate, bashkë me Rexhep Mitrovicën i bëmë tre propozime Zogut: 1) dorëheqja e qeverisë; 2) mbledhja e parlamentit; 3) largimi i tij nga Ministria e Brëndëshme deri në mbarim të zgjedhjeve dhe në vend të tij emërimi im si zëvëndës-ministër i Brendshëm. Zogu, pas shumë ngurrimeve, pranoi largimin e tij nga Ministria e Brendëshme. Marrëveshja e nënshkruar iu dorëzua Mustafa Aranitasit për ta mbajtur deri në fund të zgjedhjeve.

Me rast të këtij konflikti, Muharrem Bajraktari dhe Fiqiri Dine, dy oficerë antarë të Krahut Kombëtar, por të lidhur me personin e Zogut, erdhën një ditë në shtëpinë teme, ku thirrën edhe Rexhep Mitrovicën që banonte afër meje. Dukej se këta ishin dërguar nga Zogu dhe sidomos M. Bajraktari, i cili foli në favor të tij, duke u munduar ta nxjerrë Zogun si të pafajshëm në këtë konflikt dhe duke ia ngarkuar fajin anës tjetër. Sado që ia shpjeguam shkakun e konfliktit të fundit, ai nuk u bind, madje as pas shpjegimeve që i dhamë mbi intrigat e lozura deri tani në Krahun Kombëtar, të cilat patën si pasojë përfundime të tilla. Fiqri Dineja dukej më i arësyeshëm dhe shpeshherë bashkohej me mendimet tona. Me këtë rast, të gjithë anëtarët e Krahut Kombëtar dhe të Partisë Popullore u deklaruan të lidhur me Zogun dhe mbetën nën urdhërin e tij.

Kundërshtarë të Krahut Kombëtar fërkonin duart nga gëzimi që shkaktoj, ky konflikt. Luigj Gurakuqi në pragun e zgjedhjeve shkruante në gazetën kIerikale “Ora e maleve”, duke i thënë Stavro Vinjaut: “S. Vinjau, të uroj se duallën parashikimet e tua, për sa i përket rrethit të ngushtë … (shiko bisedimet parlamentare). Kjo tregon horizontin fare të ngushtë dhe verbërimin nga pasionet të kundërshtarëve tanë.” Por L. Gurakuqi nuk qe i zoti të parashikonte se më nuk do të ekzistonte Krahu Kombëtar, që ta shpëtonte edhe një herë më 1925 nga plumbat e Zogut në Bari, siç shpëtoi më 1922.

 

Lufta elektorale në Korçë

Në Korçë - Pas disa ditësh u nisa për Korçë, duke e lënë Rexhep Mitrovicën si zëvëndësministër të Brendshëm, pasi në Korçë parashikohej një luftë e fortë, ku kishin vënë kandidaturën dhe persona jo të asaj prefekture, si Aqif Pasha dhe Faik Konica.

Kandidatët e Korçës kanë patur tri tendenca: 1) Ajo e Eshrefit, Pandeli Vangjelit dhe Koço Kotës me shokë; 2) ajo e Fan Nolit dhe 3) ajo që përfaqësoje unë. Lufta elektorale u bë e fortë, por jo e qartë, pasi kufitë e tendencave s’kanë qënë të qarta për popullin.

Eshrefi, përveç bejlerëve dhe rrethit të ngushtë të tyre, s’ka gëzuar simpatinë e popullit të Korçës. Fan Noli gëzonte simpatinë e fshatarëve që kane qënë në Amerikë e sidomos simpatinë e fshatarëve të Devollit.

Edhe Pandeli Vangjeli mori pjesë në luftë. Ky përfaqësonte tendencën Zog-Eshref dhe atë të borgjezisë. Koço Kota ka qenë po njeriu i Zogut.

Fazlli Frashëri, Kol Tromara dhe unë, ne ishim shokët e vjetër të Krahut Kombëtar. Nikollaq Zoi ishte me ne të tre. Dr. Haki Mborja, patriot i vjetër dhe demokrat, megjithëse njeri i mirë e me karakter të fortë, s’ka qënë aq i zgjuar sa të shpëtonte nga gracka e Eshrefit. Populli i prefekturës së Korçës votoi më tepër për persona patriotë e të ndershëm, sesa për grupe. Devolli votoi për Nolin dhe kundër Eshrefit. Si person votoi edhe për mua; pas Nolit dola i dyti me vota. Dakord me Gurakuqin, Noli ka bërë një propagandë të fortë kundër meje, pasi më konsideronin njërin nga personat që Gurakuqit i kam prishur punë në politikën e tij të jashtëme, sikurse dhe F. Nolit, pse kam përkrahur adversarin e tij, Sotir Peçin. Por, pas zgjedhjeve të Korçës, kur Noli i dha llogari Gurakuqit, me keqardhje i tha:”Sejfiu në Korçë ka qënë imbattible”.

Në Korçë, si Fan Noli, shoku i Gurakuqit, ashtu edhe Pandeli Vangjeli me Eshrefin, që të dy të Zogut, kanë luftuar grupin e ish Krahut Kombëtar, që e përfaqësoja unë, prej të cilit, me Nikollaq Zoin, katër mbetën të bashkuar: Kol Tromara, Fazlli Frashëri dhe unë. Kurse disa shokë të tjerë, si: dr. Haki Mborja, Banush Hamdiu, Sulejman Starova dhe Pandeli Vangjeli u bashkuan me Eshrefin, dmth. me Zogun. Me këta u bashkua edhe Koço Kota me Salih Babanin. Aqif Pasha me Nolin, si opozitarë të vjetër, ishin në një grup. Faik Konica dha dorëheqjen.

Në Elbasan – Këtu fitoi grupi i Shefqet Vërlacit. Grupi “As i beut as i pashës”, ku figuronin dy patriotët e vjetër, Lef Nosi me Ahmet Daklin, dështoi.

Në Vlorë*)  – Përfundimet e zgjedhjeve në Vlorë qenë të përziera.

Në Tiranë e në Durrës  - Eshrefi kthehet nga Stambolli dhe me intrigat e zakonëshme të tij, e vazhdoi luftën në favor të Zogut. Shefqet Korça ka përkrahur partinë “Xhoka” kundër Popullores, d.m.th. kundër bejlerëve. Zogu merr masa kriminale për të siguruar fitoren në prefekturën e Durrësit. Haxhi Jusuf Kazazi prej Kavaje, patriot i ndershëm, njeri me influencë në Kavajë dhe anëtar i Krahut Kombëtar, si kundërshtar i Zogut, vritet prej këtij me dorën e Qamil Xhanit, vëllai i Bajram Xhanit, që u ekzekutua me vendim gjyqi më 1922. Vrasja bëhet natën, kur i ndjeri bashkë me të shoqen kthehej nga një vizitë për në shtëpi. Për të mos lënë gjurmë, vritet edhe e shoqja bashkë me të.

Edhe në Peqin vritet Adem Gjinishi me shtytjen e Shefqet Vërlacit, për ta eleminuar në kohën e zgjedhjeve, pasi ka qënë njeri me influencë. Adem Gjinishi në Kongresin e Lushnjës është zgjedhur senator i Peqinit.

Në Berat - Lufta eleketorale më klasike u bë në prefekturën e Beratit. Kjo luftë ka patur një karakter politiko-ekonomik-shoqëror dhe u zhvillua midis patriotëve të ish Krahut Kombëtar, që përfaqësonin popullin dhe bejlerët çifligarë. Vrionasit, pashallarët, Ymer dhe Aziz Pashallarët, kushërinj, por njëkohësisht edhe kundërshtarë për çështje influence, me këtë rast, përpara armikut të përbashkët, bashkohen në një grup kundër nacionalistëve të Krahut Kombëtar. Ky grup bejlerësh me rëndësi, për të përforcuar fuqinë e tyre të tronditur, e quajtën të domosdoshme aleancën e tyre edhe me klerin katolik, për të paralizuar çdo tentativë për reforma agrare e shkollore, të cilat në atë kohë quheshin reforma kryengritëse. Ky grup përbëhej prej katër Vrionasve: Iljaz, Seit, Sami e Qemal Vrionit; mandej në të bënin pjesë Ahmet Resuli, Ferit Vokopola, Sami Koprencka, Milto Tutulani, Vangjel Goxhamani etj. Grupi demokrat përbëhej nga: Sheh Karbunara, Neki Ruli, ish-kapiten Ali Koprencka, agronom Maliq Skrapari etj.

Për ta vënë në jetë koalicionin me klerin katolik, Qemal Vrioni ngarkohet të bisedojë me Luigj Gurakuqin, përfaqësuesin e klerit katolik. Gurakuqi në këtë drejtim ka qenë i nxitur e i shtyrë edhe prej mikut të tij Dhimitër Beratit. Për këtë bashkëpunim është kërkuar, si kusht i domosdoshëm, nga Luigj Gurakuqi falja e shokut të tij, Mustafa Krujës, që në atë kohë ndodhej në mërgim, megjithëqë edhe vetë Gurakuqi ka qenë anëtar i nxehtë i këtij bashkëpunimi. Sado që Zogu ashtu edhe Qemal Vrioni, për arësye oportuniteti, insistuan që falja të bëhej më vonë, përpara insistimit të Gurakuqit këta lëshuan dhe marrëveshja u bë.

Lufta elektorale u bë e fortë. Bejlerët dispononin mjete financiare kolosale dhe, kur ka qënë nevoja, kanë përdorur edhe presione e frikësime. Kurse patriotët demokratë gëzonin simpathinë e popullit e të fshatarëve kundrejt urrejtjes që kishin këta për bejlerët. Me aderimin e Vangjel Goxhamanit në grupin e bejlerëve, këta të fundit mundën të fitonin zgjedhjet vetëm me 10-15 vota më tepër*). Këto, gjer e gjatë, m’i ka treguar Vangjel Goxhamani, në burg të Tiranës më 1948, duke ma pohuar se edhe ay vetë ka qënë raja i bejlerëve.

Në Gjirokastër - Në Gjirokastër u formuan dy grupe: i pari përbëhej prej liberal demokratëve, shumicën e të cilëve e formonin ish deputetët e parlamentit të parë dhe grupi i dytë ishte i Myfit Libohovës. Ky i fundit ka pasur disa simpatizues si prej myslimanëve, ashtu edhe prej të krishterëve dhe prej minoritarëve.

Sulejman Delvina u detyrua të hyjë në listën e Myfitit, pasi një pjesë e popullit mysliman të Delvinës, të Kurveleshit e të Tepelenës i deklaruan se “ne për ty votojmë, por nuk mund të votojmë për shokët e tu të listës”. Sulejman Delvina u votua në listën e Myfitit. Një pjesë e popullit të Delvinës dhe të krishterët e tjerë votuan për listën e demokratëve. Kurveleshi i Sipërmë, një pjesë e Tepelenës dhe Delvinës, Dropulli, Pogoni, qyteti i Gjirokastrës votuan për Myfitin. Grekofonët dhe grekomanët marrin urdhër, me letra, nga grupi i Vorio­Epirit i Janinës, për të votuar për Myfitin, por urdhërat patën efekt vetëm në Dropull e në Pogon.

Myfiti në fillim nuk fitoi dhe vetëm pas një kundërshtim votash që pati midis tij dhe Abdyl Kuçit, ai mezi arriti të fitojë.

Myslimanët e grupit nacionalist (siç quhej atëhere) fituan, kurse shokët e listës myslimane të Myfitit humbën, porse të krishterët e listës nacionalistë me 1 ose 2 vota dështuan.

Në Shkodër - Në zgjedhjet e Shkodrës fitoi opozita e vjetër në një shumicë dërrmuese.

Në Prefekturën e Kosovës - Këtu fitojnë përkrahësit e Bajram Currit me irredentistët e tjerë kosovarë: Niman Ferizi, Hoxha Kadri, Dervish Mitrovica, dr. Fahri Gjilani dhe Avni Rustemi, ndërsa shoku im Rexhep Mitrovica bashkë me shokët e tjerë të Krahut Kombëtar dështuan.

Në Dibër e Mat - Në Dibër e në Mat fituan përkrahësit e Zogut prej të cilëve tre, Abdurahman Dibra, Hafëz Xhemal dhe avokat Shefqet Fishta, erdhën nga Stambolli.

Me një fjalë, përfundimet e zgjedhjeve krijuan një situatë kaotike me perspektiva të errëta e të frikëshme. Asnjë palë nuk ishte në gjendje të formonte shumicën e nevojshme për një qeveri të qëndrueshme e të fortë. Bejlerët, bashkë me Zogun, s’mundën të fitonin shumicën që parashikonin. Deputetët e Shkodrës e të Kosovës në fillim nuk u bashkuan me asnjërën anë. Qeveria jonë akoma ishte në fuqi. Luigj Gurakuqi, në një vizitë të papritur që më bëri në Ministri, më paraqiti Luigj Koliqin dhe Nush Bushatin dhe më tha: “Të pruna dy asamblistë të rinj të lauruem në drejtësi”.

Formimi i një kabineti ka qënë jashtëzakonisht i vështirë. Oportuniteti nuk lejonte që Zogu në atë kohë të bëhej as kryeministër as ministër i Brendëshmë. Ju propozua Sami Vrionit formimi i kabinetit, i cili si njeri i moderuar gëzonte një farë besimi në të dy palët, por ai në tentativat e tij dështoi. Pas këtij, iu propozua Mit’hat Frashërit të formonte qeverinë, po ky e refuzoi duke thënë: “Unë nuk mund ta çnderoj shtëpinë time”. Me këtë fjalë ka dashur të thoshte se, pasi dështimin e quante të sigurtë, këtë gjë e konsideronte diskreditim për shtëpinë e tij.

Kështu kalonin ditë e javë pa mundur të formohej qeveri e re. Intrigat vinin gjithnjë duke u shtuar dhe pasionet egërsoheshin deri në organizimin e komploteve. Midis grupeve po vazhdonin tratativat për formimin e qeverisë dhe bashkë me këtë vinte duke u shtuar edhe më tepër konfuzioni, gjithashtu edhe ankthi i pritjes së një katastrofi të afërmë.

*

*        *

Një natë, ora 22, më vjen në shtëpi Avni Rustemi, i shoqëruar nga ministri i Luftës, Mustafa Aranitasi. U ngrita nga gjumi dhe i prita vizitorët e papritur. Ishim vetëm të tre. Avniu ia filloi një bisedimi me një parathënie të gjatë rreth personit të Zogut dhe rrezikëshmërisë së tij dhe, pas shumë fjalëve të tjera, përfundoi, duke thënë se eliminimi i tij ishte një detyrë patriotike dhe, në qoftë se ky mendim do të pëlqehej edhe nga ana ime, vënia e tij në zbatim do të ishte një punë e thjeshtë. Mustafa Aranitasi nuk foli asnjë fjalë dhe unë nuk pyeta për mendimin e tij. Unë Avniut iu përgjigja si vijon:

“Shokët e mij dhe unë kemi bashkëpunuar me Zogun qysh nga viti 1918 e deri tani afër. Kemi bërë vepra të mëdha gjatë kësaj kohe, midis vështirësive të jashtëzakonëshme, për krijimin dhe stabilizimin e shtetit dhe ia arrijtëm qëllimit. Kjo gjë u prit me brohori nga populli përveç armiqve të popullit, të jashtëm e të brendëshmë, që nuk u pëlqeu një shtet i tillë pa gisht të huaji. Në qoftë se situata, ideale për atë kohë, që u krijua nuk vazhdoi, këtu s’ka aqë faj Zogu, por ka faj një pjesë e opozicionit që me çpifjet, intrigat dhe sabotimet e tyre pregatitën çkatërrimin e atij kolektiviteti politik të formuar me seleksion natural gjatë kohëve të vështira. Kjo gjë nuk i pëlqeu edhe 2-3 shokëve tanë si Eshref Frashërit ambicioz dhe Ismail Tatzatit mëndjemadh, të padisiplinuar e të pandërgjegjshëm, gjë që i shërbeu edhe ambicjeve të Zogut. Pra, përgjegjëse e vërtetë të këtij çkatërrimi, të këtij kaosi është ajo pjesë e opozitës dhe 2-3 shokëve të Krahut Kombëtar, që janë çkatërruesit e vërtetë të rendit e të vendit, se Zogut, pas kaqë luftrave me pasoja të rrezikëshme për personin e tij, që bëri në llogari të kolektivitetit, pas këtij çkatërrimi ai s’mund të qëndronte me duar kryq, po për të shpëtuar jeten e tij o do të krijonte një parti të re për ta patur si mbështetje, ose do të largohej nga Shqipëria. Pra, shërbimet që i ka bërë këtij vendi, pa u dukur tradhëti e tij, ne nuk mund t’ia shpërblejmë me vrasje dhe këtë gjë nuk do ta pranoj kurrë, duke qenë edhe shok kabineti me të”. Avniu nuk mbeti i kënaqur nga përgjigja ime. Mustafa Aranitasi prapë s’foli asnjë fjalë. Ai, duket, pëlqimin e tij e kishte lidhur me pëlqimin tim në këtë çështje. Kështu u ndamë, pa e marrë vesh askush bisedimin tonë.

Në këto mendime që i çfaqa Avniut, unë kam përfaqësuar edhe mendimet dhe mentalitetin e shokëve të mij, të cilët kanë qënë në kundërshtim flagrant me gjykimet dhe mentalitetin e Zogut. Ne nuk e shifnim të drejtë të bënim një vrasje preventive, duke eleminuar një shok, që në një kohë shumë të vështirë i ka shërbyer vendit, për një faj që do të bënte nesër. Kurse Zogu ka menduar ndryshe. Pas konfliktit që ngjau midis tij, si kryeministër, dhe ne të dyve, Rexhep Mitrovicës edhe mua si anëtar kabineti, për shkak të heqjes nga Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë e Shefqet Korçës, Zogu kishte vendosur eliminimin tim, për ta paralizuar kryekëput rezistencën e Krahut Kombëtar tashmë të çthurur. Siç tregojnë vrasjet që ka bërë kur erdhi në fuqi më 1924 dhe ato që ka bërë gjatë sundimit të tij deri 1939, ai ka eliminuar gjithë ata persona që i shifte të rrezikshëm për pozitën e tij.

Pas konfliktit që përmënda më lart dhe pas zgjedhjeve të kushtetutës, një ditë, afër akshamit, në kohën kur zakonisht kthehesha në shtëpi, kolonel Ali Fehmi Kosturi, që banonte afër meje, në bri të portës së Petralasve, në rrugicën karshi shtëpisë së Jusuf Elezit, shef dy malokë në pritje. Ali Fehmiu menjëherë lajmëron shtëpinë time. Në atë kohë në shtëpi ndodhej miku dhe njeriu im Ferhat Veliu nga Homeshi, i cili menjëherë rrëmbeu pushkën dhe del nga dera. Malokët, me të parë atë, u çdukën menjëherë nëpër zik-zaket e rrugicave dhe unë shpëtova nga një vdekje e sigurtë. Kur kam qënë në emigracion, marr vesh se Ferhat Veliu, me çpifjen që i ka bërë Abdurrahman Krosi, se gjoja paska rrëzuar vajzën e tij nga pema dhe ka shkakëtuar vdekjen e saj, është dënuar me 10 vjet burgim. Në fakt ky ishte dënim për hakmarrje, që shpëtoi jetën time.

 

Një konflikt i papritur dhe i pashpjegueshëm midis Zogut dhe Eshrefit

Në atë konfuzion që mbretëronte ndër qarqet parlamentare dhe në vend, na paska dalë një konflikt midis Zogut dhe Eshrefit, konflikt që vlen të tregohet për të kuptuar se sa i ka preokupuar këta dy politikanë e burra shteti në atë kohë aq delikate, pra ai preokupacion karrigesh, që mund të minonte marrëveshjen e tyre politike me afat të gjatë. Me këtë rast, Eshrefi provokon një mbledhje në shtëpinë e tij, ku fton të gjithë asamblistët e Korçës, përveç Fan Nolit dhe Aqif Pashës. Ai paska qënë i zëmëruar prej Zogut dhe në mbledhje, për çudinë e ne të gjithëve, fillon të lavdërojë klerin katolik dhe Luigj Gurakuqin, që i ka urrejtur aqë tepër, si edhe të përdorë një gjuhë të dyshimtë për kundër Zogut. Dr. Syrja Pojani, njeri mediokër, por miku familjar dhe këshilltar mendor i tij, që gjithnjë e ka dominuar gjatë jetës së tij politike, e qortoi në mbledhje dhe e detyroi atë të provokojë një mbledhje tjetër të nesërmen, ku mori pjesë edhe vetë Zogu bashkë me asamblistët e Korçës. Zogu, i zgjuar, ia siguroi Eshrefit kryesinë e Asamblesë dhe e mbylli konfliktin me kaqë.

Ne anëtarët e vjetër të Krahut Kombëtar mblidheshim aso kohe shpeshherë dhe bisedonim se si duhej gjetur një rrugëdalje nga kjo situatë e tmerrëshme, ku ishte zhytur vendi. Në këto mbledhje, kokëulur, merrte pjesë edhe Ismail Tatzati. Pas shumë diskutimesh, si të vetmin mjet gjetëm riformimin dhe riorganizimin e Krahut Kombëtar, ashtu siç ka qënë më parë. Këtë vendim ia komunikuam Zogut me anë të dy personave, me në krye Xhemal Najipin. Zogu kërkon 24 orë afat për të menduar dhe më në fund refuzon. Ai e kërkoi këtë afat për të biseduar me Eshref Frashërin, i cili nuk e pranoi.

 

Atentat kundër Zogut, 23 shkurt 1924

Qeveria e vjetër, e kryesuar nga Zogu, vazhdonte më 23 shkurt 1924 të ishte në fuqi dhe gati krejt asamblistët në mbledhje ishin në pritje të kryeministrit. Në këtë kohë u dëgjuan tri të shtëna pushke dhe pas disa sekondash u hap dera e parlamentit dhe hyri Zogu me një revolver nagant në dorë. Tepër i zbehtë, duke hedhur sytë nga ana e opozitarëve të vjetër, ku kishin zënë vend Aqif Pasha, Qazim Koculi, Luigj Gurakuqi dhe Avni Rustemi, tha: “Vazhdoni bisedimet, zoti kryetar, se këto janë gjana që ngjajnë kudo”. Kapiten Osman Gazepi me kompaninë e tij ishte roja e asamblesë dhe ndodhej në llozhën e dëgjuesve. Ky, me të dëgjuar zërin e pushkëve, kishte kujtuar se Zogu ishte vrarë ose ishte plagosur rëndë dhe filloi të bërtiste: “Çdo gjë që të ketë ngjarë, neve na duhet të veprojmë sipas ligjit”. Por, kur pa se Zogu s’kishte gjë të rëndë, filloi të çirrej dhe të shante shkaktarët e kësaj ngjarjeje, për t’i treguar Zogut se ai ishte besniku i tij dhe si i tillë, me pushkë në dorë, sulmoi atentatorin, që ndërkohë kish hyrë në nevojtore dhe duke kënduar këngë kombëtare i përgjigjej me pushkë pushkëve të Osman Gazepit. Ky i fundit paska qënë një djalosh 17-vjeçar, Beqir Valteri, nga fshati Vinjall i Matit, të cilin Zogu e paska ndihmuar duke e dërguar në Itali për të studjuar. Ky qëndronte në krye të shkallëve kur ai ngjitej për të ardhur në mbledhje dhe duke i bërtitur: “Qëndro, Zog”, e qëlloi pas shpine tri herë me revolver, dy metro afër, duke i shkaktuar tri plagë të përcipta e të lehta dhe mbyllet në nevojtore për mbrojtje Osman Gazepi e sulmon dhe duke bërtitur e qëllon me pushkë nëpër mur të nevojtores, që përshkohej prej plumbave pasi muri ishte prej kallamit. Në këto duele plumbash, plagoset në krah roja e Zogut, Abaz Dibra, tetar në xhandarmëri, djali më trim, besnik dhe i urtë i Zogut.

Atentati në përgjithësi u prit me indinjatë nga ana e asamblistëve. Kryetari i Asamblesë Eshref Frashëri e humbi gjakftohtësinë dhe vendin e tij e zuri Iljaz Vrioni më gjakftohtë dhe më guximtar. Pushkët herë pas here po këmbeheshin me atentatorin. Parlamenti ishte rrethuar nga ushtarët e Osman Gazepit, por edhe këta ishin të rrethuar nga forcat e xhandarmërisë, të komanduar nga Aziz çami. Ushtëria mbronte Zogun, kurse xhandarmëria mbronte anëtarët e Krahut Kombëtar dhe patriotët e tjerë. Kështu, që të dy anët mendonin se si t’i shpëtonin njerëzit e tyre në rrezik. Filluan të hynin në sallën e mbledhjes njerëzit e Zogut me pushkë të gjata. Qazim Koculi protestoi dhe atëhere ata u nxurrën jashtë sallës. Gjendja u keqësua aq tepër, sa jeta e të gjithë asamblistëve varej nga zbrazja e një pushke brënda në sallën e mbledhjes, pasi të gjithë asamblistët ishin të armatosur, përveç që ishin të rrethuar edhe nga jashtë. Nga çasti në çast katastrofi dukej më i afërmë. Në këtë çast iu afrova Zogut. Pasi e pyeta si ishte, më tha se kishte dhëmbje. Atëhere i thashë: “Kjo ngjarje këtu në mbledhje na krijoi një situatë aq të tmerrëshme, sa të gjithë ne, pa asnjë përjashtim, jetën e kemi në rrezik, prandaj jam i mendimit që pushkët që këmbehen me atentatorin të pushojnë, për të evituar rrezikun që na kërcënohet. Vrasja e atentatorit nuk nxjerr në shesh asnjë gjë, përveç se humb gjurmën e shtytësit, kurse gjëja kryesore është zbulimi i shtytëzit për ta çfajësuar Asamblenë nga njolla e një atentatit të shëmtuar”. Zogu e pëlqeu mendimin tim dhe i dha urdhër Abdurahman Krosit për ta pushuar pushkën, por pasi ky u kthye nga rruga mbi krismën e pushkve, Zogu e shau Krosin dhe e detyroi të zbatojë urdhërin e tij.

Në Tiranë ishte shkaktuar një panik i madh nga ngjarja e Asamblesë dhe merreshin masa e kundërmasa për t’u bërë ballë rreziqeve që mund të vinin për njerëzit e tyre të rrethuar në parlament. Muharrem Bajraktari kish hipur në minare të xhamisë “Sulejman Pasha” me disa veta të armatosur që dominonte rrugën e Asamblesë dhe, kunder tij, xhandarët ishin vendosur ndër penxheret e shtëpisë së Refik Toptanit, që neutralizonin minaren.

Asambleja vendosi, duke deleguar Qazim Koculin dhe Ali Këlcyrën, për ta këshilluar Beqir Valterin të dorëzohej se jetën e tij do ta kish të garantuar duke iu dorëzuar drejtësisë.

Pas shumë përpjekjeve, atë e bindën të dorëzohej dhe vonë asamblistët u liruan nga rrethimi dhe shkuan nëpër shtëpitë e tyre.

Sipas konstatimit të mjekëve, Zogu ishte jashtë çdo rreziku, por armiqësitë dhe dyshimet midis grupeve pas kësaj ngjarjeje ishin shtuar shumë më tepër. Dyshimet mbi shtytësin e atentatit ishin përqëndruar më tepër mbi Avni Rustemin dhe mbi miqt’e tij të afërmë. Dyshimi i disave, sidomos i bejlerëve të mëdhej, shkonte edhe në shokët e tij të vjetër1 (të Krahut Kombëtar). Beqir Valteri e kish pohuar se ai ishte i shtytur prej Avniut dhe pushkët i kishte marrë prej tij. Se cilët kanë qënë bashkëpunëtorët e Avniut, edhe nuk dihet me saktësi, vetëm se dyshimet shkonin mbi Qazim Koculin dhe mbi shokët intimë të Avniut, ndonse s’mund të thuhet gjë me siguri për ta. Sa për shokët e vjetër të Zogut, dyshimet mbi këta ishin fare të kota dhe asnjërit prej këtyre as nuk i ka shkuar një gjë e tillë ndër mënd. Këta, masën më të rëndë që kanë menduar kundër Zogut në kohën e konfliktit për çështjen e Shefqet Korçës, ishte ta nxirrnin atë jashtë Shqipërisë, duke e përcjellë deri në vapor.

*

*        *

Pas atentatit, pas shumë përpjekjeve, mezi u arrit të formohej një qeveri nën kryesinë e Shefqet Vërlacit, që përfaqësonte bejlerët e mëdhej dhe që nuk ka qënë tjetër gjë veç vetë kabineti i Zogut që drejtohej sipas urdhërave të tij. Në këtë kabinet mori pjesë edhe Luigj Gurakuqi si ministër i Financave, gjithashtu edhe Myfit Libohova, si ministër i Drejtësisë, dy protagonistet e politikës proteksioniste të Qeverisë së Durrësit. Kabineti, për shkak të Myfitit, me shumë vështirësi e dredhira ka mundur të marrë votëbesimin.

Ministrinë e Arësimit e lanë në dispozicion të deputetëve të Kosovës, ku si minister emërohet dr. Fahri Gjilani.

Në shkurt 1924, mbi propozimin e Avniut në Asamble, u bë 5 minuta pushim për vdekjen e V. I. Leninit. Propozimi u zbatua me unanimitet, pa asnjë kundërshtim. l)

Qeveria e Vërlacit nuk gëzonte dhe s’mund të gëzonte besimin e popullit, pasi ajo qeveri ka përfaqësuar interesat e bejlerëve të mëdhej dhe interesat e të pasurve në dëm të interesit të popullit. Harmonia dhe rregulli që mbretëronte në administratë, u çduk dhe qetësia u prish, pasi autoriteti qeveritar mungonte. Vendi gjithnjë largohej nga rendi e regulli, që kanë qënë pjella e një kolektivitetit politik homogjen dhe shkonte drejt një anarkie, pasojat e së cilës edhe nuk parashikoheshin.

 

Vrasja e amerikanve

Për të treguar brenda dhe jashtë vendit se, pa qënë Zogu në fuqi s’mund të ketë as qetësi as stabilitet në Shqipëri, shtyhet Idriz Veseli nga fshatrat e Krujës, kriminel i arratisur, të prishte qetësinë në Mamurras gjatë rrugës Tiranë-Shkodër, duke vrarë disa malsorë që do të ktheheshin nga Tirana në Shkodër më 6 prill 1924. Për fat të keq, të parët që kaluan atë ditë, nga ajo rrugë qenë dy tregtarë amerikanë, që shkonin në Shkodër, të cilët u vranë prej banditëve gabimisht në vend të malsorëve*). Përveç informatave të mia, këtë ma ka vërtetuar edhe Salih Vuçiterni, miku i ngushtë i Zogut.

Qeveria qysh atë ditë nisi një fuqi xhandarësh nën komandën e kapiten Selim Libohovës, e cila vret dy vëllezër të arratisur, por të pafajshëm në këtë çështje. Kjo ngjarje e shëmtuar e tmerroi vendin, e cila përveç dëmit moral mund të kishte edhe pasoja politike të rënda. Çdo tendencë ia ngarkonte fajin tendencës kundërshtare për t’i shpëtuar përgjegjësisë dhe për të kompromentuar tjetrin. Shumë supozime janë bërë rreth shkaktarëve të kësaj vrasjeje, por asnjë nuk është konfirmuar me saktësi. Duke ja lënë të tjerëve plotësimin e kësaj të mete, bindja ime tani për tani përqëndrohet në hipotezën që çfaqa më lart.

Në këtë konfusion, Zogu me shokët e tij mundohej për të gjetur mënyrat dhe mjetet për formimin e një qeverie, ku të kalohej, nga ajo tranzitorja, në atë të qëndrueshmen, homogjene e të fortë, për t’i dhënë një drejtim më të qartë administratës dhe për ta përshtatur atë më mirë pas interesave të tij dhe të pasuesve të tij. Por, mjerisht, s’mund t’i arrihej aq lehtë një gjendjes së tillë derisa faktorët moralë e materialë, që nevojiten për raste të tilla, nuk ekzistonin në atë grupim amorf e heterogjen, të mbledhur vetëm e vetëm për të siguruar interesat personale e jo interesat e vendit. Pra, si ky grupim, ashtu edhe pjesa demokrate ishin në pritjen e zhvillimit të ngjarjeve, të cilat çdo palë i priste në favor të vet. Fuqitë e të dy palëve, gati të ekuilibruara, nuk gjenin dot një pikë afërimi për një marrëveshje paqësore, pa u lënë vend pasioneve, interesave misqine dhe fushë të lirë shpirtit të dominimit. Kjo gjendje shpirtërore e zhvilluar në kulm paraqiste perspektiva të frikëshme në të ardhmen e afërme.

Në këtë atmosferë shumë të rëndë e të mërzitëshme ngjau një atentat tjetër, i cili shkaktoi një indinjatë të thellë në patriotët intelektualë, në rininë e në popull. Kjo ngjarje i dha rast edhe pjesës arriviste të shfrytëzonte ngjarjen deri në një kryengritje, që pati përfundime fatale për vendin tonë.

Sejfi Vllamasi